Ndërkohë që shifrat e vitit 2020 paraqiten pozitive sa i përket numrit të divorceve në Tiranë, krahasuar me vitin paraardhës, të dhënat për vitin 2021 tregojnë se numri i divorceve ka pësuar rritje me 39%, duke u afruar shumë pranë nivelit të vitit 2019-të. Janë 1,863 martesa të shkurorëzuara gjatë vitit 2021, ndërkohë që përgjatë vitit 2020 ky tregues ishte 1,340. Thënë ndryshe në shifra absolute, viti që lamë pas regjistron 523 divorce më shumë se viti i pandemisë.
“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e Bashkisë Tiranë për secilën njësi administrative për vitin 2021 duke dalë në përfundimin se Njësia 11, e njohur ndryshe si “Lapraka” regjistron numrin më të lartë të divorceve me, 199 të tilla. E dyta në renditje e cila ka regjistruar numrin më të lartë të divorceve është Njësia 5 ose “Tirana e Re” me 197 divorce, ndjekur nga “21 Dhjetori” me 188 divorce. Ndër njësitë e vjetra të Tiranës, ajo me numrin më të ulët të divorceve është Njësia 1, e njohur ndryshe si “Ali Demi”, me 68 divorce. Në total, njësitë me më pak divorce janë njësitë e reja administrative të Bashkisë Tiranë, ku të dhënat tregojnë se në Njësinë Shëngjergj nuk është regjistruar asnjë divorc, ndërsa në Baldushk e Bërzhitë janë regjistruar nga dy divorce.
Megjithatë për të patur një panoramë sa më të qartë të numrit të divorceve në raport më popullsinë e secilës lagje, “Scan Intel” ka analizuar numrin e divorceve për 1000 banorë. Nga të dhënat e përpunuara del se edhe në raport me popullsinë, “Lapraka” ka numrin me të lartë të divorceve, me 3.1 për 1000 banorë, ndjekur nga “Myslym Shyri”, me 2.8 divorce për 1000 banorë dhe Njësia “Krrabë”, me 2.6 divorce. Ndër njësitë me numrin më të ulët të shkurorëzimeve në raport me popullsinë janë njësia “Shëngjergj”, “Bërzhitë” dhe “Baldushk”. Njësitë administrative të reja të Tiranës, që kanë dhe një popullsi kryesisht rurale duket se janë edhe më konservatpret sa i përket martesës si institucion. Nëse do të merrnim në analizë vetëm njësitë e vjetra të Tiranës bie në sy se “Ali Demi” është njësia e cila ka numrin më të ulët të divorceve për 1000 banorë, me 1.3, dhe pasohet nga “Selvia”, me 1.8 divorce. Gjatë vitit 2020, “Selvia” ishte në vend të parë për numrin e divorceve në raport me popullsinë, dhe ndiqej nga “Kinostudio” dhe “Lapraka” (shiko këtu). Ndërkohë nga të dhënat rezulton se mesatarja e divorceve për Tiranën gjatë vitit 2021 është 1.7 divorce për 1000 banorë.
Nëse do të krahasonim vitin 2021 me vitin 2020 sa i përket numrit të divorceve, shohim se me rënie paraqiten njësitë si “Selvia”, “Ali Demi”, “Farka”, “Zall Herri’, “Ndroqi”, “Bërzhita”, “Baldushku” dhe “Shëngjergji”. Rënien më të lartë ndër lagjet e vjetra të Tiranës e regjistron njësia e “Ali Demit” me 20.9%, ndërsa rritjen më të lartë e ka regjistruar “Myslym Shyri” me 113%, ndjekur nga “Lapraka” me 71.6%.
Të dhënat ndër vite tregojnë se viti 2021 është viti i dytë i cili regjistron numrin më të lartë të divorceve që prej vitit 2010 kur janë të disponueshme të dhënat. Viti 2019-të kryeson me numrin më të lartë të divorceve me 1,890 të tilla. Shifrat bëjnë me dije se në harkun kohor të 11 viteve, viti me numrin më të ulët të divorceve në Tiranë është viti 2011 me 1,213 divorce.