Situata në vend po vazhdon të mbetët e tensionuar, kjo sepse shumë ngjarje kanë ndikuar në zhvillimet dramatike, sidomos në veriun e Kosovës.
Së fundmi Njësite të Policisë së Kosovës kanë qenë cak i sulmeve për pesë ditë rresht në veri të vendit.
Në raportin e policisë thuhet se derisa njësia e policisë kufitare ka qenë duke vëzhguar, janë dëgjuar dy shpërthime.
“Në këtë rast nuk ka pasur të lënduar si dhe as dëme materiale. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë përkatëse policore”.
“Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar rasti. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë .
Në lidhje me këto sulme në veri të vendit, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur analisti nga Amerika, Ramazan Bekteshi.
Ai u shpreh se gjasat për një sulm nga Serbia janë të vogla mirëpo që e njejta mund të përgatit skenare për sulme Brenda veriut të vendit për ta fajësuar institucionet e Kosovës.
“Gjasat janë të vogla që të ndodhi një sulm i tille nga Serbia, për shkak se kufijtë e Kosovës mbrohen nga KFOR-i (NATO) dhe gjasat e Serbisë vetëm se mund të jenë vetëvrasëse. Por, kjo kurrsesi nuk do të thotë se Serbia nuk ka skenarë, plane, si dhe inskenime të parapërgatitura të llojeve të ndryshme, që përgatit sulme nga brenda veriut të Kosovës vetëm për ta diskredituar apo fajësuar Kosovën qofshin edhe me inskenime si rasti i ‘Pandës’ në Pejë duke masakruar serbi serbët vetëm për të arritur qëllimet e tyre të errëta”, u shpreh ai.
Analisti më tej thotë që brengë në vete mbetët armiqësitë brenda faktorit tonë politikë duke përmendur edhe Shqipërinë
“Brengë në vete për inskenime të tilla mbesin armiqësitë brenda faktorit tonë politik që shpesh duke e thelluar luftën politike në mes tyre e harrojnë armikun dhe interesin kombëtar. Brengë e theksueshme që vazhdon të na përcjelli është vendi amë, Shqipëria, që vazhdon të hesht në momente dramatike kur ndodhin kërcënime nga Serbia”, përfundoi Bekteshi për “Bota sot”.