Menxhimi i Butrintit nga “Fondacioni amerikan”, konflikt interesi dhe korrupsion

12 Minuta Lexim

“Qeveria mund të vendosë të nënshkruajë marrëveshje me një kontraktor, i cili, në mungesë të një ekspertize lokale, mund të jetë privat, vendas ose i huaj, por kjo mund të bëhet vetëm nëse shteti ka një mekanizëm qeveritar, profesional të posaçëm për menaxhimin e siteve të trashëgimisë, që të mbikëqyrë kontraktorët”, vlerëson Prof. Giora Solar, personalitet i njohur botëror në fushën e Trashëgimisë Kulturore, në një intervistë dhenë për gazetën “Dita”.

Përgjigjet e pyetjeve të kësaj interviste përcjellin një mesazh aktual për qeverinë që ditët e fundit ka projektuar t’ja jap për menxhim Parkun Natyral Kombëtar të Butrintit një të quajturi Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, sikurse do të raportonte Pamfleti, pa asnjë amerikan në Bordin e tij, por me bisnesmen të njohur si oligarkë të rrethit të kryeministrit Edi Rama. Arsye kjo që ka ngjallur debate dhe ngritur akuza urbane për privatizim të Butrintit nga familja “Rama”, e vërteta për të cilën pritet të verifikohet nga instetucionet e hetimit.

Si e ka vlerësuar profesori izraelit Giora Solar, një sipërmarrje të tillë, në bisedën e tij me  Dita-n rreth dy vite më parë?

Në foto: Prof Giora Solar.

Profesor, publiku shqiptar ju njeh nga intervista juaj e disa viteve më parë në lidhje me mbrojtjen e një prej ndërtesave ikonike të Tiranës, Piramidën. Ju patët këshilluar me këmbëngulje qeverinë e mëparshme të mos e shkatërronte këtë monument. Sidoqoftë, ne nuk e dinim që ju keni qenë udhëheqës projekti në Planin e Menaxhimit të Butrintit në 2012. Kush e financoi atë projekt dhe si është e mundur që nuk kemi dëgjuar kurrë për atë Plan Menaxhimi?

Unë kam qenë drejtuesi i një ekipi që përbëhej nga shqiptarë, komisionuar nga AADF (Albanian-American Development Foundation) për të përgatitur një plan të ri menaxherial për këtë sit në vitin 2012. Unë vetëm sa kam rishikuar raportet e përgatitura nga ekspertët vendas, të cilët ishin dhe janë ende shumë mbresëlënëse.

Plani ishte pothuajse gati dhe mosdakordësia ime kryesore me klientin tim amerikan (i cili ishte shumë larg të qenit profesionist) ishte se ai nuk duhet të quhej një plan i ri, por përditësimi i një plani ekzistues. Kur plani ekzistues nuk është i keq, thjesht duhet përditësuar, për shkak të kohës, koncepteve të reja, legjislacionit, politikës, etj. Nuk quhet plan i ri menaxherial, por plan i përditësuar. Pasi përmbajtja nuk ndryshon në asnjë mënyrë.

Besoj se atyre nuk u pëlqente kjo ide dhe donin të shihnin gjithçka të re. Nuk e kam idenë pse ata, përfundimisht, e ndërprenë aktivitetin tonë, kur pothuajse gjithçka ishte gati. Në raportin tim paraprak (2012) kam shkruar se Butrinti kishte më shumë plane menaxheriale të përgatitura për të dhe më shumë misione UNESCO-ICOMOS se çdo sit tjetër në botë.

Kam shkruar gjithashtu se problemi kryesor është se ato nuk janë zbatuar kurrë. E njëjta gjë ndodhi edhe me planin tonë.

Në atë plan, ju sugjeroni me forcë që shqiptarët duhet të rrisin kapacitetin profesional për të administruar sitet e trashëgimisë kulturore. Sidoqoftë, Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që Siti i Trashëgimisë Kulturore të Butrintit duhet të menaxhohet nga një privat. Si specialist me famë botërore mbi trashëgiminë kulturore, çfarë mendoni për këtë vendim?

