“Himara International Music Festival”

2 Minuta Lexim

“Himara International Music Festival” vjen në edicionin e tij të parë për të sjellë pranë publikut muzikën më të bukur jazz, tango , klasike e kontemporane, të performuar nga 11 artistë ndërkombëtarë.

Festivali do të zhvillohet  nga data 5 deri më 11 Gusht, në fshatin e vjetër te Himarës, një nga vendet më të bukura të rivierës Shqiptare, ku bëhen bashkë natyra, kultura e historia mijëravjeçare.

“Himara International Music Festival” vjen nën drejtimin artistik të dy pianistëve shqiptarë Rea Veizi dhe Endri Nini të cilët prej vitesh zhvillojnë aktivitetin e tyre artistik në Europë.

“Vizioni ynë për këtë festival ishte që të sillnim një aktivitet me karakter ndërkombetar, ku të performohej një shumëllojshmëri zhanresh muzikore nga artistë shumë të mirë, e  ku gjithësecili të mund ta gjente veten brenda programcionit që festivali ofron. Jemi të lumtur që këtë vit do të kemi pesë koncerte, ku do të performojnë artistë shume të suksesshëm nga Shqipëria, Franca, Gjermania, Japonia, Sllovenia, Kuba, si: Ana Carla Maza, Matthias Kirschnereit, Duo Neria, Loanh Mirande e kuarteti Berlin-Tokyo. Gjithashtu, do të ketë vepra që luhen për herë të parë në Shqipëri.

Dëshira dhe qëllimi ynë është që festivali të kthehet në një traditë në Hiamrë, ku nëpërmjet një porpozimi artisik interesant të një niveli të lartë, të krijojmë një alternativë kulturore për pushuesit e Himarës, si dhe të tërheqim turistë e artdashës jo vetëm nga Shqiperia por edhe jashtë saj, duke e vendosur Himarën në panoramën kulturore Europiane”, shprehen me entuziazë Rea Veizi dhe Endi Nini.

Edicioni i parë i “Himara International Music Festival” do të mbahet në Kishën e Gjithë Shenjtorëve, në fshatin e vjetër të Himarës. Kjo kishë daton që në 1775 dhe përshtatet më së miri me dëshirën e dy drejtuesëve të Festivalit për të bashkuar muzikën me trashëgiminë kulturore të vendit për të sjellë kështu pesë netë magjikë për publikun.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull