Shtohet misteri mbi veprimin e Zelensky-t, shmangu një puç apo ishte kërkesë e BE-së

8 Minuta Lexim

Shkarkimi i Prokurores së Përgjithshme dhe i kreut të shërbimeve sekrete të Ukrainës nga presidenti Volodymyr Zelensky, u prit me një habi të madhe, para së gjithash sepse krijon përçarje në administratën ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit rus, presidenti është përpjekur gjithmonë që ta kompaktësojë qeverinë dhe zyrtarët e tij të lartë.

Dhe Iryna Venediktova dhe Ivan Bakanov ishin në mesin e tyre. Arsyet e paqarta të këtij vendimi, po e shtojnë akoma më shumë konfuzionin. Sipas Zelensky, më shumë se 60 punonjës të institucioneve të kryesuara nga këta 2 zyrtarët, kanë bashkëpunuar me ushtrinë ruse në territoret e pushtuara, duke vepruar kundër shtetit ukrainas.

Presidenti bëri me dije se në total janë ngritur 651 padi, me akuzën e tradhtisë së lartë ndaj zyrtarëve ukrainas dhe atyre të zbatimit të ligjit. Sipas Kushtetutës së Ukrainës, presidenti nuk ka kompetenca të shkarkojë 2 zyrtarët nga detyra. Në fakt, vendimi përfundimtar erdhi pas një votimi në parlament.

A u nxit kjo lëvizje nga frika e një grushti shteti në Kiev? Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës, Yevhinnii Yenin, thotë se muajin e kaluar pati dyshime mbi shumë se 800 persona, si të përfshirë në aktivitete sabotuese dhe zbuluese për llogari të rusëve, shumë prej tyre civilë.

Këta njerëz janë arrestuar dhe u janë dorëzuar shërbimeve ukrainase të sigurisë. “Ne kemi sabotuar një komplot rus që synonte të godiste udhëheqjen e qeverisë”- tha Yenin, duke specifikuar se forcat e zbatimi i ligjit kanë ngritur 123 grupe kundër-sabotazheve, me një total prej të paktën 1.500 anëtarësh.

Ndërkohë, në fshatrat dhe qytetet e Ukrainës Lindore, rajoni më pro-rus i vendit, ushtarët janë gjithmonë të shqetësuar dhe me të drejtë për kërcënimin që u vjen nga ata që janë rreshtuar në krahun e trupave ruse, dhe në një mënyrë pak a shumë të fshehtë. “Kremlini ka informatorë të të gjithë llojeve, të cilët shpesh bashkëpunojnë pasi u premtohet një vend pune në një administratë të ardhshme të kontrolluar nga Rusia”- shkruan New York Times.

Ndoshta është kjo arsyeja pse Zelensky e humbi besimin tek kreu i shërbimi sekret, Bakanov, një mik i tij për shumë vite, që kur u bë aktor i famshëm, dhe deri në hyrjen e tij politikë në vitin 2019. Që në qershor, Christopher Miller, korrespondent i Politico në Ukrainë, shkroi se Zelensky po mendonte largimin e Bakanov nga Shërbimi i Sigurisë (SBU), një institucion gjigant prej 27.000 punonjësish (sa për krahasim, MI5 britanike ka vetëm 4.400 punonjës), pasi e kishte humbur prej kohësh besimin tek ai.

Arsyeja kryesore është humbja e menjëhershme e Kherson, në bregun e Detit të Zi, pika më strategjike e kësaj lufte. Sipas këtij leximi të ngjarjeve, nuk është rastësi, që në kohën që Bakanov u lirua nga detyra – për t’u zëvendësuar përkohësisht nga zëvendësi i tij Vasyl Malyuk – u arrestua miku i tij, Oleg Kulinich, që deri në mars ishte numri 2 i shërbimeve sekrete në Krime, gadishulli nga i cili u nis kolona e tankeve që e pushtoi Kherson-in brenda pak orësh.

Bakanov akuzohet se u ka dhënë informacione konfidenciale forcave speciale ruse. Ish-kreu i Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës, u mbrojt duke thënë se falë punës së agjencisë së tij, trupat ruse nuk ishin në gjendje ta pushtonin Kievin:”Rusia planifikonte ta pushtonte Kievin brenda 3 ditësh. Ne ndërtuam paraprakisht një linjë mbrojtjeje për t’i neutralizuar pushtuesit”- deklaroi ai përmes një postimi në rrjetin social Telegram.

Por mbi Bakanov rëndonte edhe një akuzë tjetër, ndoshta më vendimtare në largimin e tij:Radio Evropa e Lirë, nënvizoi pak kohë më parë se si ish-zyrtari mban gjithashtu një post të nivelit të lartë në një kompani private të regjistruar në Spanjë, duke shkelur kështu një ligj kundër korrupsionit.

“Që nga vitit 2015, Ivan Bakanov mbante postin e drejtorit të vetëm në kompaninë Nueva Tierra Verde Sociedad Limitada”-shkruan REL. Neni 25 i ligjit ukrainas për “Parandalimin e Korrupsionit”, thotë se personat që zënë poste publike ndalohen “të jenë anëtarë të këshillave, organeve të tjera ekzekutive ose mbikëqyrëse, si dhe në bordet mbikëqyrëse të ndërmarrjeve tregtare apo organizatave fitimprurëse”.

Përveç kësaj, humbja e Kherson-it është vetëm një nga dështimet e Shërbimit Sekret Ukrainas (SBU) në këtë konflikt. “Në prill, Zelensky shkarkoi 2 gjeneralë të lartë të SBU, Andriy Naumov dhe Serhiy Kryvoruchko, pasi ata shkelën betimin e tyre dhe tradhtuan atdheun e tyre,” shkruan portali “Kyiv Independent”.

Naumov ishte ish-shefi i sigurisë së brendshme të agjencisë, ndërsa Kryvoruchko drejtoi shërbimin e sigurisë në Kherson. Një çështje tjetër, ka të bëjë me Iryna Venediktova, e cila ishte Prokurore e Përgjithshme që nga marsi 2020, dhe konsiderohej si një tjetër figurë shumë besnike ndaj presidentit.

Gjatë 2 viteve të fundit, ajo ka qenë shpesh objekt kritikash nga media dhe aktivistët kundër korrupsionit, të cilët e kanë akuzuar për dështimin e saj për të ndjekur penalisht çështje me

një ndjeshmëri të madhe. Po ashtu ata kanë denoncuar sabotimin e disa hetimeve për korrupsion ndaj njerëzve pranë Zelensky, përfshirë anëtarë të partisë dhe administratës së tij.

Pra rastet e Venediktova dhe Bakanov po shkaktojnë shumë diskutime, por nuk janë të vetmet. Para tyre u shkarkua Roman Dudin, shefi i SBU-së në Kharkiv. Po ashtu edhe Igor Sadokin, ndihmës i Kryvoruchko-s, shef i shërbimit të sigurisë në Kherson; dhe Gennadii Lahutia, kreu i administratës ushtarake në Kherson.

Ndërkohë më 10 korrik Zelensky shkarkoi 5 nga të dërguarit e lartë të Ukrainës jashtë vendit. Ata janë ambasadorët e Ukrainës në Gjermani, Indi, Republikën Çeke, Norvegji dhe Hungari, megjithëse presidenti foli për “rotacion, që është pjesë e praktikës normale të diplomacisë”.

A mundet që kjo listë e gjatë spastrimesh, e cila preku edhe zyrtarët joefikasë me probleme me korrupsionin, të ketë lidhje edhe me një grusht shteti të mbetur në tentativë? Kjo nuk është e qartë.

Por kjo është ajo që pretendon administrata Zelensky, e cila thotë se Kremlini ka marrë garanci nga disa zyrtarë ukrainas – me gjasë ata të emëruar nga ish-kryeministri pro-rus Viktor Yanukovych – se nuk do të kishte rezistencë. Atëherë do të niste një operacion i fshehtë, dhe potencialisht ende i pa sabotuar plotësisht, që do të çonte në një riorganizim të pushtetit në Kiev. / Përktheu: abcnews.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull