Mbrojtësi i Barcelonës ka përfituar nga një bashkëpunim i fshehtë me kryetarin e federatës spanjolle, Luis Rubiales
Një skandal i madh po shfaqet në horizont në futbollin spanjoll, pasi në përgjime është zbuluar një përfshirje në skenë të pastër korrupsioni e një prej lojtarëve më të mirë në La Liga, si dhe vetë presidenti i federatës spanjolle. Kështu, mbrojtësi i Barcelonës, Xherard Pike, akuzohet për përfshirje në një skandal korrupsioni së bashku me Presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales. Lajmin e ka bërë të ditur mediumi “El Confidencial”.
Në bazë të dokumenteve të siguruara nga një burim i afërt, Pike dhe Rubiales kishin bërë presion në autoritetet e Arabisë Sauditë që ta paguajnë shumën prej 24 milionë eurove për ta organizuar Superkupën e Spanjës në vendin e tyre. Në bazë të dokumentit dhe audio-inçizimeve, Rubiales është marrë vesh që t’i paguajë Pikes 6 milionë euro për këtë punë, ndërsa është munduar ta fshihte përfshirjen e mbrojtësit të Barcelonës në kontrata dhe në incizime. Pike e kishte ndihmuar Rubiales që ta siguronte marrëveshjen që Superkupa e Spanjës të zhvendosej në Arabinë Sauditë, një marrëveshje që ishte arritur në vitin 2019. Në atë kohë, presidenti i RFEF kishte konfirmuar se mbrojtësi e kishte ndihmuar për t’i nisur negociatat përmes kompanisë “Kosmos”, ku ai është aksionar. Pra, Pike mund të dënohet për këtë përfshirje korruktive. Sipas asaj që zbulon “El Confidencial”, federata mbylli një kontratë prej 40 milionë eurosh në sezon, shumë më tepër se 25 milionë eurot që ishin cituar fillimisht, diçka që pati një efekt të rëndësishëm duke shumëfishuar pagën e Presidentit, të cilit tani i duhet të ofrojë versionin e tij për t’u mbrojtur nga akuza të rënda, ndërkohë që i duhet të presë edhe publikimin e dokumenteve të tjera.
Në gushtin e 2019 akordi ishte gati, por vihet në rrezik pasi Rubiales kishte frikë nga pasojat etike që mund të kishte zhvendosja e kompeticionet në Arabinë Saudite një vend ku është në fuqi ende dënimi me vdekje, dhe është nën akuzë për diskriminimin e femrave. Pike e bind Presidentin se tanimë do të ishte edhe më keq nëse do të tërhiqej dhe kështu palët ecin përpara deri në hedhjen e firmave, me Rubiales që i çon një mesazh triumfues lojtarit të Barcelonës. Më pas Presidenti ndërhyn për të zhbllokuar pagesën për Kozmos, ndërkohë që gjithmonë në verën e 2019, Andorras i dorëzohet një vend në Segunda B, që ishte lënë vakant nga Reus. Kështu skuadra në pronësi të Pike kalon menjëherë nga kategoria e pestë në të tretën, duke kapërcyer dy shkallë njëherazi.