Arben Ferizi, administratori i kompanisë që kishte porositur mishin mes të cilit u gjetën 45 kg kokainë në portin e Durrësit, dhe agjenti i doganimin Egert Vargu janë arrestuar ditën e sotme nga policia.
Të dy personat kanë deklaruar se ata nuk kanë asnjë lidhje me drogën e gjetur në kontenier, teksa Ferizi u shpreh se mishin e pulës ai e kishte porositur online, dhe nuk e dinte se çfarë kishte brenda kontenierit.
“Kompania ka vite që merret me prodhimin e salçiçeve dhe është e suksesshme. Nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk kemi dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontejner.”- ka thënë ai para efektivëve.
Nga ana tjetër Vargu ka thënë se ai merret vetëm me zhdoganimin e kontenierëve dhe jo me kontrollin e tyre.
“Nuk është puna ime. Puna ime është të merrem me dokumentacionin.”- tha Vargu.
Kontenieri ku ishte fshehur kokaina kishte ardhur tranzit nga Brazili, ndërsa kishte ndaluar më herët dhe në Greqi dhe destinacion final kishte Maqedoninë e Veriut, ku pritës ishte Arben Fereizi.
Policia kontrolloi kontenierin që transportonte mishin e pulës dhe gjeti 40 pako kokainë të mbuluara me imazhin e personazhit të famshëm të “Dragonball”, Goku.
Më herët policia kishte gjetur drogë në kontenierët që transportonin qymyr nga Ekuadori, e po ashtu në disa raste të përsëritura mes bananeve.