Asnjë i ndaluar në lidhje me atentatin ndaj të fortit të Niklës, Marklen Haka, i cili mbeti i plagosur mesditën e së mërkurës në hyrje të fshatit të tij në zonën e Krujës.
Sikur të mos mjaftonin provat e pakta, Policia nuk është ndihmuar as nga vetë viktima, i cili ka dhënë një tjetër version rreth dinamikës së ngjarjes. I pyetur nga oficerët e Policisë teksa mbahet në ambientet e Spitalit të Traumës në kryeqytet, Marklen Haka është shprehur se është qëlluar nga përpara, në një moment që kishte ndalur makinën dhe më pas autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Po udhëtoja me mjetin e ‘Volswagen’ në drejtim të Niklës. Sapo kam përshkuar disa metra në rrugën e Niklës, jam qëlluar nga një automjet tjetër për të cilin, targën dhe llojin e mjetit nuk e di. Mjeti më ka ndjekur nga pas dhe në një moment kur kam ndaluar jam qëlluar me breshëri duke mbetur i plagosur në fytyrë. Më pas, makina është larguar nga vendi i ngjarjes”, mësohet të ketë thënë Haka.
Ky version nuk i ka bindur hetuesit e Policisë, të cilët nga provat e mbledhura në vendin e ngjarjes kanë ndërtuar një tjetër dinamikë, shkruan Panorama.
“Jemi duke punuar me intensitet të lartë. Kemi grupin e hetimit që po merret me ekspertizën e vendit të ngjarjes apo mbledhjen e dëshmive apo provave që do të na ndihmojmë të shkojmë më tej për të mësuar mbi motivin apo identifikuar autorin. Kemi shumë pak prova në duar, por sikur të mos mjaftonte kjo kemi edhe dëshminë e të plagosurit që nuk na ndihmon. Nga ekspertiza në vendin e ngjarjes na rezulton se ai është qëlluar nga një distancë fare e afërt nga një person që ndodhej në këmbë, ndërsa ai deklaron se është ndjekur për një kohë të gjatë nga një makinë. Thotë se është ndjekur nga një makinë dhe nuk i ka fiksuar targën. Nëse kuptojmë që pa na ndjekin, gjëja e parë përpiqemi të marrim targën. Pra, nuk na ka ndihmuar fare personi”, thanë burime nga grupi i hetimit.
Në vendngjarje ka pasur kamera sigurie, por ato nuk i kanë shërbyer grupit hetimor për të kuptuar si ndodhi ngjarja dhe për të shkuar deri në gjurmët e autorit. Burimet thonë se po verifikohen konfliktet e Hakës, që kërkon një punë kolosale për vetë të shkuarën kriminale të këtij personazhi.
Pas atentatit të së mërkurës, ai është dërguar në spital nga miq të tij, duke mos pritur Policinë dhe ambulancën në vendngjarje. Marklen Haka që njihet dhe me emrin Mariglen Haka është arrestuar disa herë, por ka arritur të dalë duke sfiduar organet e drejtësisë.
Më 7 janar të këtij viti, gjatë një aksioni të forcave RENEA në Fushë-Krujë, u prangos bashkë me dy të tjerë për armë pa leje dhe kokainë në doza të vogla për shitje. Më 19 shkurt të vitit 2021, ishte arrestuar te “Xhamlliku” në Tiranë me armë, por sërish ka fituar lirinë. Hakaj gjithashtu ka qenë i arrestuar edhe për një vrasje të ndodhur në qershor të vitit 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por është liruar për mungesë provash.
Tri vite më parë, breshëri plumbash u shkrepën nga katër armë në drejtim të shtëpisë së Hakës. Nga atentati mbeti e vdekur halla e tij Shpresa Basha, ndërsa Marklen Haka arriti të shpëtonte me një plumb në krah. Haka njihet për miqësinë me Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit, i cili e transportoi të plagosur në spital në 2019-n.