Fundi i naivitetit: Si NATO duhet ta forcojë mbrojtjen e Balltikut

7 Minuta Lexim

Nga Gabrielius LANDSBERGIS- 

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, vendet baltike kanë bërë thirrje për rritjen e kapacitetit mbrojtës në rajon, një kapacitet që duhet t’i përshtatet rrethanave të krijuara nga Federata Ruse. Ndërsa tani duket se ka një vetëdijësim në rritje, se agresioni i Moskës e ka ndryshuar rendin e sigurisë, dhe se qëndrimi i NATO-s duhet të përshtatet në përputhje me rrethanat e reja, nuk janë marrë ende vendime përfundimtare përpara takimit të aleancës në Madrid në muajin qershor, ku liderët të vendosin se çfarë duhet të bërë konkretisht në krahun lindor të NATO-s.

Megjithatë, deri në samitin e Madrid, ka ende disa shqetësime dhe dobësi që nuk janë adresuar, dhe të cilat vendet baltike do të donin që të merreshin parasysh. Edhe pse Rusia tregoi qëllimet e veta agresive me luftërat e saj të shkurtra në vitet 2008 dhe 2014, shumë ekspertë dhe politikanë nuk arritën që ta pranonin sesa larg ishte gati të shkonte presidenti Vladimir Putin, për të përmbushur vizionin e tij imperialist.

Por lufta e re kundër Ukrainës, i ka dhënë fund qasjeve të tilla naive. Regjimi në Rusi është qartësisht i gatshëm dhe i vullnetshëm të nisë një luftë konvencionale të paprovokuar dhe gjithëpërfshirëse kundër fqinjëve të saj, pavarësisht humbjeve të mëdha në fushën e betejës, dhe sanksioneve shkatërruese kundër ekonomisë së saj.

Lufta aktuale mund të zgjasë për një kohë të gjatë, dhe regjimi aktual rus mund të mbijetojë akoma më gjatë. Me kalimin e kohës, Moska do të rikuperojë humbjet e saj, do të rindërtojë grupet e saj të betejës, do të riparojë dhe rivendosë në gjendje lufte pajisjet e saj ushtarake.

Kjo do të thotë se për sa kohë që regjim agresiv putinist vazhdon të jetë në këmbë, kërcënimi që ai paraqet do të mbetet, dhe do të duhet të adresohet nga NATO. Pjesa veriore e krahut lindor të NATO-s – fronti lindor – ka disa dobësi të brendshme, të cilat nuk mund të trajtohen lehtësisht nga vetë vendet anëtare.

Pasi lejoi që territori i saj të përdoret në aktivitete luftarake, Bjellorusia është bërë bashkëpunëtore e Rusisë në këtë luftë. Përfshirja e saj e ka ndryshuar situatën në pjesën veriore të krahut lindor të NATO-s, pra për Letoninë, Lituaninë, Estoninë dhe Poloninë.

Kjo sepse trupat ruse janë stacionuar aktualisht në Bjellorusi, dhe ndoshta do të mbeten në kufi me NATO-n.

Një nga dobësitë kryesore në këtë rajon, është i ashtuquajturi Korridori Suvałki, një zonë e ngushtë midis Lituanisë dhe Polonisë, e rrethuar nga Bjellorusia dhe territori rus i Kaliningradit. Nëse territori baltik sulmohet nga Rusia, apo nëse kontestohet përkatësia e Detit Baltik, Korridori Suvałki është linja strategjike e furnizimit aleat për Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë.

Por edhe për Finlandën, nëse i bashkohet NATO-s. Këto dobësi nuk mund ndreqen me lehtësi dhe ndërsa po bëjnë vetë shumë gjëra, vendet baltike duan që të arrihet një vendim politik, për të garantuar se në rastin e një sulmi, këto territore do të mbrohen siç duhet, dhe njëlloj si çdo pjesë tjetër e territori të aleancës.

Fatmirësisht, presidenti amerikan dhe udhëheqësit e disa vendeve të tjera të NATO-s e kanë trajtuar këtë shqetësim me përkushtimin se “do të mbrohet çdo pëllëmbë e territorit të NATO-s”, duke ofruar veç premtimit edhe një udhërrëfyes për një konsensus politik në lidhje me qëndrimin e NATO-s.

Dhe pasi të miratohet, ky qëndrim duhet të ofrojë këshilla ushtarake konkrete, se si do të zbatohet në praktikë ky premtim dhe angazhim. Por ashtu si me të gjitha vendimet e rëndësishme brenda aleancës, vendimi politik duhet të jetë në plan të parë.

Pasi pa një konsensus politik, disa këshilltarë ushtarakë mund të hezitojnë, duke e parë mbrojtjen e shteteve baltike si tepër të kushtueshme ose si teknikisht shumë të vështirë.

Kujtoni pak shembullin e Berlinit Perëndimor. Deklarata e bujshme e presidentit të atëhershëm të SHBA-së John F.Kennedy “Unë jam një berlinez!”, ia bëri të qartë si aleatëve ashtu edhe sovjetikëve se ai territori i vogël – një ishull në ‘detin” komunist – do të mbrohej me të gjitha mjetet dhe aftësitë që kishte aleanca perëndimore.

Ajo deklaratë historike u pasua nga këshillat ushtarake, se si duhej mbrojtur Berlini Perëndimor. Shtetet baltike mund të jenë “Berlini Perëndimor” i shekullit XXI-të. Por zbatimi praktik i këtij zotimi, duhet të fillojë që tani dhe pa ndonjë vonesë të mëtejshme.

Së pari dhe më kryesorja, duhet të merret vendimi kryesor që shtetet baltike, dhe sidomos Korridori Suvałki, do të mbrohen me të gjitha mjetet që ka aleanca në dispozicion. Dhe se lituanezëve, letonëve dhe estonezëve do t’u bashkohen aleatët e tjerë të NATO-s që në minutën e parë të çdo lloj agresioni të mundshëm.

Për më tepër, ne besojmë se është e domosdoshme – për sigurinë, unitetin dhe sigurinë tonë – që aleanca ta shtojë praninë e saj në vendet baltike. Kjo duhet të përfshijë më së paku aftësitë e plota të mbrojtjes ajrore, përfshirë mbrojtjen nga raketat dhe avionët luftarakë; një bazë të përhershme të NATO-s në madhësinë e një brigade.

Dhe nëse Suedia dhe Finlanda do të vazhdojnë me planin e tyre për t’u anëtarësuar në NATO, janë të nevojshme plane të menjëhershme për një pozicion të ri, të integruar të mbrojtjes nordiko-baltike, që merr parasysh edhe mbrojtjen ajrore rajonale dhe praninë e zgjeruar të NATO-s në Detin Baltik.

Së fundi, duhet të jetë e qartë se asnjë vend baltik, nuk po kërkon siguri falas në kurriz të  gjithë aleancës. Lituania ka marrë tashmë vendimin për të shpenzuar të paktën 2.5 për qind të PBB-së për mbrojtjen. Fondet janë disbursuar tashmë. Edhe Letonia dhe Estonia do ta arrijnë këtë synim brenda këtij viti. Vendet baltike po bëjnë pjesën e tyre. Tani i takon aleatëve tanë të bëjnë të tyren.

“Politico.eu”/ Bota.al

Shënim: Gabrielius Landsbergis, është Ministër i Jashtëm i Lituanisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull