Trinomi qeveri-opozitë-popull dhe aventura ime e vitit 1997

1 Minuta Lexim

Nga Ermal HASIMJA –

Ky trinomi qeveri-opozitë-popull më kujton një aventurë timen në 1997. Me dy gazetarë francezë po ndiqnim trazirat e marsit dhe diku afër Mamurrasit na kërcen befas para makinës sonë një cub vendor me kallash në dorë që na kërcënoi për të na marrë paratë. Dolëm nga makina me duart lart pa pikë dinjiteti.

Kishim me vete një garip tjetër vendor që na ishte ofruar si mbrojtës. Edhe ky me kallash. Grabitësi na drejtonte kallashin për të na rrjepur, kurse “trimi ynë” qëndronte pas nesh dhe i kishte drejtuar kallashin e tij grabitësit. Ne ishim në mes dy kallashëve.

Donim t’i jepnim lekët grabitësit që të shpëtonim kokat tona që në ato ditë nuk vlerësoheshin dhe aq shumë në bursën shqiptare, por nuk na linte “trimi ynë” që kërcënonte grabitësin duke i sqaruar se po të na merrte lekët neve ai vetë do të mbetej pa pagesë.
Elementët e analogjisë mund t’i lidhni vetë tani. Unë i shoh shumë të ndërkëmbyeshëm si role.

Si shkoi ngjarja! Grabitësi dikur u lodh dhe iku duke sharë. “Trimi ynë” na mori dyfishin e tarifës për të cilën kishim rënë dakord meqë na kishte “mbrojtur”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull