Shënime nga Kuba – Arben Kallamata

12 Minuta Lexim

I

Kjo është një foto nga qyteti Kaibarien (Caibarien) në provincën e Santa Klarës. Eshtë pjesa e re e qytetit – dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë asnjë nga këto ndërtesa parafabrikate nuk ekzistonte. Ne shqiptarëve na kujtojnë shumë gjëra, edhe ndërtesat, edhe hekurat e dritareve. Për kubanët janë parajsa e ëndërruar. Apartamentet iu jepen si shpërblim vetëm atyre që punojnë për turizmin në hotelet e plazheve aty pranë. Pas pesë vjetë pune merr të drejtën të hysh në apartament. Pas pesëmbëdhjetë vjetëve qera, apartamenti bëhet i joti. Po t’i krahasosh apartamentet me shtëpitë e tjera të qytetit duken luks i vërtetë.

Vini re fuçitë e mëdha blu në taracat e ndërtesave. Janë depozita uji, kuptohet. Ujësjellësi i ndërtuar dhjetëvjeçarë më parë, ishte parashikuar vetëm për pjesën e vjetër të qytetit. Tani popullsia është dyfishuar, ndërsa sasia e ujit po ajo. Shoqëruesi në autobuz na shpjegoi se në qytet uji vjen një herë në katër ditë.

Po, shoqëruesit flasin edhe për mungesat, vështirësitë, varfërinë dhe padrejtësitë. Në dallim nga njëzet vjet më parë kur flisnin me entusiazëm vetëm për fitoret e revolucionit dhe për jetën e shkëlqyer në komunizëm, tani iu është hapur goja. Në fakt, hapja (e gojës) ka ardhur gradualisht. Tashmë edhe parrullat e shumta në rrugë, ku mbizotërojnë ato për Çe Guevarën, janë rralluar. Ndoshta drejtuesit e shtetit kuban po heqin dorë nga propaganda revolucionare. E ç’iu duhet? Ne ruajmë sundimin, juve jepini llapës sa të doni. Po qe se iu shkon mendja të protestoni, iu shtypim si miza.

Në të katër anët e botës ata që sundojnë po e vrasin mendjen gjithmonë e më pak për -izma. Tani sundohet pa teori, pa komunizëm, pa fashizëm, pa… Sundohet kryesisht me gogolë, me armiq realë apo imagjinarë: i majti, i djathti, diktatori, luftënxitësi, terroristi, embargoisti.

Propaganda vazhdon vetëm në lidhje me, ose më saktë, kundër Amerikës. Për të gjitha, veçanërisht për varfërinë dhe mungesat e ka fajin Amerika dhe embargoja e saj. Popullit i duhet një përrallë me një armik të madh që sjell fatkeqsi.

II.

Kuba duket në prag të falimentimit. E pasaktë. Kuba e ka kaluar me kohë fazën e falimentimit. Aq keq është puna saqë mungesat duken edhe në vitrinë – në hotelet për të huaj, shpresa e fundit e ekonomisë kubane.

Dikur vendi mbahej me prodhimin e sheqerit, duhanit dhe rumit. Amerikanët u munduan t’i sabotojnë duke prodhuar sheqer me shumicë dhe më lirë, por Kubanët vazhduan të mbanin tregje sheqeri në BRSS dhe Europën Lindore. Pas 1990 edhe ky treg u mbyll. Mbetën duhani dhe rumi. Duhanin s’para e ka qef njeri tani, ndërsa rumi ka shumë konkurrentë. Shpresa e fundit për të nxjerrë ndonjë pare është turizmi. Bum – Pandemia e Kovidit.

Kjo e fundit duhet t’i ketë trembur keq. Kur mbërritëm në hotel na ra në sy mirësjellja e pazakontë dhe përkujdesi për të mos lenë asnjeri të pakënaqur. E para gjë që të shkon në mendje është: Këto dy vjet këta do ta kenë kuptuar se ç’do të thotë të humbasësh klientët. Po t’i lexosh shënimet që shkruajnë pushuesit për përvojat e tyre në Kubë këto kohët e fundit, të bien në sy lavdërimet për mirësjelljen dhe dashamirësinë e personelit.

Surpriza më e këndëshme – kanë instaluar internetin. Tani mund të lidhesh edhe nga dhoma, ndërsa përpara pandemisë të nxinte jetën një kompjuter i ngadalshëm që të merrte paret dhe nuk të jepte mundësi për një orë të kontrolloje emailin.

Mungon letra, çdo lloj letre me përjashtim të asaj higjenike. Një nga punonjësit na shpjegoi se në fabrikën e letrës ishte prishur një pajisje dhe nuk po e zëvendësonin dot. Nuk i le Amerika ta zëvendësojnë(?!). Mungesa e letrave i detyron që në restorant të shërbejnë me peceta të bardha prej lecke, të cilat duhen larë vazhdimisht. Kjo bën që makinat larëse të jenë të zëna me pecetat dhe jo me peshqirët. Pushuesit e shkretë heqin picirin për të ndërruar peshqirët e plazhit dhe ato të banjës.

III.

Mungon nafta, benzina. Kuba nuk prodhon naftë. Sa ishte Fideli gjallë, atë e merrnin nga Venezuela. Çavezi ishte mik i ngushtë i Kastros. Madje ka zëra që grushtin e shtetit në Venezuelë e kanë organizuar trimat operativë të Kastros me qëllim që ky të kishte kontroll mbi naftën e Venezuelës.

Por punet duhet të kenë ndryshuar. Nga qyteti Kaibarien ku banojnë në parafabrikate punonjësit e hoteleve, deri te plazhet është një rrugë dyzetetetë kilometra. Punonjësit i lëvizin me autobuzë. Por tani që s’ka naftë s’ka as autobuzë. Shumë punonjës i mbajnë dy-tre ditë rresht në hotel.

Administratorët e hoteleve kanë qënë të detyruar të bëjnë një lëshim. Punonjësit mund të hanë në restorant. Kjo ka bërë që shumica e kamerierëve dhe shërbyesve të tjerë të jenë mbi peshë. Dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë të bënte përshtypje sa elegantë ishin kubanët. Tani të bën përshtypje sa të shëndoshë janë.

Nuk jam kundër që punonjësit të ushqehen në hotel, por duhet të bëjnë pak kujdes se nuk është mirë për shëndetin. Vështirë t’i këshilloje të hanin më shumë zarzavate, pasi zarzavatet mungonin thuajse plotësisht. Me përjashtim të bizeleve, patateve, orizit, dhe lakrave, nuk gjen gjë tjetër të mbirë në tokë. Mishi dhe peshku janë me bollëk.

Po ankohem shumë, më duket. Kushdo mund të pyesë: Për çfarë dreqin shkon atje? Më mirë se ta shpjegoj, shikoni fotot.

IV.

Dikur, para Kovidit, në hotelet kubane gjeje turistë nga gjithë bota, me përjashtim, kuptohet, të amerikanëve. Por hasje shumë edhe nga Europa. Këtë vit thuajse të gjithë turistët në hotelin tonë janë nga Kanadaja. Kam hasur vetëm një çift italian, nga Siçilia, si dhe një italian tjetër të cilin e identifikova nga kapelja me stemë të Alfa-Romeos.

Çfarë do bënte Kuba po të mos i vinin pushues nga Kanadaja?

Do t’i kishte hotelet bosh.

Tani për turistët nga Kanadaja. Familja në të djathtën tonë vjen nga Kanadaja, por flasin rusisht. Më tutje është një çift që flasin serbisht. Pas tyre dy familje që flasin gjithashtu rusisht dhe më tutje një familje e madhe që flet spanjisht. Të gjithë nga Kanadaja.

Janë edhe një grup i madh, shumë i madh vietnamezësh, rreth 25-30 vetë. Edhe këta nga Kanadaja.

Edhe ne vijmë nga Kanadaja. Si ne, edhe nja tre familje të tjera shqiptare, po nga Kanadaja.

Kanadezët e rritur flasin anglisht me aksent të huaj. Fëmijët flasin anglisht pa aksent. Është edhe një grup kanadezësh nga Montreali që flasin frëngjisht. Kanadezët e rritur që e flasin anglishten pa aksent nuk para shkojnë në Karaibe për pushime. Pëlqejnë më shumë ato që i quajnë “cottage”, shtëpitë e pyllit, buzë liqeneve. E vajtura në Kubë apo në Meksikë iu duket aventurë që ia vlen ta ndërmarrësh vetëm në dimër.

Kë do dërgonte Kanadaja në plazhet e Kubës po të mos kishte imigrantët?

Çfarë do bënte Kuba po të mos i vinin si pushues imigrantët e Kanadasë?

Do t’i kishte hotelet bosh, vetëm me dy-tre familje frëngjishtfolëse nga Kebeku dhe me tre italianë.

V.

Imigrantët e Kanadasë vijnë në Kubë. Kubanët emigrojnë kryesisht në Shtetet e Bashkuara, kuptohet në rrugë të tërthorta. Një punonjës i hotelit na shpjegonte se si ata që duan të shkojnë në SHBA kalojnë fillimisht në Nikaragua, ku mund të futen lirisht, dhe prej andej drejtohen për në Meksikë dhe, më tutje, në Amerikë.

Përqëndrimi më i madh i kubanëve në SHBA është në Florida. Kubanët e Floridas urrejnë Kastron e komunizmin dhe i ushtrojnë presion qeverive amerikane që të shtrëngojnë sa më shumë embargo ekonomike kundër vendit të tyre, duke shpresuar që komunistët kubanë do të dorëzohen.

Florida është shtet që voton kryesisht për Republikanët dhe në këtë anim politik luan një rol të rëndësishëm edhe komuniteti i kubanëve. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 kur konkurronin Al Gore dhe Xhorxh W. Bushi, Florida për pak kaloi nga ana e demokratëve. Të dyja partitë në SHBA e dinë se sa rëndësi ka për zgjedhjet presidenciale komuniteti kuban, prandaj mundohen ta marrin me të mirë atë. Obama ishte i vetmi që bëri hapa për normalizimin e marrëdhënieve SHBA-Kubë, duke vendosur edhe marrëdhënie diplomatike dhe liruar bllokadën ekonomike. Trump-i zhbëu gjithçka që kishte bërë Obama, madje edhe e shtrëngoi ca. Biden nuk ka bërë asnjë hap për të zhbërë atë qe bëri Trampi.

Ka gjashtëdhjetë vjet që Amerika i bën embargo ekonomike Kubës sepse ka presionin e kubanëve të Amerikës. Ka gjashtëdhjetë vjet që politika e embargos nuk ka pasur kurrfarë suksesi. Komunistët e Kubës nuk dorëzohen sikur edhe bar të hanë. Ai që ha bar është populli kuban, sepse ata që sundojnë në Kubë nuk hanë bar. Me një fjalë, kubanët e Amerikës i bëjnë presion qeverisë amerikane që të shtrëngojë embargon ndaj Kubës duke shkaktuar varfërimin e vazhdueshëm të popullit kuban.

VI.

Kubanët mburren se kanë plazhet më të mira në botë. Në fakt kanë plazhe shumë të bukura. Kush shkel në Santa Klara i thonë se plazhi më i mirë i Kubës është padyshim në Kajo Ensenachos. Për Mozën dhe mua, Kajo Ensenachos është vendi më i bukur në botë. Deti është kryesisht i qetë, me një sipërfaqe si pasqyrë; rëra është e bardhë dhe pak e ngjeshur, e përsosur edhe për të ecur përgjatë bregut. Përgjithësisht është vend i qetë, me pak pushues, dhe të krijon ndjesinë e një plazhi privat. Natyra përreth është sa e patrazuar, aq edhe e patrazueshme. Kur del shëtitje gjen guacka të mëdha sa një pjepër që në anglisht quhen kang (conch shells), yje deti të mëdhej, peshq dhe gaforre me shumicë, si edhe lloje të ndryshme zogjsh. Në ishull nuk ka asnjë kafshë katërkëmbëshe.

Kur je atje, rrallëherë të shkon mendja se ka gjë tjetër më të rëndësishme në botë.

©Arben Kallamata

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull