Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta, në doza.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Grecalli”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, Komisariati i Policisë Fier dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”.
Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza gati për shitje, një sasi me kokrra metadoni dhe një armë gjahu.
Vihen në pranga 2 shtetas, Luan Grembi dhe Mirelo Braushaj.
Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për dy shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike heroinë, në qytetin e Fierit, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Grecalli”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
L. G., 36 vjeç, banues në Daullas, Fier dhe M. B. alias K. B., banues në Levan, Fier, të dy të dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Këta shtetas janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lagjen “1 Maji”, duke shitur lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në automjetin tip “Benz”, me të cilin ata qarkullonin, janë gjetur një sasi me lëndë narkotike heroinë e ndarë në doza gati për shitje, një sasi me kokrra metadoni, një armë gjahu dhe një sasi parash, të cilat u sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”.