Nga Dilaver Goxhaj
Si sot, më 22 prill të vitit 1865, (157 vite më parë), lindi në Luaras të Kolonjës, në një familje muratori, patrioti Rilindas Petro Nini Luarasi, i biri i Nini Petro Kostallarit. Petro Nini Luarasi ka qenë veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog, “Mësues i Popullit”. Ai ishte nxënës në shkollën e Qestoratit (Lunxhëri – Gjirokastër) drejtuar nga Koto Hoxhi. Babi i tij quhej Nini Petro Kostallari.
Petro Nini Luarasi punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues. Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë.
Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911.
Petro Nini Luarasi bashkëpunoi në organet “Bashkimi i kombit” (Manastir 1909-1910), ku qe dhe redaktor, në “Drita” (Sofje, 1907-1908), në “Kombi” (Boston, 1908), në “Liria” (Selanik, 1909-1910) ku botoi shkrime publicistike, pedagogjike dhe poezi. Në veprën politike “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911) mbrojti të drejtën e popullit shqiptar për kulturën e vet kombëtare. Propagandoi një nga idetë qendrore të Rilindjes:bashkimin në luftë për lirinë e Shqipërisë pavarësisht nga besimi fetar”. Nga Presdienti i Shqipërisë i është akorduar “Urdhëri Nder i Kombit”. Kur ishte në mërgim në Amerikë, më 28 kallnor 1907, botoi poezinë “Morali i martirëve”:
MORALI I MARTIRËVE
Petro Nini Luarasi
Mos pandehni se fitojmë
Me krahë të huajvet,
Se dhe kur na përgëzojmë,
Kan’ interes të vet.
Grekër a të tjerë qofshin,
Ne duhet që t’i largojmë,
Ar – ergjënd ndë na pagofshin,
Me sy të mos e vështrojmë!
Se zën’ e na përkëdhelin
Me lajka e me të dhënë:
Të na marrin Mëmëdhethin,
Të na humbin gjuhën tënë!
Duan gjuhën të na ndajnë,
Të tyren të na dhurojnë.
Si një qen lidhur në shkardhë,
Të na heqin, na gëzojnë!
Na thon: “U kemi vëllezër!”
Më një’anë thellëjnë gropë,
Qentë! Me një qëllim tjetër
Duan të na bëjnë copë!
Me mënyrat që rrëfejnë,
Duan gjithë të na rrjepin!
Nën urdhër të na kenë,
Shpirt’ e zemër të na djegin!
Pa mos qenë një nga fara,
As nga gjaku, as nga gjuha.
Nga na del greku përpara
Dhe më thotë që “të dua”?
Na thotë : “Jemi vëllezër
Dhe të dashur gjithëmonë”,
Me lajka na kllet në sedër,
Që të harrojmë zakonë!
Oh! Se ç’thënka nom’ i grekë!
Shqipëtari sa të rronjë,
Për greknë ndë këtë jetë
Të vuanj’ e të punojë!
Të jetë skllav i mbërthyer,
Të përpiqet për Greqinë,
Ndë do që të jet’ i vlyer
Të quanj Zot Perëndinë!
O vëllezër shqipëtarë,
Mysliman’ e të krishterë,
Mblithni mëndjen sa më parë
Në doni të kini nderë!
Nga të huajtë u çkëputni,
Punoni për vet’hen vetë
Në doni që të mos humpni
Nga faqja e dhéut për jetë!
S’i ndihë kurrë Perëndia
Një njeriu, që ësht’ i marrë,
Kujt i pëlqen robëria
Shtëpisë së tij i vë zjarrë!
Një njeriu që nuk ka sedër
Dhe nder’ e tij e shet gjetkë
Dhe i pëlqen të rrojë i verbër,
Pa shpirt, pa zëmër, pa shpretkë.
Qysh i ndihka Perëndia
Dhe i bëkërka të mirë,
Kur e tërë njerëzia
E ka gatër e këllirë?!
Cili njeri i çnderuar
Paskërka, kurrë në botë
Miq e shokë të lëvduar,
Pra, edhe ndihmës për kokë?!
Të poshtër ne s’kemi qënë,
Ne s’jemi nga farë e ligë,
Shqipërinë pse ta lëmë
Si mëmë pa djem dhe shtrigë?
Kemi qënë e do të jemi
Burra trima shqipëtarë,
Dhe në dorë tën’ e kemi
Të bëhemi si më parë!
Hidhni syt’ – o shqipëtarë!
Vini re botën e tërë,
Mejtohuni ç’qe më parë
E tani si është bërë!
Ç’e madhe mëkatë
Që të rrojmë kaq çnderuar,
Turp për gjyshër e për atë,
Q’i kemi fort të lëvduar!
Po të mejtohemi hollë,
Ç’e duam vet’henë tënë?
Më mirë që të mos rrojmë
Kur s’jetojmë për të qënë!
I biri i tij, shkrimtari dhe vullnetari i Luftës së Spanjës, SKËNDER PETRO LUARASI (1900 – 1982), lindur po në Luaras të Kolonjës. Ndonëse banorët e fshatit Luaras ishin protestantë, babai i tij, Petro Nini Luarasi, i dha emrin Skënder për t’iu referuar Heroit Kombëtar Shqiptar Skënderbe. Kumbari i tij ishte poeti Naim Frashëri. Skënderi jetoi me babanë shumë pak, por le t’ia lëmë fjalën atij:
“Më 10 maj 1903, një yzbash me shumë asqerë, që në mëngjes, na kishin rrethuar shtëpinë, të cilën e bastisën; ngarkuan dy barë me libra shqipe, dhe urdhëruan tim atë të nisej për në ersekë. Më parë se t’ia lidhnin duart me hekura, babai më ngriti lart e më puthi. Sa kisha mbushur 3 vjeç e s’e mbaj mënd këtë ngjarje, por nëna më tregoi se I paskësha thënë të më sillte sheqer të kuq kur të kthehej prej Erseke.
Prapë nëna më tregon se të mërkurave dilnja tek Udha e madhe e pyesnja pazarakët mos ma kishin parë babanë. Por dalëngadalë e harrova; dhe më në fund zura të besonj, sidomos kur burrat e tjerë, ditët e shënuara, ktheheshin nga kurbeti dhe u sillnin kalamajve këpucë e roba të bukura, se unë s’do të kisha pasur kurrë baba. Kështu për 5 vjetë me radhë, derisa babai u kthye në shtëpi, pasi babai u arratis e vajti në Amerikë.
Më 1908, tokën e bukës që e kishim ndonjë orë larg fshatit, e patëm mbjellë grurë. Arat qenë korrur, dhe duajt prisnin t’i shinim në lëmë. Atë ditë, që me natë u bë dyfek në pyllin e Shënkollit të Vodicës midis ushtarëve turq e (siç u muar vesh më vonë) çetës së Çerçis Topullit. Biqit e tjetë i fshehën kafshët e samarit, po mua bujku Bido m’I ngarkoi të mijat dhe më tha t’i vinja pas. Te Kroi i Janit po shlodheshin disa burra me mjekër, të armatosur. I dirsur, mora zëmër dhe zbrita të pi ujë. Njëri nga ata më pyeti: “I kujt je, mor djalë?” – “I Petr . . .Illi Dikës”, iu përgjigja. (Aso kohe trimate maliq Beut, si Dake Mali, mirrnin dhe skllevër, prandaj nëna na kish porositur, ne vëllezërve, që kur të na pyesnin xhandarët dhe të panjohur se të kujt ishim, të thoshnim se qemë djemt e mjeshtrit më të varfër të mëhallës).
Buri me mjekër qeshi, më puthi në ballë dhe më dha një grosh. “Na – më tha – ta blesh sheqer të kuq”. Nxitova pas kafshëve të ngarkuara ( që shyqyr nuk m’I muarrnë!) dhe pa kaptuar Shën-Thanasin ktheva kryet dhe thashë: “Mor po, paska dhe hajdutë të mirë!”
Nëna e dinte se babai ishte kthyer fshehurazi në Shqipëri që në maj. Kur ja tregova ngjarjen, ajo më porosity: “Se mos ia thua njeriu këtë gjë!”. . . .
Më 10 korrik 1908 u shpall Hyrjeti. . . . . Prej mëhallëve të ndryshme dëgjoheshin pushkëTe kroi I madh hasëm burra të mëhallës Matorusë që ngjiteshin për në Kostallarë: “Shyqyr që të erdhi Petroja shëndoshë, o teze Janje!”, i thoshnin nënës dhe zbraznin dyfeqe edhe ata.
Kur arrita vetë në shtëpi pashë dyshemenë e qoshkut të mbushur plot me njëqind palë këpucë. . Motra e madhe më përqafoi, duke thirrur: “Erdhi babai! Shih ç’të ka sjellë! Vishi! Mbathi! Shiko, thuaji mirë se erdhe!” – dhe m’i veshi robat e ra prej kadifeje e bojë hiri, më mbathi këpucët me xhufka, dhe më vuri në kokë takijen e qëndisur me ar.
“Po kujt t’i them Mirë se erdhë?” – e pyeta.
“Atij burrit që s’e ke parë tjetër herë”,- më porositi kushërira Gule.
Kur hyra në odën e madhe, i hutuar, vura re se teze Janja i kish hedhur dorën e djathtë në qafë burrit të huaj. . . Ky u ngrit, më puthi në ballë e në faqe, dhe më mori pranë. Ndënja shesh, e vështronja me bisht të syrit e thosha me vete: “ Ky qënka gjallë ai hajduti që më dha groshin të blej sheqer të kuq!” Ku ta dinja unë se ay “hajduti” paskish qënë im atë! . . . .
Të hënën 15 gusht, ditën e Shënmërisë, e kremtoi me mysafirët. . . . .Të martën, sa përcolli miqtë e fundit, tek hidhte vah, e lajmëruan të vinte n’Ersekë. Të mërkurën, (më 17 gusht 1911), u nis për atje më këmbë me pazarakët.. . .Kur dukej sikur tregëtarët grekomanë e pranonin të çelej shkolla shqipe, kësaj radhe po e dehnin me fjalët e tyre të ëmbla “vëllazërore” e “patriotike”, Mësonjësin e Shqipes e “gostitën” me konjakun e helmuar, q’e pati përgatitur spiceri dhe doktori grek Thanas Janulli me porosinë e Hyqymetit dhe me shtytjen e Mitropolisë greke.”
(Marrë prej “Fjala shqipe”, Tiranë, 1961, fq.105 -109)