Elisabeta Imeraj, një nga prokuroret më të njohura në sistemin e drejtësisë për shkak të “dosjeve big” që ka hetuar, do të njihet sot me vendimin final të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Në orën 15.00, do të mësohet nëse ajo të të jetë pjesë e drejtësisë, apo do të shkarkohet.
KPA ka zhvilluar disa seanca të gjata për Elisabeta Imerajn, për shkak të disa skandaleve që kanë ndodhur gjatë procesit të vettingut ku është përfshirë dhe përfaqësuesi ndërkombëtar Theo Jacobs. Gruaja “e hekurt” e akuzës së Tiranës i rrëzoi me prova gjatë procesit të rivlerësimit.
Imeraj ka hetuar dosje të mëdha të grupeve kriminale dhe atyre terroriste në vend, ndërsa njihet dhe si e vetmja prokurore që në 30 vjet thirri për herë të parë për të dëshmuar ish-kryeministrin Sali Berisha, pas ngjarjeve të 8 janarit në selinë e PD.
Ajo ka kërkuar konfirmimin në detyrë pasi ka rrëzuar të gjitha akuzat ndaj saj, si dhe ka provuar se disa nga dokumentet që ishin paraqitur në proces kundër Kryeprokurores së Tiranës ishin të falsifikuara. Një tjetër skandal i organeve të vettingut.
Më 12 prill, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të rihapë hetimin administrativ ndaj prokurores Elisabeta Imeraj, duke përjashtuar nga roli i dëshmitarit përfaqësuesin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs. Ky vendim u mor pasi Imeraj parashtroi provat e saj dhe pretendimet për parregullsi në procesin e apelimit.