Harta Gjyqësore/ “Nuk kemi ardhur të dëgjojmë kërcënime”, përplasje tek “Ligjet” pas deklaratës së Manjës

3 Minuta Lexim

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka shkaktuar një debat gjatë seancës dëgjimore për hartën gjyqësore. Ai ka deklaruar se Dhoma e Avokatisë, ka shfuqizuar listën e avokatëve që u japin ndihmë juridike falas qytetarëve.

Për këtë, ai tha se do kërkojë që të ndryshohet ligji për t’ia hequr këtë të drejtë Dhomës së Avokatisë. Kjo ka sjellë reagimin e deputetit të PD-së, Gazment Bardhi i cili e konsideroi deklaratën e Manjës si kërcënim.

Drejtuesja e diskutimit, Klotilda Bushka ka ndërhyrë duke thënë se nëse Bardhi nuk qetësohet, do të ndërpresë mbledhjen.

REPLIKAT:

Manja: Nuk funksionon procesi pa avokatin. Prandaj ligjvënësi kur bëri reformën në drejtësi, është kujdesur që në nenin 7 të ligjit për statusin e magjistratit, thuhet se magjistratit i kufizohet e drejta e grevës. Avokatët e kanë të kufizuar këtë të drejtë. Pavarësisht se janë profesion i vetëorganizuar, Kushtetuta nuk ia ka dhënë një kategori shërbimi që paguhet me një kontratë shërbimi me klientët.

E drejta është e kufizuar për avokatët. Më lejoni të sjell në vëmendje të deputetëve. Kanë shfuqizuar edhe listën e avokatëve që japin ndihmë juridike falas për kategoritë vulnerabël, ku shteti shqiptar nga 2019-a dhe sot që flasim ka dhënë miliona lekë për ndihmë juridike falas. E kanë shfuqizuar në kundërshtim me ligjin, çka më ka bërë si ministër i Drejtësisë që t’i drejtohem ligjvënësit për një ndryshim në ligjin e avokatisë, ku siç ia kemi kufizuar magjistratëve në nenin 7…

Bardhi: A ka mundësi se nuk kemi ardhur të dëgjojmë kërcënime.

Bushka: Kolegë ju lutem, nuk e kuptoj që shqetësoheni për deklaratën e ministrit. Ndërkohë që ndihmën juridike falas ia kemi garantuar qytetarëve, dhoma e avokatëve e ka shfuqizuar. Sot qytetarët janë pa mbrojtje.

Bardhi: Ti po i heq gjykatat qytetarëve, po u shqetësoke ti…

Bushka: Zoti Bardhi të lutem mos më ndërprit, mos e bëni më. Ju kam dëgjuar dhe respektuar. E keni shumë të keqe mungesën e edukatës. Kur flet dikush, dëgjojeni me respekt siç ju dëgjojnë juve. Tani disa herë jua kemi tërhequr vëmendjen. Nuk jemi në kor këtu, ka rregulla.

Çupi: Nuk jemi në riedukim

Bushka: Nëse nuk jemi në riedukim, silluni sikur nuk jemi në kafe. Sikur nuk jeni në një vend që flasin në të njëjtën kohë.

Bardhi: Ty të mori fjalën ministri qëparë dhe nuk i the gjë.

Bushka: Nëse doni të bëni kor, unë e mbyll dëgjesën. Kur gjatë mbledhjes prishet qetësia, ndërpritet mbledhja. Do qetësoheni? Bardhi do pushosh të lutem. Apo ta ndërpres sipas rregullores.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull