Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë ditës sotme do të takojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Fokusi i bisedimeve do të jetë ndërtimi i një baze detare të aleancës në bregdetin shqiptar, pas dakordësisë për ndërtimin e bazës ajrore të organizatës në Kuçovë.
Bëhet fjalë për një bazë në Porto Romano, 40 minuta larg kryeqytetit dhe shumë më e aksesueshme se sa ajo e Pashalimanit në Vlorë.
Me gjasë, financimi do të jetë dypalësh, mes NATO-s dhe Shqipërisë, por detaje ende nuk janë bërë të ditura.
Me një bazë ajrore të re me kosto rreth 40 milionë euro, e cila pritet të bëhet funksionale në vitin 2023, si edhe me një bazë detare potenciale nëse NATO e pranon propozimin shqiptar, vendi mundet menjëherë të kthehet në pikën rajonale të referimit, sa i përket mbrojtjes.
Kreu i qeverisë shqiptare zbuloi në një konferencë shtypi se Porto Romano, do të ketë një seksion tregtar si dhe një bazë detare ushtarake.
Baza ushtarake do të ndërtohet dhe do të bashkëfinancohet nga NATO dhe Shqipëria, sipas Ramës.
“Së shpejti do të kthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”, nënvizonte kryeministri.
Në muajin maj, Rama zbuloi se qeveria e tij po i ofronte NATO-s bazën e saj detare në Pashaliman.
Pashalimani u krijua nga Moska si një bazë nëndetësesh në vitet ’50 për të pritur 12 nëndetëse pranë Vlorës, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon.
Në një kohë mbi të gjitha si kjo e sotmja, ku agresioni rus në Ukrainë ka qenë ndryshues për gjithë botën, siguria shndërrohet në temë epiqendër edhe më të rëndësishme.