Dhjetra të helmuar në spitalin e Kukësit, mjekët: ISHP ende asnjë përgjigje, nuk ka kapacitete për mjekim

3 Minuta Lexim

Mjeku Admir Sinamati, në një intervistë për Fax News ka folur në lidhje me gjendjen e dhjetra pacientëve që u dërguan në spitalin e Kukësit me shenja të helmimit.

Ngjarja sipas tij u tentua të mbahej e fshehtë nga autoritetet lokale, ndërkohë që ISHP ka marrë monstrat e ujit, për të parë nëse helmimi është shkaktuar prej tij.

Pacientët që kërkuan ndihmë në spitalin e Kukësit ishin kryesisht me shenja të dhimbjes së barkut dhe të vjellave.

Sinamati u shpreh se rastet e para të shtrimeve janë paraqitur që prej ditës së premte, dhe autoritetet janë treguar të vonuar në marrjen e masave.

“Që të bëhemi të qartë dhe për publikun, unë reagimin tim e kam bërë si mjek, si intelektual, si drejtues i PD. Unë nuk jam mjek në spitalin e Kukësit, dhe reagimin e kam bërë pas informacioneve që kam marrë nga mjekë, qytetarë, pasi ishte bërë shqetësim kjo çështje.

Prej 3 ditësh, nga e premtja, e shtuna dhe e diela, një numër i madh pacientësh me shenja të njëjta mjekësore, i ishin drejtuar spitalit. Kanë dhimbje të forta barku, temperaturëtë lartë dhe të vjella, ngjarja u mbulua nga terri informativ, dhe u tentua që të izolohej si informacion.

Siç mund të jeni në dijeni, është bërë një sfidë ndaj mediave, duke mos i lejuar që të marrin pamje dhe intervista nga spitali. Kjo është e qëllimshme, janë parapërgatitje, si rezultat i gjendjes skandaloze në të cilën ndodhet spitali i Kukësit.

E rëndësishme është që ti bëhet e qartë opinionit se ka një tendencë për fshehjen e të vërtetës, që spitali nuk ka kapacitete për të dhënë ndihmën e parë. Ngjarje të tilla kanë ndodhur dhe do ndodhin, janë marrë monstra në fshatin Shtiqen, dhe akoma nuk kanë dalë rezultatet nga ISHP, për shkaktarin”, u shpreh Sinamati.

Në një reagim të bërë dje në rrjetet sociale, shërbimi i ujësjellësit ka bërë me dije se në verifikimin paraprak pas marrjes në shqyrtim të pesë mostrave, ka rezultuar se kanë qenë pa erë dhe pa ngjyrë.

Më tej bëhet me dije se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm deri në marrjen e përgjigjieve për analizat.

“Ujësjellës Kukës lidhur me rastin e publikuar në lagjen Mujë fshati Shtiqen pas njoftimit të bërë nga banorët e zonës menjëherë së bashku me punonjësit e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetesor Kukës ka qenë në vendngjarje dhe po monitorojme situaten.

Nga verifikimi paraprak 5 mostrat e marra rezultojnë pa ngjyrë dhe erë.Theksojmë se furnizimi me ujë të pijshëm për Qytetin dhe fshatrat e tjere vazhdon normalisht dhe nuk ka probleme.

Difekti ose nderhyrja eshte vetëm në lagjen Muje poshtë shkollës ku është bërë ndërprerja e furnizimit deri në përgjigje të analizave dhe normalizimit të situatës”, thuhej në njoftim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull