MAQEDONIA E VERIUT DHE SHQIPËRIA “SHOHIN” EVROPËN

3 Minuta Lexim
Nga FRANCESCA BASSO
Këtë herë jemi. Nuk ka më pengesa për hapjen e bisedimeve për hyrjen në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. E ardhmja e dy Vëndeve në BE është e lidhur e pa Shkupin as Tirana nuk mund të bënte përparime. Dje Parlamenti maqedonas ka miratuar propozimin e çuar përpara nga kryesia e rradhës franceze (ka mbaruar detyrën në fund të qershorit e zëvendësuar nga ajo Çeke), që kishte si synim të kalonte ngërçin në sherrin historik identitar me Bullgarinë.
Nuk ka qënë e lehtë, deputetët e opozitës konservatore, kundërshtarë të dokumentit, kanë dalë nga salla përpara votimit. Dhe dje ka patur protesta përpara Sobranies me thirrjet “Jo bullgarizimit” dhe “Nuk jemi një protektorat”. Kanë kaluar 18 vite që kur Shkupi ka bërë kërkesën për hyrjen. Vite zotimesh të mëdha e reformash. Në 2018 ka pranuar të ndryshojë emrin në Maqedoni të Veriut, për të shmangur njëjtësinë e emrit me krahinën e Maqedonisë që ndodhet në Greqi, për t’i dhënë fund një sherri tridhjetëvjeçar me Athinën që kërcënonte veton (për të hapur bisedimet për hyrjen nevojitet njëzëshmëria e Shteteve antarë).
Pastaj erdhi rradha e Bullgarisë, që ka hequr veton e saj në 24 qershorin e shkuar. Një ditë më parë në Bruksel në një takim të nivelit të lartë ndërmjet drejtuesve të BE e atyre të Ballkanit Perëndimor, kishte nxjerrë në pah zhgënjimin e atyre Vëndeve, që po presin prej vitesh të shikojnë të sendërtuar t’ardhmen e tyre në Bashkim. Kryeministri shqiptar Edi Rama kishte shpjeguar se ishte “peng” i Sofjes për arsye të politikës së saj të brëndëshme. E disa Vënde të ndryshme kanë qortuar Bullgarinë. Me përjashtim të ndonjë të papriture, të hënën ambasadorët pranë BE do të përshtasin kuadrin e bisedimeve e të martën do të zhvillohen konferencat ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një gjë është e sigurtë, nëse BE nuk ndryshon mënyrën e marrjes së vendimeve, duke tejkaluar njëzëshmërinë, do të mbetet rob i vetove dhe egoizmave kombëtare.
“Corriere della Sera”, 16 korrik 2022 Përktheu Eugjen Merlika

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull