AKEP: Kompanitë celulare mund të shiten pa miratim paraprak nga ne

4 Minuta Lexim

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka zbardhur me disa muaj vonesë qëndrimin e vet lidhur me dy transaksionet e fundit në tregun e komunikimeve elektronike, që sollën shitjen e paketës kontrolluese të aksioneve në kompanitë ALBtelecom dhe ONE Telecommunications tek kompania hungareze 4iG (dhe më tej transferimin e tyre te Antenna Hungaria, kompani me aksioner kryesor pikërisht 4iG).

Në vendimin e vet, Këshilli Drejtues i AKEP ka bërë një interpretim të ri të ligjit “Për komunikimet elektronike”, duke u shprehur se ai parashikon se AKEP duhet të japë miratim paraprak vetëm për rastet kur Autorizimi Individual transferohet nga një kompani tek tjetra, por jo në rastet kur ndryshon struktura aksionare e shoqërisë që zotëron Autorizimin. Mbështetur në këtë interpretim, Këshilli Drejtues i AKEP ka vendosur të unifikojë qëndrimin sa i përket ratio legis (frymës së ligjit) të nenit 71 dhe 74 të Ligjit nr.9918/2008, mbi dhënien e miratimit paraprak vetëm sa i përket rasteve të transferimit të së drejtës së përdorimit të Autorizimeve Individuale nga sipërmarrësi mbajtës i kësaj të drejte tek një sipërmarrës tjetër.

Sipas AKEP, mbetet në kompetencë të Autoritetit të Konkurrencës, si institucion përgjegjës për mbrojtjen e konkurrencës efektive, vlerësimi apo verifikimi nëse marrëveshja e lidhur midis dy shoqërive paraqet kushtet apo riskun e kufizimit apo dëmtimit të konkurrencës në treg.

Ky intepretim nënkupton se në këto raste firmat duhet të kërkojnë autorizim paraprak vetëm nga Autoriteti i Konkurrencës. Për këtë arsye, në rastin e transaksionit të dytë (blerjes së ONE), që sjell një përqendrim të konsiderueshëm në tregun e komunikimeve elektronike, AKEP ka vendosur që ndryshimet përkatëse në autorizimet e lëshuara të reflektohen vetëm pas dhënies së miratimit nga Autoriteti i Konkurrencës për kryerjen e këtij transaksioni dhe pasqyrimit tё kёtyre ndryshimeve nё Qendrёn Kombёtare tё Biznesit.

Intepretimi që Këshilli Drejtues i ka bërë ligjit në këtë rast është i ndryshëm nga ai që u ndoq në vitin 2018, në procesin e shitjes së Telekom Albania. Grupi grek OTE kishte arritur një marrëveshje me operatorin publik serb Telekom Srbija, por transaksioni u bllokua sepse qeveria shqiptare paralajmëroi se nuk do ta miratonte atë. Ligjërisht, mekanizmi i vetëm nëpërmjet të cilit qeveria mund ta bllokonte ishte pikërisht moslejimit i transferimit të drejtave mbi Autorizimin Individual për përdorimin e frekuencave.

Nëse në vitin 2018 do të ishte bërë një intepretim i ngjashëm me atë që AKEP ka bërë në operacionet Albtelecom/ONE, në teori Telekom Srbija mund ta kishte blerë operatorin Telekom Albania vetëm me një autorizim nga Autoriteti i Konkurrencës. Intepretimi që Këshilli Drejtues i ka bërë ligjit organik të sektorit të komunikimeve elektronike në teori vendos një frymë të re, për sa i takon kontrollit mbi kompanitë celulare. Në pamje të parë, shteti nuk ka më një instrument eksplicit ligjor për të kufizuar ndryshimet në strukturën aksionare të kompanive që shfrytëzojnë një burim të kufizuar dhe strategjik, si spektri i radiofrekuencave./E. Shehu.  “Revista Monitor”

www.monitor.al/akep-kompanite-celulare-mund-te-shiten-pa-miratim-paraprak-nga-ne/?fbclid=IwAR3H8TH1vsDIeJ2vxPmA3D3i7oCQ3-jPWYC0082wD3sLpUbXosI68GXprGg


 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull