Kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore në ditën e gjashtë të grumbullimit në Durrës, teksa vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen e ditës së hënë kundër Islandës.
Dita e djeshme në program kishte vetëm një seancë që u zhvillua pasdite, ku ka marrë pjesë pothuajse i gjithë grupi i futbollistëve.
Departamenti i komunikimit në FSHF bën me dije se mesfushori Kristjan Asllani është stërvitur dje rregullisht me grupin, duke lënë pas kështu dëmtimin që kishte pësuar në stërvitje tri ditë më pare, që e la atë edhe jashtë nga testi i zhvilluar brenda grupit.
Stërvitje me intensitet të plotë kanë zhvilluar edhe dy mesfushorët e tjerë, Odise Roshi dhe Klaus Gjasula, të cilët gjithashtu kanë pasur probleme shëndetësore në ditët e para të grumbullimit.
Shqetëson vetëm gjendja e sulmuesit Myrto Uzuni, i cili është detyruar të lërë përgjysmë stërvitjen për shkak të një dëmtimi muskulor.
Stafi mjekësor po ndjek nga afër gjendjen e sulmuesit për të vlerësuar shkallën e dëmtimit.
Sakaq, trajneri Edi Reja pret të mësojë edhe gjendjen e sulmuesit Armando Broja, nëse ai do të jetë ose jo në gjendjen e duhur fizike për të luajtur që në ndeshjen e parë.
Kombëtarja do të zhvillojë edhe një seancë stërvitore, ndërkohë që nesër Kombëtarja do të niset për në Islandë, ku do të zhvillojë edhe dy seanca stërvitore në ishull, për t’u përballur më datën 6 qershor në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Teksa afrohemi me ditën e ndeshjes, i vetmi repart që nuk pritet të ndryshojë është porta dhe mbrojtja, në të cilat trajneri Reja i ka fiksuar mirë lojtarët që do të hidhen si titullarë në fushë.
Besnik i skemës 3-5-2, italiani pritet që ta rreshtojë Kombëtaren kështu: në portë Etrit Berisha dhe përpara tij, Ismajli, Kumbulla dhe Gjimshiti, ndërkohë krahët do t’i mbulojnë Balliu me Hysajn.
Në mesfushë mendohet të rikthehet pas shumë kohës Amir Abrashi, i cili do të shoqërohet nga Gjasula dhe Çekiçi, ndërsa në sulm shqetëson Uzuni dhe Cikalleshit, të palëvizshëm si pikë referimi, pritet t’i bashkohet Seferi që ndryshe nga Vrioni, përfiton për shkak të tipareve të ndryshme si sulmues me Cikalleshin.
Gjithsesi, deri në ditën e ndeshjes mund të ketë edhe ndonjë ndryshim.