Dua Lipa promovon kulturën e Kosovës

2 Minuta Lexim

Në përfundim të festivalit Sunny Hill, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa e ka zgjatur qëndrimin e saj në Kosovë. Ajo ka vizituar Hamamin e madh të Prishtinës, Pallatin e Rinisë e Sporteve si dhe ekspozitën tematike “The Grand Scheme of Things”, pjesë e bienales Manifesta 14.

Dua Lipa njihet botërisht jo vetëm për karrierën e saj në muzikë, por gjithashtu për mbështetjen që i ka ofruar të rinjve të Kosovës, komunitetit artistik e kulturor si edhe për angazhimin e saj në çështjen e liberalizimit të vizave.

Sunny Hill Festival” përfundoi në Kosovë, por pas disa ditësh do të zhvillohet dhe në Tiranë, ku pritet të mbahet në Parkun e Liqenit Artificial, nga data 26 deri më 28 gusht. Në faqen zyrtare të festivalit pritet të publikohet formacioni i artistëve që do të performojnë në Tiranë. “Tiranë! Bëni mirë të jeni gati për disa lajme super emocionuese rreth formacionit të festivalit, biletave dhe më shume”, shkruhet në faqen e festivalit.

Para nisjes së festivalit, nga faqja e “Sunny Hill” nisi një fushatë për liberalizimin e vizave për Kosovën. “Sunny Hill Festival ju fton të thërrisni me zë të lartë #Setmefree për një Kosovë pa viza. Njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të bllokuar integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë lirisht kufijtë pa vizë. Por ndërsa BE-ja vendos kufijtë rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatën tonë të gjallë për t’u lënë të lirë”, thuhej në postimin e “Sunny Hill Festival”. Edicioni i parë i “Sunny Hill” është mbajtur në vitin 2018 në Prishtinë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull