Përurohet në ASH “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”

5 Minuta Lexim


Gjatë ditës së djeshme, në kuadër të promovimeve të veprave shkencore në panairin e Librit Shkencor në Akademinë e Shkencave, u përurua “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i akad. Gjovalin Shkurtaj. Botimi u paraqit nga prof. dr. Valter Memishaj dhe dr. Tonin Çobani.

Në fjalën e tij, Akad. Shaban Sinani, Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave e veçon këtë botim të Akademisë së Shkencave si një vepër që na bën të mburremi, pasi, sipas tij, ai është një “rezervat” e jo një Fjalor, është një enciklopedi kulturore. Është një nderim për Malësinë e Madhe dhe studiuesi ka krijuar një model se si një studiues duhet të nderojë vendin e tij të lindjes. Profesori në këtë vepër ka ofruar të dhëna historike, të dhëna krahasuese, etimologjike por mbi të gjitha ka ofruar një fond fjalësh, frazeologjish, që, sot, gjithnjë e më shumë janë të ngurtësuara dhe po qe se nuk gjenden në kontekstin e duhur, brezi i ri nuk arrin t’i kuptojë. Këtu e kam fjalën për ato që quhen formula: formulat e urimit, të cilat këtu janë mahnitëse e janë një pasuri, po kështu, formulat e bekimit, të ngushëllimit, të mallkimit po ashtu, tha akad. Sinani.

“Sot, kemi në tryezat tona të punës një Fjalor të një krahine, Malësisë së Madhe, që prej shumë studiuesve është përcaktuar si një trevë me një të folme të vetme, më pak të ndikuar prej fjalëve dhe frazeologjive të huaja, tha në fjalën e tij, studiuesi dr. Tonin Çobani.

“Akademik Gjovalin Shkurtaj, i njohur gjerësisht si socio-linguist, etno-linguist, dialektolog, si titullar lënde e mësimdhënës akademik i disa disiplinave gjuhësore, nuk erdhi rastësisht tek Fjalori që përurojmë sot, u shpreh prof. Valter Memisha, zëvendësrektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike. Sipas tij, Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe vjen e pasuron fondin e leksikografisë dialektore shqipe. Autori ka arritur të përfshijë sa më shumë fjalë që i shërbejnë njohjes së pasurisë gjuhësore materiale e shpirtërore të banorëve të Malësisë së Madhe, të njërës nga krahinat më tipike të Shqipërisë.

Fjalori vlerësohet për ndërtimin e brendshëm shkencor të zërave leksikorë, për përpunimin e formësimin bashkëkohor e të lëvdueshëm edhe nga ana strukturore.

Prof. Artur Lama, drejtor i Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, shprehu gjithashtu vlerësimet mbi këtë fjalor duke e quajtur një dëshmi konkrete të punës së palodhur të një etnolinguisti të zëshëm, që njeh mirë rregullat e doket psikologjike, sociolinguistike e kulturore të një treve që identifikohet me togfjalëshin Malësi e Madhe.
Ky përurim u përshëndet e u vlerësua edhe nga kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe, z. Tonin Vukaj e të tjerë të pranishëm, kolegë e bashkëpunëtorë të akad. Shkurtaj, i cili e u mbyll këtë veprimtari me falenderimet e tij të shumta.

Ndësa akad. Gjovalin Shkurtaj pasi falënderoi akademikët dhe studiuesit për vlerësimin e “Fjalorit” tha se ju siguroj se, edhe në Fjalorin tim ka shumë mundim e lodhje, ka shumë fjalë e mënyra të thëni që besoj se do ta pasurojnë njohjen e leksikut e të frazeologjisë shqipe dhe, mbi të gjitha, ka shumë dashuri e adhurim për Malësinë e Madhe “Nderi i Kombit”. Si bir modest e i përvujtë i saj, ashtu si emnaku i nderuar i anëve tona, Dom Gjoni i Bdek Buzukut, që pat thënë se e shkroi librin e tij “ën së dashunit botës sanë”, edhe unë, në krejt sa kam mbledhur, shkruar e botuar, para këtij Fjalori dhe në faqet e tij, kam shkuar sipas hullisë Buzukiane “deshta me u fëdigun, për sa mujta me ditun…” që e folmja, fjalët dhe urtësia e Malësisë sonë të Madhe të marrin shkëlzimin e njohjen që meritojnë, i bindur se shqipja jonë kaq e pasur, vazhdon të freskohet e pasurohet me burimet e pashtershme të dialekteve të saj.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull