Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi nga hyrja e Kuvendit këtë të enjte se protesta e e sotme bëhet me qëllim që të japë mesazhin e fuqishëm se shqiptarët nuk do të lejojnë më regjimin e Edi Ramës të qëndrojë në pushtet.
Sipas ish-kryeministrit tubimi i sotëm inauguron procesin e largimit të qeverisë socialiste nga pushteti dhe theksoi se protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e qëllimit të tyre.
Pyetje: Cili është skenari i protestës së sotme? Duket sikur Kuvendi do të vazhdojë gjatë. Mund të ketë një zhvendosje të protestuesve drejt Parlamentit?
Sali Berisha: Gjithnjë protesta ka skenarin e vet. E rëndësishme është që ne të japim mesazhin tonë të fuqishëm se shqiptarët nuk do ta tolerojnë më këtë regjim, i cili s’meriton të ekzistojë absolutisht as edhe një ditë të vetme.
Pyetje: A do të vazhdojnë protesta?
Sali Berisha: Kjo është protesta që inauguron procesin e largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ç’ka do të thotë se protestat ndalen vetëm atëherë kur realizojnë qëllimin madhor.
Berisha ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë t’i bashkohen protestës në orën 19:00 përballë Kryeministrisë: “Kundër shpopullimit të Shqipërisë, kundër manipulimeve të votës dhe sistemeve elektorale, kundër Ballkanit të Hapur, protestojnë fuqishëm mbarë shqiptarët. Duhet të shpreh mirënjohjen dhe ftesën time për qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të bashkohemi në orën 7 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, para ndërtesës së Këshillit të Ministrave, për të shprehur me protestën tonë vendimin e shqiptarëve për shpëtimin e Shqipërisë nga regjimi kleptokratik i Edi Ramës”.