‘-Një i panjohur në Himarë…

17 Minuta Lexim
-Nga Avis Gjyshja
…………………
– Mua, mbase ndryshe nga shumica e atyre që kanë pasur rast të vizitojnë Ishujt Faroe, më ka ngelur në mëndje legjenda e Kopakonan, gruas fokë dhe monumenti i saj në ca shkëmbinj të vetmuar në njërin prej atyre ishujve…
Para ca ditësh kishja parë dhe fotot e njërës prej shumë statujave të Neptunit nëpër botë. Ishin të asaj që është vendosur mbi një platformë në brëndësi të ujrave të plazhit Melenara, në Las Palmas të Gran Canaria, njëri nga ishujt spanjollë që ne shqiptarët i njohim me emrin Ishujt Kanarie.
E dija dhe ishte e panevojshme të pyesja se çfarë donte ajo statujë atje në atë ishull të largët të cilin nuk e lidhte asgjë me mitologjitë greke e romake.
..E marr me mënd që shumë nga ju, për arsye të thjeshta, nuk kanë pasur rast të shohin se sa i bukur është Vancouveri i Kanadasë. Përveç të tjerave ky qytet i madh duket i afërt tek unë edhe si vëndlindja e albanologut të shquar Robert Elsie. Nuk të del as edhe një muaj që t’ja shohësh të gjitha bukuritë, e megjithatë gjatë vizitës time atje, mësova se pothuaj të gjitha guidat turistike nxitonin ti çonin eskursionistët e grupeve të tyre edhe në Stanley Park ku midis të tjerave ju tregonin me mburrje edhe për një statujë vajze që quhej “Girl in a wetsuit” (Vajza me kostum banjoje). E kishin vënë mbi një shkëmb, i cili në varësi të baticë – zbaticave zhytej e dilte mbi ujrat e atij gjiri që kishte të njëjtin emër me qytetin e madh. Mu duk, por dhe duhej të ishte, një kopje pak e ndryshuar e “The Little Mermaid”, ideja e realizimit të së cilës është bazuar në përrallën me të njëjtin titull të Hans Christian Andersen dhe që danezët me të drejtë e tërë krenari, e kanë vendosur mbi një shkëmb graniti, në buzë të ujit, në Kopenhagen të Danimarkës, atje ku edhe i takon të jetë.
…Kohët e fundit unë kam pasur kënaqësinë e dhimbëshme të lexoja nga Robert Elsie një publikim në anglisht, bazuar në shënimet e François Pouqueville me titull “Voyage along the Coast of Albania and Epirus, from Ragusa to Port Palermo”. I nxitur nga çfarë gjeta atje kërkova dhe lexova dhe të tjerë autorë të vjetër. Lexova histori që vlejnë të studiohen dhe të përdoren nga historianë të vërtetë dhe jo nga jo profesionistë si puna ime.
Jo larg në të shkuarën, unë kishja lexuar “Himara – princeshë e gjenezave të mugëta”, një copëz të shkëlqyer nga i ndjeri Moikom Zeqo. Midis të tjerash ai thosh se kishte në kokë idenë e një skulpture vigane e impresionuese të “Vajzës së Valëve” që ngjajshëm me shëmbujt e mij të mësipërm, të vendosej mbi një platformë diku në hyrje të gjiut të Spilesë në Himarën e sotme. E desha idenë e tij sepse edhe unë me sytë e mëndjes, gjithmonë kishja ëndërruar në hyrje të gjiut të Spilesë për diçka të tillë të ngjajshme. Kish raste që kjo fantazi shkonte deri në kufijtë e të pamundurës e më barazohej edhe me gjigandin e Rodit. Pastaj “Vajza e Valëve”, si pasojë e emigrimit historik e të papushuar të burrave të Bregut të Detit, ishte aq tipike për këtë vend, sa vështirë të gjeje një grua të kësaj ane, pa të njëjtin hall e të njëjtën dhimbje me “Vajzën” e këngës.
… Tani Moikomi nuk është më dhe për fat të keq edhe Lefter Çipën me të cilin flisja në ato kohëra për këngët e Bregut, të gjallët e çuan dhe e varrosën atje ku sipas Strabonit ishte varrosur dhe Zeusi pellazg, në Malet Keraune që dalin mbi retë.
Ndërsa Robert Elsie, si një shenjë të fundit të dashurisë së tij për vëndin tim, kërkoi që të varrosej po në ca male të tjera të larta shqiptare, por ca më tutje, në veri të Himarës.
………………………..
..Herën e fundit që vajta në Himarë, ndodhi që të kthehesha nga Delfi antik.
