Shqipëria merr Presidencën e Këshillit të Sigurimit/ Rama: Lufta në Ukrainë ka cënuar rëndë sigurinë botërore, të veprojmë urgjent

3 Minuta Lexim

Në të parën herë në ekzistencën 76 vjeçare, presidencën e Këshilli të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do ta ketë Shqipëria.

Për një muaj, nisur nga 1 qershori organi më i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë mes kombeve do të kryesohet nga vendi ynë.

Kjo detyrë i vjen Shqipërisë në një kohë kur paqja është e kërcënuar nga konflikti disa mujor që po zhvillohet mes Ukrainës dhe Rusisë.

Në mesazhin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Edi Rama thekson se vendi ynë mbetet i angazhuar te forcimi i drejtësisë dhe sigurisë.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Në Europë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

Me vëmendjen te rëndësia e drejtësisë ndërkombëtare, diskutimi i parë që do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama është një debat i hapur i nivelit të lartë mbi këtë çështje si pasojë edhe të agresionit Rus ndaj Ukrainës.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh.Ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor, i kushtohet “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

Deri në fund të qershorit, Shqipëria do të mbajë disa debate me temë gruaja, paqja, siguria apo bashkëpunimi i OKB-së me organizatat rajonale në situata konfliktesh ku të ftuar do të jenë edhe drejtues të Bashkimit Evropian.

Para përfundimit të mandatit dy vjeçar si anëtare e përkohëshme, vendi ynë do ta rimarrë presidencën e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara edhe në tetorin e vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull