Kurse ministrja polake e Mjedisit dhe e Klimës Anna Moskwa shkroi në Twitter se “në shtëpitë polake nuk do të ketë mungesë gazi” dhe se “që në ditën e parë të luftës ne deklaruam se jemi gati për pavarësi të plotë nga lëndët e para ruse”.
Edhe kompania polake e gazit natyror PGNiG konfirmoi gjithashtu se që nga e mërkura, Gazpromi nuk do të dërgojë më gaz në Poloni nëpërmjet tubacionit të gazit Yamal. PGNiG tha në një deklaratë se ishte duke ndjekur situatën dhe është e përgatitur të marrë gaz nga lidhje të tjera falë një “strategjie qeveritare të diversifikimit” të burimeve.
Rusia do të shkurtojë edhe furnizimet për Bullgarinë
Qeveria bullgare njoftoi gjithashtu se pasi nuk ajo nuk kishte pranuar të përmbushë kërkesat e reja të Gazpromit që pagesat të bëhen në rubla, Gazpromi kishte deklaruar se duke filluar nga e mërkura do të ndërpresë furnizimet e gazit edhe për Bullgarinë.
“Sot, Bulgargas (kompania shtetërore e gazit) mori njoftimin se furnizimet e Gazprom Export do të pezullohen nga 27 prilli 2022”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Ekonomisë të Bullarisë.
Bullgaria është pothuajse plotësisht e varur nga Rusia sa i përket gazit. Kompania Bulgargaz tha në një deklaratë se “i ka përmbushur plotësisht detyrimet e saj dhe i ka bërë të gjitha pagesat e kërkuara sipas kontratës aktuale në kohën e duhur, në mënyrë rigoroze dhe në përputhje me kushtet e saj”.
Pasi vendet perëndimore vendosën një sërë sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, Kremlini paralajmëroi se do të ndërpresë furnizimet me gaz nëse këto vende nuk paguanin në rubla.
Polonia dhe vendet e tjera të BE-së refuzuan të paguajnë për importimin e gazit natyror në rubla, gjë me të cilën Rusia po mundohet të stabilizojë monedhën e saj përballë sanksioneve perëndimore. Udhëheqësit evropianë e konsiderojnë kërkesën për pagesat në rubla si një shkelje të kontratave ekzistuese me Gazpromin./DW