Gjatë gjithë rrugës nuk më qe ndarë nga mëndja Orakulli i Delfit, Pitia e famshme e Greqisë së Lashtë. Në Delfi, sipas mitit, perëndia Apollon kishte vrarë Pitonin, dragoin që mbante peng qëndrën e Tokës, e cila qe përcaktuar nga dy shqiponjat që Zeusi lëshoi prej majës së Olimpit. Dhe Pitia që i shërbente Apollonit parashihte të ardhmen. Njerëzit e asaj kohe dyndeshin në Delfi për të marrë një përgjigje apo për të parë një shenjë që mund t’ju tregonte diçka për fatin që i priste…
Dhe gjithë kohën që dëgjoja guidën tim kur ecnim midis atyre mbetjeve arkeologjike, mua më mundonte parreshtur pyetja se përse ne shqiptarët i vrasim e i përndjekim orakujt tanë…
…Ishte fund vjeshte. Nga Delfi drejt e në Bregun e Detit. Dhe i pari që do kalosh pak pa mbërritur në Himarë është gjiu i Palermos…
Kepat e Kavadonit dhe të Panormës, po njëlloj të ngrysur e indiferentë, siç edhe kishin qenë gjatë qindra miliona vjetëve të jetës së tyre, vazhdonin të mbanin hapur hyrjen e gjiut të vjetër të Palermos. Dukej se atyre nuk ju interesonte dhe as nuk ju kish interesuar kurrë se kush ishin Ptolemeu apo Straboni që e kishin vizituar dikur atë gji, as se kush ishte Ali Pasha dhe as që na kishin vënë re ne të tjerëve tani nga fundi që hiqeshim si më të fortët e botës e që thonim se ju kishim shpallur luftë të gjithëve…
Qielli i asaj dite ishte gri e pa përmasa, deti më i zi se kurrë, ndërsa heshtja, degradimi e braktisja të shtypnin e të trishtonin. Në lindje, lart mbi kaktuset tërë gjëmba të prura s’dihet se prej nga cila shkretëtirë e botës, vetmonin Gjemi dhe Vërrija – dy maja, po njëlloj, me pamje e emra shkretëtire që mbyllnin fundin e vargmalit të Kerauneve.
Sipas Strabonit dhe historianëve të tjerë të lashtësisë, miti i Zeusit të këtyre maleve, ishte më i vjetër se ai i Zeusit të Olimpit dhe se edhe rrufetë e këtij të fundit, erdhën nga Malet e Vetëtimave që ishte emri shqip i Kerauneve. Por Zeusi pellazg i Kerauneve ishte i vdekshëm dhe sipas Strabonit, ai u varros në një vend të lartë, me borë, akuj e pyje lisash, diku këtu në këto maja prej ku në të gjallë të tij qëllonte me rrufe mbi prapësitë e kësaj bote.
Nga ana tjetër sipas disa studiuesve të Homerit, Keraunet, ishin vendi ku Odisea takoi Aornosin i cili e ndihmoi të futej në botën e të vdekurve për të pyetur Tiresian e verbër, magjistarin e Hadit, për fatin e tij të ardhëshëm në rrugën drejt Itakës…
Ndërsa për pjesën më veriore të këtij vargmali, të gjithë janë dakort se atje janë akoma gjurmët e betejave midis Pompeut e Qezarit……
…………….
..Qëndrova atje ku dukej se qëndronin të gjithë -në rrugën në lindje të ish bazës së nëndetëseve. Nuk kishte ndonjë pllakë përkujtimore apo shpjeguese, nuk kishja parë të tilla as tek kalaja, historia e së cilës thuhet se është më e vjetër se sa flitet rëndom dhe as tek kisha e Shën Nikollës që shumë e quajnë kisha e Vasiliqisë. Veç mbetje ndotëse e shishe plastike të hedhura gjithandej dhe disa lopë brinjëdala e të pa zot që të shihnin si të shastisura e gjithë frikë me sytë e tyre të mëdhenj.
– Pse kështu?! – pyeta vehten dhe kujtova kandilaqet e shumta përkujtimore në rrugën nga erdha. Edhe varreve ju vihet një gur për shenjë ku minimalisht shënohet emri i të vdekurit.
Mbi rrugë, në lindje të kalasë ca ndërtime të pista e të shëmtuara. Ndërsa në gjirin e Armëridhës gryka bosh e tunelit, dukej si zgavrat e syve të nxjerrë të Lavrentiy Berias, ideatorit të bazës së Ballaklavasë në Krimenë e Detit të Zi, kopje e së cilës ishte dhe Baza jonë e Palermos. Çatitë me serë të ish objekteve ushtarake, muret e dala boje e pa dritare, mjetet e armatimet e ndryshkura e të degraduara dhe rrugët e dikurshme që ishin pushtuar nga ferrat e drizat ngjallnin trishtim por me siguri edhe kureshtje tek njerëzit që s’kish kush t’ju shpjegonte gjë.
Mendoja për qindra e mijëra histori të vogla e të mëdha, të njohura e të panjohura që mbushnin jetët e atyre që dikur ecnin atje, mendoja dhe për ëndërrat e dhimbjet që ata mbartnin në shpirtrat e tyre.
Tani, njëlloj si era që askush nuk e di se ku ka shkuar, kanë ikur të gjithë.
Kujtova dhe futjen time të fundit në atë tunel…
Kujtova errësirën, heshtjen e thellë të tij dhe aromën tipike të mykut e ndryshkut, kujtova frikën e përherëshme që kishja dhe kam akoma prej guvave të errta, jehonën e hapave të mija që kthehej nga muret. Kujtova plaq – pliqet anonime të pikave të ujit që binin nga tavanet e larta mbi sipërfaqen e errët të ujrave të tunelit kryesor e që mekeshin duke ikur dridhëshëm nëpër cepat e largëta të asaj shpelle të çuditëshme. Kujtova dhe atë ftohtësinë ngjethëse në fund shpinë kur më dukej sikur hijet e shpirtërave të atyre që kishin hapur atë shpellë, më shihnin e më ndiqnin tufë e pa zhurmë nga mbrapa ndërsa në sekondë sa ktheja kokën më dukej sikur ato shtyheshin e fshiheshin nëpër llagëmet anash tunelit…Kujtoj, edhe se si papritur në atë shpellë të errët ku flinin klithmat e dhëmbjeve të atyre që e hapën, mu duk se e kuptova se përse njerëzit kanë menduar për mijra vjet papushim se Homeri ishte i verbër.
I kam kujtuar edhe më vonë hijet e atij tuneli, i kujtoj edhe sot, dhe nganjëherë më duket sikur midis tyre ka ngelur dhe hija ime e rinisë….
E vetmja qënje njerëzore që pashë në ato pak çaste që qëndrova atje, ishte një bari i dobët si një shkop i thatë e i hollë thane i cili si një hije paranormale ndiqte një tufëz dhish gjysëm të rjepura që vraponin nëpër gjëmbaçët e asaj bimësie të tharë prej kohësh.
E pyeta nëse kishte parë njerëz të merreshin me objektet aty poshtë.
-Nuk di –tha, dhe vrapoi pa e kthyer as kokën të më shihte. Nuk e di por mu duk sikur në vënd të syve kish vetëm gropa bosh. Mbase ishin hijet e Berias që vinin vërdallë bëmave të tij..
…….
Nga kujtimet e mija të kohës së fëmijërisë, kam në kujtesë legjendën e një zogu të egër, pak më i madh se një harabel misri, i kaftë në të artë, me një çafkë në majë të kokës e që zhgërryhej pluhurave të rrugëve. Legjenda thoshte se ai ishte një zog i shejtë dhe se kish shpëtuar njeriun kur vraponte për ti ikur kuçedrës që e ndiqte për ta ngrënë. Njeriu vraponte për të shpëtuar ndërsa zogu pas tij shgërryhej e i fshinte gjurmët që ai linte nëpër rrugët me pluhur.
Ndryshe nga zogu i shejtë i legjendës, që fshinte gjurmët e një krijese tjetër, Shqipëria, kushedi se që kur e nuk dihet se prej çfarë mëkati në histori, vuan mallkimin e përjetëshëm që të fshijë pa u ndalur gjurmët e vetëvehtes nëpër rrugë e kohëra. Ndoshta nga kjo arsye, sot pothuajse është vetëm gjuha, shtylla e pa korruptueshme ku mbahemi ndërkohë që shumica e historisë sonë të hershme është e mbështjellë me mjergull dhe vuan për prova të tjera të ekzistencës…
Unë e doja dhe e dua Bregun e Detit…
Në Himarën e para 30 vjetëve kishja shumë shokë të mirë për të cilët më merr malli akoma dhe po atje kishja dhe kumbarët që kishin pagëzuar fëmijët e mij. Por kur zbrita këtë radhë në Spile, pashë që nuk më njohu kush dhe as unë nuk njoha më njeri. Kalova poshtë ballkonit të ish shtëpisë time dhe mu duk se atje ishte akoma teli i dikurshëm ku varnim rrobat për ti tharë, eca më tutje, pashë dhe vëndet ku luante shah barba Miço i këngës himariote, pashë Shpellën e Spilesë e cila më kujtoi se në faqen e Bashkisë së Himarës ishte shkruar se ajo ishte shpella e Cikllopit të “Odisesë” së Homerit, por nuk pashë asnjë tabelë apo pllakë që të shkruante diçka për këtë gjë aty. Kishja lexuar se pothuaj njëlloj pretendojnë edhe të gjithë vëndet e tjera të Mesdheut për shpellat e tyre dhe mu qesh e thashë se të gjithë kanë të drejtë……
Jeta ecën dhe që prej kohërave kur unë jetoja në këto vise ka rrjedhur shumë ujë e njerëzit kanë ndryshuar…
Por e vetmja gjë që duket se nuk ndryshon kurrë e vjen vërdallë parreshtur është lubia e harresës që vazhdon të hajë pa u ngopur asnjëherë histori e kohëra të shkuara.
Pavarësisht të gjithave, unë prap vazhdoj dhe ëndërroj, për një statujë të “Vajzës së Valëve” dhe për ca pllaka përkujtimore të cilat e di se ajo shtriga e harresës i ka frikë dhe nuk ju afrohet..
Ndërsa mbi hyrjen e tunelit të Palermos, po të më pyesnin mua, do t’ju thoja që të gdhëndin në shqip aforizmën greke “γνωθι σεαυτoν” të cilën priftërijtë e lashtë të Delfit e kishin gdhëndur në hyrjen e tempullit të tyre dhe që do të thotë “njihni vetëvehten!”!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull