Ekspertja e integrimit europian: Konferenca e Parë Ndërqeveritare dhe domethënia e ngjarjeve të fundit në Europë

2 Minuta Lexim

Konferenca e Parë Ndërqeveritare, si hapi formal i çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, përbën një moment historik drejt rrugës sonë drejt shtëpisë Evropiane.

Mbajtja e kësaj Konference në të njëjtën ditë me miratimin e kuadrit negociator nga Këshilli tregon vullnetin e qartë për të mos e zgjatur më fillimin e bisedimeve, tashmë të tejzgjatur nga ngërcet e fabrikuara politikisht, që e mbajtën peng frymën e zgjerimit nën terrin e pasigurisë edyshimit të perspektivës Evropiane.

Përgëzime të dy qeverive që insistuan për të treguar që hapja e negociatave është e rëndësishme sa për Ballkanin aq edhe për Evropën.

Politika e zgjerimit nuk është thjesht një dimension i politikës së jashtmë të Bashkimit Evropian, por një vizion për të bërë bashkë ata që besojnë tek krijimi i një hapësire të përbashkët të lirisë, drejtësisë demokracisë, tregjeve të lira.

Dhe nëse Bashkimi do të ecë me “forcën e drejtësisë”, aktivizimi i klauzolës së kalimit nga unanimiteti drejt shumicës së cilësuar për hapjen/mbylljen e grupeve të kapitujve duhet të vijë sa më shpejt.

Përtej idealit të projektit Evropian, ngjarjet e fundit politike në Evropë dhe gjeopolitike, treguan nevojën për të përforcuar sigurinë, vendosur më lart në agjendë shtetin e së drejtëse dhe ridimensionuar zinxhirët e shpërndarjs dhe furnizimit.

Ballkani Perëndimor në këtë paraqitje të re forcash është një aktor dhe partner dhe jo thjesht një oborr apo derë e pasme.

Për më tepër Shqiperia tregoi me vendimet e saj në politikën e jashtme, se vokacionin evropian nuk e ka të importuar e as diçka të rastit, por pjesë të identitetit të saj, që për shkaqe të ngjarjeve fatkeqe historike nuk e ka përshfaqur gjithmonë në mënyrë të natyrshme.

Ndaj në rrugën jo të shkurtër që kemi përpara drejt anëtarësimit të plotë, uroj të mund të rigjejmë së brendshmi rrugën e dialogut politik gjithpërfshirës, frymën e kompromisit dhe punën serioze për të përmbyllur, përsa varet nga ne, çdo fazë të procesit të negocimit.

*Fjoralba Caka, eksperte e integrimit europian.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull