Nga Klodian TOMORRI –
Kryeministrin kishte ditë që nuk e zinte gjumi. Një hall i madh e mundonte. Shumë nga biznesmenët e tenderave kishin mbetur brenda. Këta i kishin fituar tenderat në kohën kur cmimet e hekurit dhe çimentos ishin me të ulëta. Por tani cmimet ishin rritur dhe nuk po fitonin para fare, le më të jepnin copën atje ku duhej.
Sikur të mos mjaftonte kjo nuk po e linte rehat as Fevziu, i cili sa herë që kishte emision për cështje ekonomike nuk rrinte pa përmendur punën e kontratave publike, që ishin goditur nga rritja e cmimit të hekurit. Me këto mendime, u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi në zyrë.
-Vali, ma thirr pak Delinën urgjent,” i bërtiti Vali Bizhgës.
-Po shef, menjëherë- iu përgjigj Vali dhe ngriti direkt telefonin.
-Delina, eja shpejt në kryeministri se të kërkon shefi. Ka për të diskutuar diçka me rëndësi.
Pa kaluar as dy minuta ministrja e financave mbërriti në Kryeministri. Përshëndeti Valin dhe trokiti menjehërë në derën e Kryeminstrit.
-Eja, eja- u dëgjua një zë nga brenda.
“Shiko Delina, kemi një problem shumë të madh me punët publike. Pëllumbi, Lenci, Çim Fusha, Nikolini, Tan Dulaku dhe disa nga këta që po bëjnë pallatet e rindërtimit më thonë se nuk mund të vazhdojnë dot më punimet pasi u është rritur hekuri me çimenton. Duhet të gjejmë një formulë për t’u dhënë para shtesë këtyre se do na mbesin rrugët rrugëve si Saliut. Shyqyr edhe të ardhurat i kemi mirë sivjet.”
-Shef, në fakt këta specialistët e mi në ministri po më sugjeronin që të rrisnim rrogat se inflacioni po ul fuqinë blerëse të rrogëtarëve dhe po na godet kërkesën reale. Kjo mund të na sjellë rënie të prodhimit,”- tha Ministrja e Financave.
-Po c’më merresh me ata idiotë. Kur do ta kuptoni se shtylla e ekonomisë sonë është biznesi i madh? Këta që marrin tenderat, këta e sjellin zhvillimin ekonomik të vendit, jo rrogëtarët parazitë,”- foli prerë Kryeministri.
“Shef, por edhe këta janë të pangopur se tenderat i kanë marrë me fond shumë më të lartë se kostoja reale, ndaj nuk kanë si të dalin me humbje,” foli pa u menduar shumë ministrja e financave.
-Dëgjo se nuk i di të gjitha ti. Ka dhe kosto të fshehta në këto punët e tenderave, që variojnë nga 20 deri në 30 për qind, në varësi të Entit Prokurues. Dhe këto nuk prekin bizneset, por janë të lidhura direkt me ne. Po hajde se do i mësosh se je ende e re.”
“Si nuk e kupton njeri vizionin tim-mendoi me vete. Kam ndryshuar 4 ministra financash deri tani dhe asnjëri nuk më kupton. Do t’i them Tony-t të më sjellë ndonjë ministër financash nga Britania se me këta të mitë nuk kam gjë në vijë,” po mendonte. Ndërpreu mendimin dhe iu drejtua serish Ministres.
-Dëgjo Delina, lëri këto budalliqet me rritje rrogash dhe pensionesh, por bëni gati urgjent aktin normativ për t’u dhënë para shtesë këtyre të tenderave. Vëre 60 milionë euro shtesë, pastaj formulën bëjëni si të doni. Dhe mos harro, e dua gati në mbledhjen e radhës.”
-Ok shef- tha ministrja e financave dhe u nis menjehërë për në zyrë. Thirri specialistët në mbledhje urgjente dhe nisi të flasë;
“Shiko, sic e dini po kemi probleme të mëdha me kontratat publike për shkak të rritjes së çmimeve. Shefi kërkon që të gjejmë një formulë kompesimi për këta, meqë edhe të ardhurat i kemi mirë ndaj shtrojuni punës urgjent,” u tha specialistëve.
-Shefe, po për rrogat dhe pensionet do propozojmë ndonjë rritje? – pyeti njëri nga specialistët.
-Jo, jo ajo është politikë inefiçente. E miratuam një paketë sociale para një muaji, Pak po u japim nga 30 mijë lekë në muaj pensionistëve- u përgjigj ministrja.
Me kaq mbledhja u mbyll. Specialistët nisën menjëherë punën dhe brenda ditës Akti Normativ përfundoi. Sipas tij, buxheti do të japë 60 milionë euro shtesë për fituesit e tenderave, për cdo situacion që dorëzojnë deri në fund të vitit. Kompesimi prek tre produkte; hekurin, çimenton dhe bitumin. Pasi e pa aktin gati, ministrja e financave telefonoi menjëherë Kryeministrin.
-Shef, e kemi gati Aktin Normativ. Ne kemi vënë 60 milionë euro, si të duket”- pyeti.
-Ok, shumë mirë. Ja po njoftoj menjeherë keta ndërtuesit dhe po u them se qeveria u tregua korrekte. Tani e kanë ata radhën, që të jenë korrekt. Dhe degjo, mos a’u kaloni paratë para se të kenë shlyer detyrimet, veçanërisht atë 20 për qindëshin e fshehtë. Koordinohu dhe me Belën për këtë punë,” tha Kryeministri dhe mbylli telefonin.
Ja dhe kjo punë iku- mendoi. Tani kush rri merret me këto rezolutat e këtij plakut. Eh sa rehat paskam qenë më atë Lulin. Ndaj thoja unë që ishte çun i mire ai, por nuk më kupton njeri mua.”- mendoi dhe nisi të pikturojë Saliun në një copë letre që kishte përpara në tavolinë.