Nga Albano ZHAPAJ-
Ajo çka doli zbuluar nga rankimi i universiteteve, ku vetë Tirana renditej e fundit, do mjaftone që të turpërohej gjithë bota serioze akademike.
Prej vitesh e kishim paralajmëruar dështimin e universiteteve publike, dhe nuk është se na gjeti të papregatitur. Kapja e universitetit publik nga pushteti dhe keqmenaxhimi i tyre, sollën pasojat që po shikojmë; praktikisht jemi të fundit në rajon. Turp për faqe të zezë.
Universiteti publik nuk po funksionon më për dijen dhe studentët, por për oligarkët akademikë të arsimit, rektorë, dekanë, shefa departamentesh, e pedagogë të rekrutuar nga radhët e administratorëve publikë të dështuar, të cilët partia shtet i rehabiliton duke i punësuar në universitet.
Jo më kot zgjedhjet e para dy viteve për autoritetet drejtuese në universitete, u bënë në shkelje të ligjit, pa studentë, në fund të korrikut dhe në kohë pandemie, identike si zgjedhjet lokale të cilat u bënë pa opozitën.
Pamë rektorë që konkurruan kundër vetvetes, pa kundërshtarë, fitues me 80 apo 90 % të votave, ku pas çdo votimi pedagogë të shumtë duhet të dërgonin në whatsap-et e rektorëve votën e forografuar, si tregues besnikërie ndaj eprorit.
Rankimi i fundit i universiteteve, vërteton më së miri se universitetet publikë shqiptarë nuk janë realisht në duart e profesorëve dhe akademikëve, por të atyre pseudo, të cilët në karrierën e tyre aktuale, përveç se nuk dallohen për artikuj të mirëfilltë shkencorë, as në të kaluarën e tyre akademike nuk kanë rezultuar profesorë o menaxherë të mirë.
Universiteti publik nga vatër dijesh është shndërruar në vatër tenderash dhe punësimesh nepotike. Me administratorë e borde drejtuese që ngjajnë me bordet qeveritare të çmimeve, ku lidhjen e vetme që kanë me universiretin, në rastin më të mirë sepse janë diplomuar aty, dhe në rastin më të keq sepse emrin e universitetit e kanë lexuar në hyrje të tij.
Universiteti publik nga vatër shkencore është kthyer në vatër qokash për pushtetarë, gjyqtarë, prokurorë dhe kryetarë bashkish, si nga aspekti i punësimeve të familjarëve të tyre, ashtu edhe nga aspekti i promovimit të tyre me tituj akademikë.
De facto kemi universitete publike të kapur nga oligarkë akademikë, të cilët bëjnë rotacion me njëri tjetrin, përfundojnë mandatet si rektorë dhe bëhen dekanë, dhe nga dekanë bëhen përsëri rektorë.
Janë pikërisht disa nga këta rotacionues kronikë dekadash, që mbajnë mbi supe turpin dhe përgjegjësinë e shkatërrimit të arsimit të lartë shqiptar dhe në veçanti të universiteteve publikë.
Autoritetet drejtuese në universitet tona publike nga mbështetëse të interesave të studentëve që duhej të ishin, janë kthyer në mbështetës komodë të politikave dështuese të qeverisë, pa u bërë kurrë oponencë shkencore e duke i pranuar e zbatuar ato në heshtje.
Modeli diktatorial qeveritar i mazhorancës aktuale është bërë model edhe për qeverisjen e universiteteve; vëmendje kanë tenderat, arredimi i zyrave, shpërblimet, pagesat për konsulenca, udhëtimet dhe shërbimet për anëtarët e bordeve, mbingopja e personelit teknik me specialistë e patronazhistë që dikton partia shtet.
Është gjithmonë në rënie numri i pedagogëve që shprehen publikisht, që analizojnë apo kritikojnë politikat e dështuara, ashtu si është në rritje numri i pedagogëve që kanë mësuar të heshtin, që nuk kanë mësuar dot të artikulojnë një ide, një mendim, apo një analizë sociale, se ato shkencore i pamë në rankim.
Mjafton të bësh një analizë të punësimeve të dy viteve të fundit, vëren se në kulmin e pandemisë, me auditorë pa studentë, janë kryer punësime për personel akademik dhe administrativ, më tepër se në vitet 2012-2013 ku auditorët kishin dyfishin e studentëve që kanë sot.
Për këto arsye, e të tjera, nuk kishte si të ndodhte ndryshe e të mos renditeshin të fundit në rajon. Personalisht, me këtë qeverisje që ka vendi e me këta dejtues universitetesh, nuk shikoj asnjë dritë jeshile që në rankimet e ardhshme të dalim dot më mirë se kaq. Në rastin më të mirë do rreshtohemi në fund të universiteteve të vendeve më të varfra të Afrikës.
P.s: Na mbetet të ngushëllohemi me faktin që rektorët e universiteteve tona publike kanë zyra e makina më të bukura e më shtrenjta se të rektorëve të universiteteve të rajonit.