Qeveria mund të vendosë që të nënshkruajë një marrëveshje me një kontraktor, i cili, në mungesë të një ekspertize lokale, mund të jetë privat, vendas ose i huaj. Por kjo mund të bëhet vetëm nëse shteti ka një mekanizëm qeveritar, profesional të posaçëm për menaxhimin e siteve të trashëgimisë – që të mbikëqyrë kontraktorët.

Dhe sigurisht në një sistem të përshtatshëm dhe të ndershëm, një kontraktues i tillë do të zgjidhej pas një oferte të hapur. Por ky nuk është rasti as në Shqipëri, as në Butrint apo në ndonjë pjesë të planit të tij të ri të menaxhimit.

Ka kaq shumë shembuj në botë, saqë nuk duhet të ‘rishpikni rrotën’: nga NPS (National Park Service- Shërbimi i Parkut Kombëtar) i SHBA, deri te organizatat qeveritare në vende të vogla, më afër madhësisë së Shqipërisë, si Autoriteti i Parqeve Kombëtare të Izraelit apo dhe Autoritetet e Antikiteteve në Izrael.

Plani menaxherial i fundit për Butrintin i financuar nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin regjistruar në Shtetin e Delaware mbron se Siti i Trashëgimisë Kulturore i Butrintit duhet të menaxhohet nga një ndërrmarrje private. Është e qartë se përfitimi nga kjo mbrojtje do të ishte vetë Fondi. A mendoni se ka një konflikt të qartë interesi?

Sigurisht, nëse kjo ndërmarrje private ka ndonjë lloj marrëdhënieje me AADF (menaxheriale, financiare, ligjore etj.) ekziston një konflikt i madh dhe i dukshëm interesi.

Nëse Plani menaxherial parasheh që ky entitet privat është krijuar posaçërisht për menaxhimin e vetëm këtij siti dhe nëse ka të bëjë në një farë mënyre me përfshirjen e AADF apo disa prej drejtuesve të saj (përfshirë bordin), atëherë edhe nëse askush nuk fut para në xhep, ideja dhe sistemi janë të korruptuara. Për më tepër, kjo kurrë nuk do të inkurajojë krijimin e ekspertizës lokale dhe as të ndonjë organi kombëtar.

Rekomandime të tilla nuk mund të justifikohen, përveç nëse ekziston një provë që qeveria nuk dëshiron të menaxhojë dhe nuk dëshiron të krijojë një mekanizëm kombëtar për t’u ngarkuar me një menaxhim të këtij lloji.

Në mendimin tuaj, pse një sit i suksesshëm si Butrinti duhet të menaxhohet nga një ndërrmarrje e huaj private dhe jo nga shteti shqiptar?

Besoj se përgjigjen e kësaj e kam dhënë në pyetjen e mëparshme. Do të shtoja se arritja në këtë pikë mund të jetë burim i korrupsionit, fuqisë, agjendave politike dhe ekonomike – pra asgjëje që ka të bëjë me përfitimin e popullit dhe vendit. Më vjen keq ta them, por unë e konsideroj këtë si një lloj mikro-imperializmi.

Sigurisht, mund të gjenden justifikime dhe të thuhet se nuk ka ekspertizë të mjaftueshme në Shqipëri, se njerëzit janë dembelë, të korruptuar, nuk mund të mbahen nën kontroll etj. Dhe meqë qenka kështu, atëherë drejtimi nga një ent i huaj, privat është gjëja e duhur për tu bërë.

Në cilësinë tuaj si ish zyrtar i ICOMOS, a mendoni se ICOMOS dhe UNESCO duhet të flasin publikisht për këtë çështje?

Unë kam qenë TG (Tresurer General – Përgjegjës për Fondet) i ICOMOS, anëtar i Bordit Ekzekutiv të tij dhe nëpunësi ndërlidhës me UNESCO-n (Qendren Botërore për Trashëgiminë). UNESCO është e kufizuar në veprimet e saj, pasi ajo merr për bazë anëtarësimin e shteteve – një organizatë ndërqeveritare.

Nga ana tjetër, ICOMOS është një Organizatë Profesioniste Jo Qeveritare. Në këtë rast të veçantë, ata duhet të shprehen nëse mendojnë se menaxhmenti i sugjeruar për Butrintin mund të vendosë në rrezik sitin dhe vlerat e tij. Kur kemi të bëjmë me çështje lokale ende pa efekte në vlerat e sitit, ajo nuk mund të bëjë ose të thotë shumë – edhe nëse mendon se idetë fillestare janë të gabuara, të padrejta dhe madje të korruptuara.

Nisma duhet të ketë një efekt negativ në vlerat e sitit për të bërë legjitim një prononcim publik të ICOMOS për një çështje.

Neni 4 i Konventës së Parisit e bën të qartë se “detyra për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, ruajtjen, prezantimin dhe transmetimin brezave të ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore […] të vendosura në territorin e vet i përket shtetit”. Si mund të zbatohet kjo detyrë nga Shteti, nëse ai ia delegon këtë rol një pale private?

Mund të përfshijë gjithçka në kontratën me palën private, por duhet të ketë dëshmuar aftësinë e tij ligjore dhe profesionale për të mbikëqyrur dhe kontrolluar. Dhe këtu nuk është fjala vetëm sa nga shuma e të ardhurave shkon në llogarinë bankare të entit privat dhe sa i mbetet shtetit dhe komunitetet përreth.

Unë do ta shihja këtë si një mekanizëm efektiv vetëm nëse është i përkohshëm dhe me qëllimin për të krijuar dhe trajnuar grupe vendore me detyrën e menaxhimit të trashëgimisë. Pra, të përkohshëm, maksimumi 3 deri në 5 vjet me plan të qartë veprimi.

Si izraelit dhe si një nga ekspertët më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të këtij vendi, a mendoni se Izraeli do të lejonte një entitet të huaj privat të menaxhonte site të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit? Qoftë ai edhe amerikan?

Në asnjë mënyrë!! Për shumë e shumë arsye të forta! / DITA, shtator 2020

 * Prof  Giora Solar ka drejtuar projekte në site arkeologjike në vende te ndryshme  të botës, përfshirë Kinën, Kroacinë, Maltën, Bosnje-Hercegovinën, Turqinë, Sllovakinë, Shqipërinë, Amerikën dhe Izraelin.

Gjatë viteve 1988-1994 ai krijoi dhe drejtoi Departamentin e Autoritetit të Mbrojtjes së Antikitetit në Izrael. Në vitet 1995-2000 u transferua në SHBA për të krijuar dhe drejtuar Departamentin e Projekteve në Terren të Qendrës Getty një prej institucioneve më të famshme në botë.

Në CV-në e tij të pasur përfshihen Fortifikimet Antike  te Jeruzalemit, gërmimet në Tel Dan, Qyteti i Davidit, Ashkelon, Beit Shean, gërmimi dhe restaurimi i banjës romake të Hamat Gader, rindërtimi i teatrit romak në Shuni, planifikimi për vizita i kompleksit të fshehjes së H. Chazan, ruajtja e Parqeve Kombëtare (Q. Nimrod, Kadesh Naftali, burimet e nxehta të Tiberias, Korazin, Kalaja e Kryqtarëve Belvoir dhe Ashkelon), komplekset e fshehura pranë Beit Govrin e kështu me rradhë, ndërtesa e parë e Knesset (parlamentit), ndërtesa e Kryeministrisë në Tel Aviv, Qendra e Vizitorëve në Sarona , Shtëpia e Presidentit në Jeruzalem etj. Ai është diplomuar në Technion, në Haifa, për Arkitekturë dhe Urbanistikë si dhe në ICCROM, Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Ruajtjes dhe Restaurimit të Pasurisë Kulturore në Romë. 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull