Një aksident me vdekje ka ndodhur në Fier, ku një makinë përplasi 15-vjeçarin që udhëtonte me biçikletë, i cili për pasojë ndërroi jetë në spital gjatë natës.
Sipas policisë së Fierit, aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00, në aksin rrugor Hamil-Dërmënas.
Ndërkohë, shoferi u largua nga vendngjarja pas aksidentit, por arratia nuk i zgjati shumë pasi u arrestua nga uniformat blu.
NJOFTIMI I POLICISË:
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 29 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, pasi në datë 23.06.2022, rreth orës 22:00, në aksin rrugor Hamil-Dërmënas, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, ka përplasur shtetasin e mitur 15 vjeç, banues në Hamil, i cili po udhëtonte me biçikletë, dhe është larguar nga vendngjarja. Shtetasi i mitur ka ndërruar jetë rreth orës 02:00 në spitalin e Fierit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.