Është finalizuar me sukses operacioni i katërt për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që gjendeshin në kampet e luftës në Siri. 4 gra dhe 9 fëmijë ndërmjet moshës 6 e 16 vjeç nga Shqipëria mbërritën në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës bashkë me shtetas të tjerë kosovarë që u larguan nga kampet e ferrit. Ata u pritën nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bashkë me homologun e tij kosovar, Xhelal Sveçla, drejtuesit e policisë së të dy vendeve, Gledis Nano e Samedin Mehmeti, si dhe drejtoresha e Qendrës CVE, Lejdi Dervishi.
Operacioni i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga ish zonat e konfliktit në Siri dhe Irak u krye në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh Shqipëri-Kosovë dhe me mbështetjen e partnerëve tanë të vyer të SHBA-ve nëpermjet edhe koordinimit me selitë e tyre diplomatike në Prishtinë dhe Tiranë.
Ministri Çuçi falënderoi në mënyrë të veçantë partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për investimin e tyre të jashtëzakonshëm që ky operacion të realizohej me sukses, si dhe theksoi që do të vijojë puna për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të tjerë që kanë mbetur ende në Siri, duke u bazuar gjithashtu në listat e hartuara më herët me partnerët libanezë, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin tonë diplomatik në rajon, Marc Ghorayeb.
“Ky është operacioni i katërt që zhvillojmë. Gjithsej bëhen 43 gra dhe fëmijë që tashmë do të jenë në gjirin e familjeve të tyre. Felënderoj këtu partnerët tanë strategjikë që na mundësuan këtë operacion, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët organizuam në mënyrë perfekte çdo detaj të këtij operacioni. Dua të siguroj të gjithë shqiptarët që ne mbetemi të vendosur për të kthyer nga këto kampe çdo shqiptar që ka mbetur aty, çdo fëmijë dhe çdo grua. Kemi statistika të sakta të bëra nga tre operacionet e para, të cilat i kemi gjithashtu me partnerë shumë të rëndësishëm të rajonit atje, me partnerët tanë libanezë të koordinimit të shkëlqyer, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin tonë diplomatik në Liban, Marc Ghorayeb. Me të gjitha këto lista të cilat do t’i përditësojmë akoma më tepër do të bëjmë të mundur të kthejmë çdo shqiptar që ka mbetur në këto kampe”, tha ministri Çuçi.
Në vijim ai shtoi se edhe 13 të riatdhesuarit e këtij operacioni do të riintegrohen sipas një modeli tashmë të konsoliduar pranë një strukture të specializuar “Qendër Pritëse” e ngritur enkas me VKM e cila operon me staf multidisiplinar të trajnuar profesionalisht dhe me pervojë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, teksa konfirmoi gjithashtu vijimin e punës për riatdhesime të tjera, tha se tashmë institucionet tona kanë përgjegjësinë për rehabilitimin e këtyre shtetasve dhe integrimin e tyre të plotë.
“Puna jonë nuk përfundon këtu. Ekipet tona tashmë kanë shumë punë që këta bashkëkombas tanë të kthyer të rehabilitohen. Ata që janë të ndikuar të deradikalizohen në mënyrë që të bëhen pjesë e shoqërisë sonë e posaçërisht fëmijët të cilët në asnjë rast nuk janë fajtorë për situatën në të cilën ndodhen. Jemi të bindur se institucionet tona do të bëjnë maksimumin që rehabilitimi i tyre të jetë sa më i shpejtë. Me këtë t’i afrohemi fundit të një episodi vërtet të dhimbshëm të shoqërive tona”, tha Sveçla.
Në përfundim të kontrolleve mjekësore paraprake 13 gratë dhe fëmijët e riatdhesuar nisën të transferohen nga aeroporti i Prishtinës drejt Shqipërisë nën shoqërimin e Policisë së Shtetit.