Forcat ruse kanë rinisur sulmin e tyre në fabrikën e çelikut, Azovstal, në Mariupol, duke përdorur avionët për të sulmuar luftëtarët ukrainas që gjenden brenda kësaj fabrike. Vlerësohet se 2,000 ushtarë ukrainas dhe qindra civilë vazhdojnë të jenë brenda Azovstalit, teksa Kombet e Bashkuara thanë se kanë nisur përpjekjet e radhës për evakuimin e civilëve.
“Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që të mundemi që të nxjerrim njerëzit nga ky ferr”, tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 6 maj se forcat ruse po sulmojnë përmes ajrit fabrikën e çelikut në Mariupolin e shkatërruar.
“Ka shumë të plagosur, por ata nuk do të dorëzohen! Ata po mbajnë pozicionet e tyre”- tha Zelensky të enjten në mbrëmje.
Mariupoli është shndërruar në gërmadhë pas sulmeve të vazhdueshme ruse. Ndërkaq, në fabrikën e Azovstalit, trupat ukrainase po bëjnë rezistencën e fundit kundër forcave ruse, teksa këta të fundit po tentojnë që ta marrin kontrollin e plotë të qytetit. Luftimet në Azovstal vijnë teksa Rusia vazhdon ofensivën e saj në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, por nuk raportohet se ka bërë ndonjë përparim të madh, pasi forcat ukrainase kanë bllokuar disa lëvizje ruse dhe madje kanë rimarrë kontrollin e disa pjesëve të territoreve. Luftimet në fabrikën e çelikut në Mariupol vijnë në mes të spekulimeve se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron një fitore në Ukrainë që do të mund ta përdorë gjatë 9 Majit, kur Rusia shënon Ditën e Fitores – përvjetorin e mposhtjes së Gjermanisë Naziste.
“Rinisja e përpjekjeve nga Rusia për të marrë Azovstalin dhe për të marrë plotësisht Mariupolin ka të ngjarë që është e lidhur me festimet për Ditën e Fitores dhe për dëshirën e Putinit që të ketë një sukses simbolik në Ukrainë. Këto përpjekje kanë kosto për Rusinë, si në aspektin e personelit, pajisjeve dhe municioneve. Rezistenca ukrainase vazhdon në Azovstal, humbjet ruse vazhdojnë të rriten si dhe frustrimi i tyre për planet operacionale në Donbas”, tha Ministria e Mbrojtjes së Britanisë më 6 maj.
Humbja e Mariupolit do ta shkëpuste Ukrainën nga një port i rëndësishëm në Detin e Azovit. Po ashtu, do t’i jepte Rusisë mundësinë që të krijonte një korridor tokësor me Gadishullin e Krimesë. Ndërkaq, ukrainasit që gjenden në bunkerët në Azovstal, përmes videove dhe fotografive të postuara në rrjetet sociale, kanë kërkuar ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar. Ushtarët “po vdesin në agoni nga mungesa e trajtimit të duhur”, tha kapiteni Sviatoslav Palamar, që është zëvendëskomandant i Batalionit Azov, që gjendet në Azovstal. Ai kërkoi ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar për të evakuuar civilët dhe luftëtarët e plagosur. Kombet e Bashkuara njoftuan më 5 maj se do të kryejnë edhe një operacion për evakuimin e civilëve.
“Operacioni i tretë është duke u zhvilluar, por politika jonë është që të mos japim asnjë detaj para se të kryhet operacioni, me qëllim që të mos e dëmtojmë procesin”, tha Guterres. Ndërkaq, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se përpjekja për evakuim është paraparë të zhvillohet më 6 maj.