Rebusi i gazit në Evropë

8 Minuta Lexim

Nga Daniel GROS-

Brenda disa muajsh, Bashkimi Evropian e ka reduktuar aq shumë varësinë e tij nga nafta ruse, saqë tani është gati të vendosë një embargo ndaj saj. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Lejen, ka njoftuar planin e ndalimit të importeve të naftës së papërpunuar ruse në pjesën më të madhe të BE-së brenda 6 muajve të ardhshëm, dhe të produkteve të naftës së rafinuar deri në fund të këtij viti.

Por për të pasur një ndikim domethënës në buxhetin e Rusisë, Evropa duhet gjithashtu që t’i japë fund varësisë së saj nga gazi rus. Dhe kjo do të jetë shumë më e vështirë për t’u arritur. Evropa ka arritur ta reduktojë shpejt nevojën e saj për naftë ruse për disa arsye.

Nafta mund të dërgohet lehtësisht me cisterna, dhe jo vetëm përmes tubacioneve. Po ashtu, është relativisht e lehtë të gjesh furnizime të reja në tregun botëror. Por problemi është se është gjithashtu relativisht e lehtë të gjesh mjaftueshëm blerës të rinj – dhe Rusia ka mjaft të tillë – për të kompensuar një pjesë të madhe të humbjeve nga një embargo e BE-së.

Me gazin ndryshon puna. Evropa ka nevojë për gaz natyror për të siguruar ngrohjen e qytetarëve në dimër, dhe për ta përdorur atë si një lëndë ushqyese për industrinë kimike më të madhe në botë, e cila përbën një pjesë të konsiderueshme të eksporteve të BE-së. Dhe disa veçori të tregut të gazit natyror, do ta bëjnë shumë më të vështirë dhe më të kushtueshëm gjetjen e alternativave ndaj furnizimeve ruse, sesa për naftën.

Së pari, për shkak se shumica e prodhuesve të gazit natyror operojnë me kontrata afatgjata me blerësit, jashtë Rusisë ka pak kapacitete prodhuese. Ndërsa ka disa tregje, ku mund të blihen apo shiten sasi të kufizuara gazi, qëllimi i tyre është ta rishpërndajnë ofertën ose kërkesën ekzistuese nëpër rajone, sipas nevojës, dhe jo të ofrojnë furnizim shtesë.

Ministrat evropianë të energjisë, kanë vizituar prodhues të ndryshëm globalë të gazit, me shpresën e bindjes së tyre për të rritur prodhimin. Dhe prodhuesit kryesorë të gazit, janë të lumtur që ta bëjnë këtë. Por ata paralajmërojnë se do të duhen deri 4 vite për të zbatuar projektet e reja, dhe këto kanë leverdi vetëm nëse klienti është i gatshëm të nënshkruajë një kontratë 20-vjeçare.

Në një periudhë afatshkurtër, kjo do të thotë se furnizimi me gaz natyror është afër garantimit. Pra, mënyra e vetme për të kompensuar mungesën e gazit rus, është përmes një kombinimi të kursimeve të energjisë dhe rritjes së importeve. Por Evropa do të përballet me një sfidë tjetër.

Gazi natyror është i kushtueshëm për t’u transportuar, dhe i vështirë për t’u ruajtur. Gazi natyror i lëngshëm (LNG), që mund të transportohet, ofron alternativën kryesore ndaj gazit rus që transportohet përmes tubacioneve, megjithëse krijon sfidat e veta.

Pasi gazi lëngëzohet dhe ngarkohet në një cisternë speciale, disa mijëra km udhëtim shtesë, nuk bëjnë ndonjë diferencë të madhe. Është kjo arsyeja kryesore, pse tregjet aziatike dhe ato evropiane të LNG-së janë të integruara, dhe çmimet në të dyja kontinentet janë afër njëri-tjetrit.

Çmimet e gazit arritën nivele shumë të larta që në vjeshtën e vitit kaluar, pra disa muaj përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën. Kjo për shkak të rritjes së kërkesë nga rimëkëmbja e fortë ekonomike në Azi.

Para se të niste lufta në Ukrainë, Evropa importonte pothuajse po aq LNG sa gaz përmes  tubacioneve tokësore. Por në rast se Evropa dëshiron t’i japë fund varësisë së saj nga gazi rus, ajo duhet të rrisë në nivele të jashtëzakonshme importet e LNG-së.

Kjo do të jetë e kushtueshme, pasi nënkupton devijimin drejt Evropës të dërgesave të SHBA-së të drejtuara fillimisht për në Azi. Fatmirësisht, kjo gjë do të jetë teknikisht e mundur për shkak të një asimetrie të madhe në tregtinë e LNG-së:kërkon shumë më tepër kohë ndërtimi i impianteve të lëngëzimit të gazit, sesa diversifikimi i furnizimeve me gazin natyror.

Kur mbërrin gazi LNG, vendet importuese duhet ta ngrohin atë në cisterna. Specialistët e energjisë e theksojnë shpesh faktin, se shumë vende nuk kanë mjaftueshëm objekte magazinimi të LNG-së për të rritur importet. Por një opsion janë terminalet lundruese të LNG-së.

Dhe vende si Gjermania, Franca dhe Italia po përfitojnë tashmë prej tyre. Këto objekte fleksibël të gazifikimit, së bashku me një rrjet të dendur tubacionesh që lidhin shumicën e furnitorëve të BE-së, ofrojnë njëfarë mbrojtjeje ndaj përpjekjeve të Rusisë për të zgjedhur vende të veçanta.

Evropa ka treguar tashmë solidaritet mbi këtë çështje. Kur gjiganti energjetik rus “Gazprom” ndaloi ditët e fundit dërgesat e gazit në Poloni dhe Bullgari, tubacionet nga Gjermania dhe Greqia siguruan që të dyja vendet të merrnin sasinë për të cilën kishin nevojë.

Çështja është nëse Evropa do të tregojë të njëjtën vendosmëri, kur nën presion të jenë të gjitha vendet. Nga ana tjetër objektet e magazinimit të LNG-së, janë shumë më të vështira për t’u arritur dhe kërkojnë shumë më shumë kohë për t’u ndërtuar, pasi kërkojnë frigoriferë gjigantë që e ftohin gazin në -160 °Celsius.

Kjo ka dy pasoja të rëndësishme në aspektin politik. Disa shpresojnë se Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë LNG-në shumë të nevojshme për Evropën. Por SHBA-ja i ka aktualisht me kapacitet të plotë impiantet e saj ekzistuese të lëngëzimit të gazit, dhe do të duheshin disa vite për të ndërtuar impiante të reja.

Për sa kohë që kapaciteti i eksportit i SHBA-së është i kufizuar, ri-orientimi i dërgesave amerikane të gazit nga Azia në Evropë, nuk do të bëjë asgjë për të reduktuar kërkesën e tepërt në tregun e kombinuar BE-Azi për LNG. Për SHBA-në kjo sjell avantazhin, se çmimet vendase të gazit natyror kanë mbetur shumë më të ulëta se në Evropë ose Azi.

Ndërkohë sfida e ndërtimit të impianteve të lëngëzimit të gazit, rrit ndjeshëm kostot për Rusinë, e cila do të përpiqet të eksportojë gjetiu gazin që Evropa nuk po e blen më. Për disa vite, Rusia nuk do të ishte në gjendje të shiste 140 miliardë metra kub gaz natyror, që më parë shkonin çdo vit në Evropë.

Nëse Evropa është e gatshme të paguajë koston e importeve të shtrenjta të LNG-së, kjo mund ta dëmtojë shumë rëndë aftësinë e Rusisë për të fituar valutë të fortë, nëpërmjet eksporteve të gazit. Prandaj ajo do t’i shkaktonte një dëm real buxhetit të luftës së Vladimir Putinit.

Shënim: Daniel Gros, anëtar bordi në Qendrën për Studimet e Politikave Evropiane. / “Project Syndicate” – Bota.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull