Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 22 urdhër-arreste, lidhur me mallrat kontrabandë që tregëtohen në faqe të ndryshme online.
Operacioni ende në vijim ndërsa deri me tani janë ekzekutuar 15 urdhër-arreste teksa vijon puna për ndalimin e të gjithë personave që dyshohet se janë të përfshirë.
Aksioni i sotëm është vijim i atij “Delivery” ku u sekuestrua 1 milion euro mall.
Sipas burimeve nga akuza dyshohet se këta shtetas kishin skrijuar një skemë për tregtimin dhe transportimin e produkteve që futen dhe dalin nga Shqipëria, duke mos iu nënshtruar regjimit doganor dhe për rrjedhojë tregtohen duke shmangur detyrimet.
Kjo skemë, sipas policisë, i ka shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik të konsiderueshëm përmes shmangies së detyrimeve doganore. Burime bëjnë me dije se janë sekuestruar qindra mallra të papajisura me faturë doganore.
Veprat penale që rëndojnë ndaj 22 shtetasve janë: “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, ”Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”, kryer në bashkëpunim “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.