Komisioni Europian nëpërmjet një deklarate ka shprehur rezerva në lidhje me draftin e prezantuar nga qeveria “Për Amnistinë fiskale”, i cila prej disa ditësh është hedhur në konsultim publik.
Sipas KE drafti dobëson kontrollin e Shqipërisë kundër pastrimit të parave; çka shqetëson shtetet anëtare të Bashkimit Europian si dhe partnerët e tjerë.
“Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin,” thuhet në deklaratë.
Sipas draftit parashikohet që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës.
“Komisioni theksoi nevojën për qartësi të marrëveshjes tregtare në lidhje me mënyrën se si kompanitë e BE-së mund të konkurrojnë mbi baza të drejta dhe të barabarta për kontrata publike, siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”.
Revista Monitor/ https://www.monitor.al/amnistia-fiskale-ke-shpreh-rezerva-dobeson-kontrollet-e-shqiperise-kunder-pastrimit-te-parave/?fbclid=IwAR0iA1UI7fNOWFVjscZzHy0HpIAVBa2I-GKosarKzIsb7S7wi25UTHqpwYw