(Mos e humbisni këtë tregim. Nga libri “Thika pa gjak”, botues “Onufri”.)
Kur Bernard Habacia doli në pension të parakohshëm dhe u kthye në vendlindjen e tij, duke deklaruar se do të bëhej rezident aty, banorët shfaqën habi. Vërtet, Bregasi nuk ishte më fshati që kishte lënë dikur, tashmë i ngjante një qyteti të vogël. Por, megjithatë, gjithë ai burrë me karrierë në zyrat e Ministrisë së Brendshme do të mundej, vallë, ta hidhte pas shpine jetën e kryeqytetit?! Aq më tepër që ishte kthyer me të shoqen, Anita Bokaninin, amerikanen me të cilën ishin dashuruar me vështrim të parë. Dhe nuk ishin pak ata që ende e mbanin mend aventurën e tyre. Anita Bokanini kishte ardhur me vëllain nga Nebraska, të ftuar në dasmën e një kushëriri nga trungu i gjakut. Aty u njoh me Bernardin. Ajo fliste anglisht dhe pak shqip, kavalieri shqip dhe ca anglisht. Kaq mirëkuptim krijuan ndërsa danconin, sa në mëngjes, kur krushqit erdhën për të marrë nusen, këta partnerët mungonin. Ai e kishte ftuar të bënin shëtitje me makinë në kryeqytet, të drekonin së bashku dhe pastaj le të vendosnin vetë për fatin e tyre. Se çfarë vendosën u mor vesh shpejt. Vëllai u kthye në Nebraska pa motrën dhe kur e pyetën ku është Anita, u përgjigj gjithë mllef: “Ma rrëmbyen!” Nga mëria që nxori, dukej sikur më tepër se së motrës, atij rrëmbyesit nuk do t’ia falte në jetë të jetëve!
Por ç’përgjigje i dhanë habisë së bregasve bashkëshortët?
Mbasi u vendosën në shtëpinë dhe tokën e trashëguar, si njerëz të drejtpërdrejtë nuk i fshehën qëllimet e tyre. Anita Bokanini tha se atje, në bregun e lumit Mizuri, e mësuar të merrej me derrat në fermën e të atit, do t’i dukej lule të merrej me viçat në fermën e saj. Ndërsa zoti Habacia u deklarua haptazi se do të bënte hetime private për të dielën tragjike. Sapo përmendej ajo e diel korriku, ndonëse kishin kaluar vite, të gjithëve u ngjethej trupi, duke kujtuar gjëmën e madhe të Gropës Thithëse. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që Bregasi të përcillte nëntë arkëmorte në një ditë. Dhe nëntë të vdekurit nën moshën tridhjetë vjeç.
Ndeshja e futbollit si miqësore kishte nisur edhe atëherë. Por përfundoi pas ndërprerjeve të shpeshta, me dy kartona të kuq dhe rezultatin e ngushtë 6:5. Luanin bregasit kundër bregasve, ekipet amatore të dy lagjeve kufitare. Fusha ishte pa rrethim dhe pa dhoma të zhveshjes. Afërmendsh, të djersitur siç ishin, disa futbollistë u nisën drejt lumit. Ata që shkuan, nuk u kthyen më. Autopsia e pati të lehtë të përcaktonte shkakun, mbytja dukej qartazi nga mushkëritë. Por hetime të hollësishme nuk u bënë, sepse duke u trajtuar si ngjarje aksidentale, dosja u mbyll shpejt.
Bernard Habacisë i mbeti pengu qysh atëherë. Ai i tha së shoqes:
“Gropa Thithëse vërtet është e njohur për humbjet e mëparshme.Por si është e mundur që nëntë meshkuj të fuqishëm të mbyten njëherësh aksidentalisht?”
“Edhe derra të kishin qenë”, ia ktheu Anita Bokanini, “të paktën njëri do të kishte dalë nga gjeratoret e ujit.”
Në logjikën e hetimeve të tij, duke pranuar shkakun e vdekjes, Habacia përjashtoi shkakun e mëparshëm të mbytjes. Mbytjet nuk mund të ishin të rastësishme. Po përse kishin ndodhur në atë pjesë të lumit, së cilës të gjithë banorët i shmangeshin?! Sipas tij, këtu po, ndoshta këtu mund të kishte luajtur rol rastësia. Teksa kalonin mbi bregun e lartë, për të zbritur pastaj në pjesën e rrafshët të plazhit, dikujt i kishte rrëshqitur këmba dhe kishte rënë papritur në Gropën me shpella, çarje të tabanit dhe flluska të nënujshme. “Kuptohet vetiu”, thoshin të bindur bregasit në ditët e mortit, “tetë të tjerët u flijuan për ta shpëtuar.”
Hetimet e Bernard Habacisë morën kohë. Por edhe hapën plagë të vjetra. Ai bëri kërkime në terren dhe mblodhi dëshmi, duke vizituar familjet e të ndjerëve, duke takuar bashkëmoshatarë të tyre, pastaj futbollistë që kishin luajtur në atë ndeshje, deri edhe arbitrin që s’i kishte shpëtuar dhunimit fizik. Por lexoi gjithashtu gjithë sa kishte mbetur e shkruar për Bregasin e atij viti, pavarësisht në kishte apo s’kishte lidhje me ngjarjen. Habacia synonte të njihte sa më mirë marrëdhëniet, që kishin pasur viktimat me njëri-tjetrin. Teksa po mbyllte kërkimet, i dha zgjidhje edhe pyetjes që e mundonte: Cili ishte ai që i kishte rrëshqitur këmba, duke u bërë hallka e parë e zinxhirit pasues?
Mbasi analizoi dosjen e tij voluminoze, Bernard Habacia formësoi katër versione për ngjarjen. Por përkohësisht, pasi në përfundim të analizës mbajti vetëm njërin. Atë që i përmbushte më bindshëm rrethanat dhe motivet. Ky është versioni i lidhjeve shkak-pasojë, me të cilin hidhte dritë në kronologjinë e ngjarjes.
Ai që i kishte rrëshqitur këmba, ishte njëri nga vëllezërit Shasili. Me gjasë më i riu. (Mos ia kishte dhënë dikush të shtyrën si padashje?!..) Në atë kohë, ata kishin konflikt të egër mes tyre. I ati donte ta ndante pasurinë dhe djemtë t’i nxirrte shtëpi më vete, ndësa vëllezërit grindeshin për pjesën që lakmonin të merrnin.
Si pa që Norisi po vonohej për të dalë në sipërfaqe, Gramozi murmuriti: “Një rast si ky nuk më vjen herë tjetër! Nëse ai vdes ende pa u martuar, e gjithë trashëgimia më mbetet mua.” Kur u hodh në ujë, në krahasim me të vëllanë, kishte epërsi rreth një minutë për mbajtjen e frymës në thellësi. Aq sa i mjaftonte për ta mbërthyer deri në vdekje tjetrin.
Afërsisht një minutë priti në stomin e lartë edhe Armandi. “Qelbanik”, shfreu me vete për Gramozin, “jo vetëm penalltinë ma more me hilè, por u ndëshkova edhe me karton të kuq. Për fajin tënd u përmbysën bastet dhe unë humba makinën.” Pastaj, duke mbyllur gojën dhe duke zënë hundën me pëllëmbë, u lëshua vrinkthi më këmbë.
Tashmë Kocani i Bërrylit (me këtë nofkë njihej) nuk po ia ndante sytë ujit. Ai tha me zë: “Po bëjnë shaka ata poshtë, apo si është puna?” Por nën zë foli ndryshe për Armandin: “Pa më thuaj tani, këlyshi i kurvës, çfarë doje parmbrëmë në diskotekë?! Nuk të kënaq lagjja jote për marijuanën, por dashke edhe territoret e mia të kokainës?!”
Nuk u shpëtoi etheve të hakmarrjes as Tushi i Nurkës, gruas më të bukur të Bregasit. Në festën lokale, me tryezat ngjitur e ngjitur, herë pas here Kocani ia kishte ngacmuar të shoqen. Madje guxoi t’i thoshte ballazi: “S’je burrë për atë grua ti!” Dhe kur Tushi deshi të mbante qëndrim, tjetri i kishte hedhur një vështrim si mes gishtash, por aq përbuzës, sa të pranishmit ia ndjenë zemërimin përvëlues. “M’u duk sikur do të ngrihej nga vendi, do të ta këpuste veshin me dhëmbë, pastaj do ta hidhte në pilafin që po haje”, i tha Nurka të shoqit më vonë. Andaj, përpara se të hidhej në ujë, Tushi iu drejtua me mend Kocanit të Bërrylit: “Kanibal, më prit tani, se të erdhi ora!” Ai ishte vonuar kastile për të pasur më tepër se një minutë epërsi në oksigjen.
Po si mund t’ia falte Tushit konkurrencën e pandershme Luzi Fortuzi?! Duke shfrytëzuar tërheqjen që krijonte Nurka (“Kurvica, po i tërbon hamshorët me cica!”),Tushi kishte hapur një kafene ngjitur me lokalin e Luzit dhe e kishte falimentuar mizorisht, pa dashur t’ia dinte aspak për hallet e tjetrit. Për të ngritur atë biznes, Luzi Fortuzi kishte marrë kredi bankare, duke lënë si garanci garazhin e tij dhe apartamentin e prindërve. Në rrugë të madhe t’i hidhte pleqtë tani?!.. Në çastin që vendosi të hidhej në ujë, duke u sprapsur pak për të marrë hov, Luzi i falimentuar u mbush mirë me frymë dhe…
Dhe mbas të gjashtit e pësuan tre të tjerët. Por, siç pohonte kronologjia, gjithnjë me një motiv paraprak: I dyshuar për pjesëmarrje në rrëmbim personi. Dëshmitar i rremë në një gjyq për trafikim të mishit të bardhë. Shemër në dashurinë për Eva Zakon dhe tritol i telekomanduar nën shasinë e makinës.
Ky version i analizës hetimore mbyllej me arsyetimin: “Duket sikur për mbytjen ata zgjodhën parimin: Të gjithë si një dhe një si të gjithë. Ndërsa kur panë vdekjen me sy, ndoshta kaluan në situatën: Secili për vete dhe Zoti për të gjithë. Mirëpo, për shkak të përleshjeve të gjata, tashmë s’u kishte mbetur pikë fuqie për shpëtimin.”
Megjithatë, Bernard Habacia nuk nxitoi për ta paraqitur dokumentin në prokurori. Ishte e pritshme që atje do ta pyesnin: keni ndonjë provë se zinxhiri mund të funksionojë në këtë mënyrë? Për të krijuar bindje, ai la të shoqen, Anita Bokaninin, të merrej me administrimin e fermës, kurse vetë u nis për në Nebraska, ku ndodhej Laboratori Natyror i Gropave Thithëse. Kanë kaluar pesë muaj qysh atëherë dhe ai nuk është kthyer. Në Bregas kanë filluar të thonë që, nëse mbytjen e ka testuar me kunatin, mund të mos kthehet kurrë. (Tiranë, 2020)