Dramë në “Air Albania”, Shqipëria bën lojën por Izraeli merr tre pikët

5 Minuta Lexim

Humbje e hidhur, gati-gati dramatike në “Air Albania Stadium”.  Shqipëria mundet 2-1 nga Izraeli në një ndeshje me shumë volum por pak qartësi dhe shumë raste të shpërdoruara. 20 minutat e pjesës së dytë shkatërruan gjithçka të mirë që skuadra e Edoardo Rejës bëri në një ndeshje ku mund të kishte marrë më shumë por sot vuan dhe rrëzohet në vendin e fundit të grupit B2 të Ligës së Kombeve, me pak shanse për vendin e parë që siguron një biletë për play off-in e Euro 2024 por edhe hyrjen në sallonin e të mëdhenjve të futbollit europian.

Shqipëri kaotike dhe me një penallti të anuluar nga sistemi VAR që u fal nga mbrojtësi Vitor me një rast flagrant por më pas një penallti e fituar nga Ivan Balliu që u transformua në gol nga Armando Broja ndërsa Solomon më pas fiku të gjitha dritat e skuadrës kuqezi.

Reja propozoi një formacion të ndryshuar krahasuar me Islandën ku Broja dhe Uzuni morën përsipër peshën e sulmit ndërsa Bajrami e Asllani atë të mesfushës.

Nisi me ritëm të çmendur ndeshja ku izraelitët treguan “dhëmbët” që në minutat e para duke vendosur në provë mbrojtjen shqiptare ndërsa me kalimin e minutave, Shqipëria fitoi besim dhe metra në fushën e blertë.

Broja dhe Uzuni shumë aktivë në gjysmëfushën e miqve tentuan të jepnin shkëndijat e para, ndërsa rastin e parë të vërtetë e regjistruam në të 20-ën me Uzunin që në duelin me Vitor ky i fundit u dyshua se preku topin me dorë.

Për arbitrin ishte penallti por pas konsultimit me sistemin VAR, u anulua gjithçka. Reja kërkoi më shumë presion dhe ishte radha e Ismajlit për të rrezikuar ndërsa në krahun tjetër nxorri bllof gjithë mbrojtjen kuqezi duke humbur një rast ideal.

Izraeliti i fali mbrojtësit e Shqipërisë dhe në krahun tjetër ndeshja u bë më intensive në zonën e Marcianos. Broja dhe Uzuni shumë aktivë në gjysmëfushën e miqve tentuan të jepnin shkëndijat e para, ndërsa rastin e parë të vërtetë e regjistruam në të 20-ën me Uzunin që në duelin me Vitor, ky i fundit u dyshua se preku topin me dorë.

Në frymën e fundit të kësaj pjese, Balliu u ndalua në mënyrë të parregullt dhe këtë herë Shqipëria realizoi golin që çliroi këmbët e lojtarëve shqiptarë. 1-0, Shqipëria shkoi në pushim me avantazhin e artë.

Edhe më e çmendur pjesa e dytë që nisi me Brojën protagonist por të vetëm dhe të izoluar në sulm ndërsa Izraeli me Solomon bëri që “Air Albania Stadium” të ngrinte në minutën e 57. Goli i barazimit si një “dush i ftohtë” për skuadrën dhe trajnerin Reja që hyri në fushë i nervozuar me pasivitetin e mbrojtjes. Izraeli mori edhe më shumë zemër me një tjetër inkursion ndërsa Shqipëria humbi terren ndjeshëm.

Bajrami dhe Asllani zhgënjyes ia lanë vendin Gjasulës dhe Ramadanit që shtuan më shumë muskuj por hoqën fantazi nga mesfusha ndërsa dalëngadalë skuadra humbi shkëlqimin dhe rrezikshmërinë.

Drama u konsumua në minutën e 73 kur mbrojtja shqiptare në bashkëpunim me Etrit Berishën që mund ta kishte grushtuar topin jashtë, i falin një gol sulmuesit të Shakhtar Donetsk, Solomon.

Reagoi menjëherë skuadra kuqezi me një gol të shpejtë por pas disa minutave konsultim në dhimën VAR, Elseid Hysaj u cilësua në pozicion jashtë loje dhe ndeshja mbeti e fiksuar në shifrat 2-1.

Broja dhe Balliu nuk u dorëzuan por Marciano me fat dhe porta e izraelitëve e mallkuar për Shqipërinë nuk lejuan që ndeshja të barazohej. Humbje e hidhur që ridimensionon Shqipërinë, aktualisht në vendin e fundit të grupit me vetëm 1 pikë në 2 ndeshje.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull