Dom Altini, famullitar i Mamurrasit më çoi te disa murgesha. Motrat janë krejtësisht të izoluara, tha Dom Altini. Janë murgeshat e Fjalës së Mishëruar. Dalin nga kisha vetëm në raste të veçanta.
Murgeshat po na prisnin. Kishin nxjerrë biskota, qershi dhe ujë të ftohtë.
Si jeni, i pyeta
Shumë mirë, thanë motrat
Nuk dilni fare nga ky kafaz?
Dalim vetëm për arsye mjekësore, për dokumenta si dhe për të pastruar oborrin e Kishës
Po pse nuk duhet të keni kontakt me njerëz të tjerë?
Sepse Zoti na ka thirrur ti shërbejmë atij dhe askujt tjetër
Pra ju i jeni dedikuar Zotit duke sakrifikuar familjen dhe jetën normale?
Ne jemi sakrifikuar për të mirën e njerëzimit, për të cilin falemi gjithë kohën
A nuk ka një kontradiktë këtu, i pyeta
Cila është kontradikta, thanë motrat
Po ja, nëse Zoti ka krijuar gruan për të lindur dhe për të ripërtërirë rracën njerëzore, në rastin tuaj Zoti ka vendosur që disa gra të mos bëjnë fëmijë, a nuk është kjo një kontradiktë mes dy parimeve të Zotit ripërtëritjes dhe celibashisë absolute?
Aspak, thanë motrat, gruaja nuk ka lindur vetëm për të bërë fëmijë sepse nuk është një makinë. Zoti ka një plan për secilin prej nesh, dikë e cakton të lindë, dikë e cakton të falet, dikë të shërbejë, dikë të punojë.
Pra ju jetoni vetëm për tu falur?
Ne jetojmë në varfëri, në pastrim dhe në lutje
Po pse jeni të varfra?
Sepse ne nuk na lejohet të posedojmë asgjë përfshi edhe rrobat e trupit, ne përdorim gjëra por nuk i pronësojmë
A jeni të lumtura?
Jemi shumë të lumtura sepse nuk mendojmë si të kemi prona, si të gjejmë një punë, si të sigurojmë para, ne mendojmë vetëm për Zotin
Ka shumë murgesha të tjera që jetojnë normalisht, dalin, dëgjojnë muzikë, njihen me njerëz, pse ju jetoni të mbylluara totalisht?
Rasti jonë quhet clausura constituzonale, dmth mbyllje e plotë. Ne komunikojmë me botën përmes këtij gardhi
Si ushqeheni?
Besimtarët na sjellin për të ngrënë çfarë na duhet
Keni para?
Nëse na japin para i përdorim për të blerë ushqime, ilaçe dhe sende të nevojshme
A flisni me familjet tuaja?
Flasim përmes telefonit
Pra keni celular?
Sigurisht edhe internet
Sa motra jeni këtu?
Jemi dhjetë motra
Nga jeni?
Katër nga Argjentina, një nga Brazili, dy nga Peruja, një nga Spanja, një amerikane dhe një shqiptare
Kush është më e vogla?
Amerikania
Si quhesh, e pyeta
Moira
Nga je?
Nga Minessota
Pse u bëre murgeshë?
Më thirri Zoti
Çfarë të tha Zoti?
E ndjeva që më kërkonte
Kur e ndjeve?
Herën e parë më thirri kur isha 7 vjeç por unë refuzova
Po herën e dytë?
Kur mbusha 18 dhe pranova
Sa fëmijë jeni?
Tre vajza dhe pesë djem
Familjë shumë e madhe, thashë unë
Prindërit e mi lindën tre vajza, nga të cilat unë jam më e vogla
Po djemtë?
Djemtë i adaptuan nga një famile ne Lituani
Adaptuan pesë djem njëherësh?
Po, tha Moira, ata kishin një familje të shaktërruar dhe prindërit e mi i birësuan dhe i morën në Amerikë
Po tani djemtë jetojnë akoma me prindërit e tu?
Ata jetojnë secili më vete por plagët e vjetra si kanë shëruar dot, disa marrin drogë, alkool por sa herë kanë nevojë kthehen tek prindërit e mi.
Po ti si quhesh?
Unë jam Maria de Humiltad
Ky është emri i kishës, po emrin e lindjes si e ke?
Unë e kisha emrin Sara, por tani jam Maria sepse Sara ka vdekur ditën që unë u pranova në urdhër
Nga je?
Nga Argjentina
Të mungon Argjentina?
Ne nuk kemi vend, as atdhe, ne jemi gratë e Krishtit, megjithatë unë isha në Argjentinë kur më vdiq mamaja
Pse të vdiq?
Kancer, por lavdi Zotit nuk vuajti shumë
A ka motra që pendohen dhe dalin jashtë, dmth e lenë manastirin dhe kthehen në jetën e përditshme?
Ka ndodhur, në disa raste
Dhe ato martohen, pra bien në dashuri me burra dhe krijojnë familje?
Murgeshat dalin nga urdhëri për arsye të ndryshme por shumë rrallë për dashurinë e një burri sepse ne jemi të dashuruara me Krishtin që ëshë burri me i bukur, më besnik dhe më i madh nga të gjithë burrat. Ne jemi martuar me Jesunë.
Përderisa jeni martuar edhe mund të divorcoheni, thashë unë
Nuk ka arsye sepse Krishti nuk tradhëton ai është kudo dhe kurdo, thanë motrat
Shpresoj të jetë kështu, thashë unë
Po ti çfarë bën, më pyetën motrat
Unë kam bërë disa gjëra, bëj libra, tani bëj fotografi, jam marrë me politikë shumë vite por e lashë dhe jam shumë i lumtur
A e ke gjetur Zotin?
Ende nuk e kam gjetur por do vazhdoj të eci
Do ta gjesh patjetër dhe ne do lutemi që ti ta gjesh
Do vi prapë dhe do ju sjell biskota, thashë unë
Mirëse të vish, thanë motrat
Edhe diçka, thashë unë
Çfarë, thanë motrat
Kur dilni jashtë Kishës për të bërë pastrimin e oborrit?
E bëjmë me turne një herë në dy tre ditë
Atëhere do vi dhe unë tju ndihmoj të pastroni oborrin
Do vish vërtet?
Sigurisht, sepse kur të jeni jashtë e kam më të lehtë tju fotografoj në dritën e diellit
Dmth do vish për fotografi jo për pastrim?
Epo duhet ti tregoj botës me çfarë grash është martuar Jesu Krishti, thashë unë.