Reagimi ndaj letër ankesës së hollandezit,këshilltar ndërkombëtar i Ministrisë së Drejtësisë, ishte politik dhe teknik. Ministrja Manastirliu në Parlament u mbrojt duke recituari përrallën e sukseseve gjatë nëntë viteve në pushtet dhe pamundësinë për të bërë “mrekulli” në kaq pak kohë?!
Nga Erion DASHO * –
Siç e ka marrë vesh pjesa dërrmuese e shqiptarëve, një shtetas holandez, këshilltar ndërkombëtar i Ministrisë së Drejtësisë, u aksidentua në një rrugë të Tiranës dhe kërkoi kujdes shëndetësor në Qendrën Kombëtare të Traumës. Aty jo vetëm që nuk mori kujdes për të qenë, por ju rrezikua edhe jeta.
Pas kthimit në Holandë dhe konsultimit me një mjek holandez, qytetari hartoi një letër të hapur për kryeministrin Rama ku listoi 9 gabime të rënda mjekësore që kishin ndodhur gjatë atyre pak orëve në Spitalin e Traumës.
Reagimi ndaj letrës ishte politik dhe teknik. Ministrja Manastirliu në Parlament u mbrojt në stilin “fajin e ka Saliu”, ku recitoi përrallën e sukseseve gjatë nëntë viteve në pushtet dhe pamundësinë për të bërë “mrekulli” në kaq pak kohë!!!
Ndërkohë mjekët e spitalit të traumës, në mënyrë skandaloze publikuan kartelën mjekësore të pacientit, një veprim i dënueshëm, që nëse ndiqet në rrugë ligjore nga holandezi, mund t’i çojë dyerve të gjyqeve.
Po si qëndron e vërteta?
Në një cikël shkrimesh do të analizoj shqetësimet që ngre shtetasi holandez në letrën e tij duke nisur nga problematika e parë, mungesa e theksuar e organizimit.
* * *
Në Shqipëri prej vitesh është dëmtuar themeli i çdo sistemi dhe jo vetëm i atij shëndetësor: organizimi. Organizimi është një ndër katër shtyllat e menaxhimit sipas konceptit klasik, së bashku me planifikimin, drejtimin dhe kontrollin.
Në sistemin shëndetësor, organizimi është dëmtuar nga maja e piramidës deri në bazën e saj.
Ministria e Shëndetësisë sot ka vetëm dy mjekë, njëri prej të cilëve në moshën e pensionit. Askush në atë institucion nuk njeh qoftë edhe parimet bazë të shkencës së organizimit shëndetësor.
Me shkrirjen e Ministrisë së Shëndetësisë pesë vjet më parë, shumë departamente u bashkuan mekanikisht me departamente të ministrisë së çështjeve sociale dhe sot kur troket në derë të Ministrisë për të zgjidhur një problem, dëgjon punonjësit të ankohen për shefat: “Ai/ajo nuk i njeh problemet se është nga ata të cështjeve sociale…”.
Institucionet e varësisë në qarqe dhe ish-rrethet e dikurshme janë zëvendësuar nga disa struktura të quajtura “operatorë” të cilat kanë centralizuar vendimmarrjen. Problem i madh i operatorëve (si edhe në rastin e ministrisë) është mbajtja larg tyre e mjekëve dhe specialistëve të shëndetit publik, të cilët janë zëvendësuar me militantë, përfshi edhe ish-artisë dhe balerina.
Në spitale përgjithësisht drejtojnë “besnikët e partisë”. Një konkurs i organizuar para disa vitesh shërbeu vetëm për të institucionalizuar të përzgjedhurit e politikës. Shembulli më flagrant ishte QSUT “Nënë Tereza” ku katër mjekë elitarë u mundën në konkurrim nga një klarinetist.
Pasojat e mungesës së organizimit në këto nivele u panë gjatë pandemisë ku për shumë muaj ministria nuk arriti të vendoste në funksionim spitalet rajonalë dhe i përqendroi të gjithë pacientët në dy spitalet universitare në Tiranë. Amullia që u krijua nga paaftësia organizative ndikoi tek vdekjet në masë midis pacientëve, ndërkohë që nxiti edhe rrjepjen e tyre nga “Tiret”.
Deri në fund të vitit të parë të pandemisë ministria nuk arriti dot të siguronte më shumë se një maskë në muaj për mjek apo infermier, kurse përgjigjet e testimeve vinin pasi pacienti ishte shëruar ose kishte ndërruar jetë.
Mungesa e organizimit vazhdon në brendësi të institucioneve. Ajo e ka bazën tek centralizimi ekstrem dhe mungesa e autonomisë. Kur gjithçka vjen me urdhër “nga lart”, kuptohet se nuk ka hapësira për menaxhim autonom dhe as për organizim brenda institucional.
Pasoja më flagrante e ç’organizimit janë mungesat në medikamente dhe materiale konsumi. Shpesh tenderat bëhen me vonesë (vetëkuptohet se përse ka vonesa) dhe në muajt e parë të vitit, pothuajse të gjithë spitalet funksionojnë me borxhe ndaj kompanive private.
Ndonëse stafet jo-mjeksorë fryhen çdo vit, në spitalet tona mungojnë disa specialitete pa të cilët nuk ka menaxhim dhe organizim spitalor bashkëkohor, si p.sh., specialistët IT dhe mirëmbajtësit e pajisjeve mjeksore. Kjo bën që shumë pajisje, edhe kur janë të reja, nisin të krijojnë probleme në funksionim.
Për sa i takon ç’organizimit të praktikës klinike, në spitalet shqiptare ka “vdekur” prej kohësh koncepti i punës në ekip ndërkohë që ende nuk kanë hyrë përafrime bashkëkohore si p.sh., ajo që në shqip mund të përkthehet rrugëtimi i pacientit (patient pathways).
Konsultat brenda shërbimit apo midis shërbimeve ja kanë lënë vendin “siloseve” dhe “principatave” ku mjekët as që përpiqen të shohin përtej katër mureve të kabinetit të vet.
Për ta përkeqësuar më tepër situatën kanë menduar emërimet politike. Mjekë, infermierë apo edhe sanitarë të emëruar “me mik” janë shpesh më të rëndësishëm se shefat dhe drejtorët dhe refuzojnë të marrin urdhëra prej tyre.
Në spitalet e rretheve (dhe, fatkeqësisht, kjo tendencë po prek tani edhe spitalet universitare) nuk kanë mbetur as mjekë dhe as infermierë për t’u menaxhuar, çka i kufizon edhe më tej drejtuesit e spitaleve në vendimmarrje.
Këto dy problemet e fundit i vendosin edhe vulën kakofonisë në drejtimin, organizimin dhe menaxhimin e institucioneve tona shëndetësore.
* * *
Si përfundim, për mua dhe njohësit e tjerë të shërbimit shëndetësor shqiptar nuk ka rëndësi se çfarë thotë ministrja apo drejtori i Spitalit të Traumës. Unë e besoj atë që thotë pacienti holandez!
》E besoj sepse e di që në spitalin tonë të traumës nuk funksionojnë ekipet multidisiplinare.
》E besoj sepse e di se aty nuk bëhet si duhet analiza e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë.
》E besoj sepse aty tallen me programe dhe koncepte si cilësia e shërbimit apo siguria e pacientit.
》E besoj sepse tenderat e centralizuar bëjnë që shpesh spitali të mbetet pa fasho dhe abuzimet bëjnë që shpesh edhe materialet e konsumit (përfshi gipsin) të jetë të një cilësie të dobët.
》E besoj që diagnoza mund të dokumentohet gabim sepse askush nuk ka menduar në piramidën e sistemit shëndetësor për të koduar dhe standardizuar diagnozat, ndërhyrjet dhe procedurat në bazë të terminologjisë së pranuar ndërkombëtare.
》E besoj që epikriza mund të jepet pa vulë e pa firmë sepse askush nuk i kushton vëmendje kujdesit shëndetësor të integruar dhe të vazhdueshëm (continuum of care).
* * *
Prandaj zonja Ministre dhe kolegë të spitalit të traumës, ju nuk mund t’i thoni zotit Daans se ai e ka gabim kur deklaron se spitali juaj është i ç’organizuar. Dilni dhe provoni se këto që shkruajta më lart janë gabim dhe atëherë qytetarët do t’ju besojnë! Por ju nuk mundeni sepse jeni të vetëdijshëm që e keni zhytur sistemin shëndetësor në paaftësi, ç’organizim dhe rrëmujë!
Në vend që t’i jepni zotit Daans përgjigje dacibaoiste, mendoni se si të adresoni kritikën e tij të parë, ç’organizimin e sistemit tuaj shëndetësor dhe të institucioneve në përbërje të tij!
Post scritum: në ditët në vijim do të analizoj edhe problemet e tjera që ngre Z. Daans në letrën e vet.
* Autori shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë