EDUKIMI NË RREZIK

10 Minuta Lexim
Tashmë është e qartë nga publiku se krahas pasigurisë së jetës, një tjetër, edukimi, është në rrezik. Edukimi në vetvete është shumëformësh e shumëpërmasor. Duke mos pretenduar që të rrok tërësinë e këtij procesi të ndërlikuar, do të ndalem në disa aspekte të dukshme, të cilat janë pasojë dhe shkakun e kanë te edukimi formal i dobët.
Këto vite janë bërë bajate deri në bezdi daljet në TV të politikanëve a pushtetarëve, të cilët nuk lenë rast, për çdo ndodhi sado të vogël e të parëndësishme, të na shfaqen me veshje dhe aksesorë të shtrenjtë, duke dashur të na tregojnë tendencat më të fundit të modës. Ajo që nuk duket nga ekrani janë makinat luksoze, apartamentet dhe vilat, pushimet në resorte ekskluzive dhe biznese të kamufluar me emra të tjerë, me burim paratë publike, korrupsionin, krimin.
Teksa shoh këta politikanë e pushtetarë me këto veshje të shtrenjta, herë-herë ekstravagante, më sillet ndërmend një dialog i shkurtër midis një fotoreporteri dhe ish-kancelares Merkel, pak vite me parë, i cili kur e takoi i tha: “Më kujtohet që ju kam bërë foto me të njëjtat veshje edhe ca vite përpara”. Menjëherë Merkeli iu përgjigj: “Puna ime është t’i shërbej popullit, unë s’jam modele!”
Këta persona kanë ardhur në politikë, apo janë emëruar në poste e detyra të rëndësishme, shumica pa meritë, pa përvojë dhe me defekte të tjera serioze të personalitetit, dëshmojnë mungesë të edukimit. Shumica prej tyre nuk janë as të arsimuar, ndonëse kanë diploma, dhe këtë kompleksitet duan ta kompensojnë me jetën e tyre të shtrenjtë e luksoze, si qëllim në vetvete. Në dukje ata dalin në TV si për të na thënë se punojmë shumë, se jemi në shërbimin tuaj. Në fakt mesazhi i nënkuptuar është: “Ne jemi këtu për të na shërbyer ju, ne jemi padronët, ju shërbëtorët“.
Ky është modeli më i shëmtuar i edukimit, i cili për fat të keq ndikimin më të madh e ka te moshat e reja, sidomos rinia. Kjo i bën ata të mendojnë se nuk kanë rëndësi rezultatet e shkollimit, as edhe përvoja, por ky model edukimi i jep mesazhin se për t’u pasuruar shpejt dhe për të bërë karrierë (të pamerituar) duhet të kenë lidhje nepotike me politikën dhe pushtetin, e nëse jo t’i shërbejnë asaj me mënyrat që tashmë dihen, dhe nëse edhe kjo nuk realizohet, atëherë të blejnë vendin e punës dhe sapo të punësohen të bëjnë para për të shlyer atë që paguajnë dhe më pas të “punojnë“ për veten e tyre. Kjo mënyrë arsyetimi dhe veprimi është tërësisht degradim moral, shkatërrim i vlerave.
Ajo pjesë e popullatës që nuk pajtohet me mënyrat e mësipërme, por që jetën dhe karrierën duan ta ndërtojnë mbi vlerat morale, zgjidhjen e gjejnë e emigracioni, i cili po e shpopullon frikshëm Shqipërinë. Sipas një studimi të kryer në vitin 2020 nga Qendra Ekonomike dhe Sociale, 79% e të rinjve largohen nga Shqipëria dhe 59% e maturantëve, 95% e të cilëve nuk dëshirojnë të kthehen pas studimeve. Familjet shpenzojnë mesatarisht 500 milion euro çdo vit për shkollimin e tyre, e cila krahas varfërimit ekonomik të vendit, të keqen më të madhe ka varfërimin intelektual, “brain drain“.
Ndikim tjetër negativ në edukim po luan media, kryesisht ajo vizive. Në një shoqëri demokratike media ka rolin parësor të saj të mbrojë interesin publik duke e informuar por edhe duke e edukuar. Fatkeqsisht, media nuk po e kryen këtë rol, në raste jo të pakta dezinformon me forma të stërholluara dhe është në shërbim të politikës, pushtetit, të oligarkëve a klientëve të tjerë me ndikim në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, por jo të publikut.
Çfarë po ndodh sot në media? Ka një shumëllojshmëri programesh televizive që në thelb nuk kanë edukimin por shtrembërimin e tij, pasi janë një dekadencë morale, kulturore, destabilizim mendor për të rinjtë, mungesë etike, imoralitet. Këto emisione televizive çdo ditë po mbjellin injorancën, japin mesazhin e nënkuptuar se nuk vlen as shkolla as edhe edukata, as kultura dhe as morali. Këto mesazhe i tejçojnë përmes disa personazheve që i quajnë VIP, por në të vërtetë janë injorantë, kanë një fjalor banal dhe dëshmojnë më së miri varfërinë e tyre morale e kulturore.
Këto personazhe, që promovohen në emisione të tilla, të cilët shërbejnë si modele që duhen ndjekur, janë pasuruar në mënyrë të shpejtë. Po si? Në ç’mënyrë? Madje janë edhe investitorë, deri strategjikë. Pra këta kanë arritur të depërtojnë në majat e pushtetit dhe jo rastësisht në TV na paraqiten si modele që duhet t’i ndjekë rinia.
Këto personazhe “VIP” ndikojnë te fëmijët, rinia, por edhe pjesa tjetër e publikut përmes imitimit duke shfaqur arrogancë, vrazhdësi, mungesë besimi, hutim, pasiguri, dhe, ata që i shohin u duket vetja të paaftë, pasi zhvlerësohen vlerat morale, ndershmëria, kultura, edukimi në përgjithësi.
Përpara këtij realiteti të zymtë të krijuar nga politika, pushteti dhe media, burimi i krizës së vlerave morale është edukimi i dobët nga institucionet arsimore, shkolla. Ende vazhdon të mbizotërojë koncepti së fëmijët shkojnë në shkollë për të mësuar, kur në fakt misioni i shkollës është emancipimi i brezave. Ky emancimpim ka në thelb dinjitetin e njeriut për të qenë i lirë ka çdo lloj kufizimi, padrejtësie e diskriminimi. Edukimi është në qendër të këtij emancipimi, si proces kulturor por edhe i të nxënit, dijes. Ai pasuron kulturën, botën shpirtërore, vlerat dhe çdo gjë tjetër që karakterizon qenien njerëzore.
Sistemi arsimor e ka anashkaluar edukimin, vetëm shkarazi në dokumente zyrtare përmenden disa cilësi si vlerat dhe qëndrimet, qytetar i përgjegjshëm që kontribuon për mirëqenien personale dhe në forcimin e demokracisë etj. Të mos harrojmë se në arsimin parauniversitar nxënësit shpenzojnë në shkollë mbi 2 mijë ditë, e barabartë me mbi 10 mijë orë mësimi.
Propagandë është bërë e po bëhet se arsimi po përparon, se kemi kurrikula të standardeve europiane, se nxënësit tanë po mësojnë me libra si bashkëmoshatarët e tyre në Europë. Kur qenka kështu, pse atëherë rezultatet e nxënësve tanë nuk janë si të atyre europianë? Pse në shkollat tona kopjimi është bërë dukuri masive edhe në provimet kombëtare, kur nxënësit europianë e kanë për turp të kopjojnë, pasi e quajnë vjedhje. Kjo ndodh pasi është neglizhuar roli i mësuesit, i cili është në qendër të procesit. Mbi mësuesit nuk investohet.
Tjetër propaganda e tjetër realiteti.
Koha që jetojmë, shekulli 21, mbi të gjitha vendos edukimin në qendër të sistemit, i cili ka të bëjë me kultivimin e vlerave morale te nxënësit, trajtimin e barabartë, bashkëpunimin, komunikimin, duke i përgatitur ata për jetën, punën dhe qytetarinë demokratike.
Mediat luajnë një rol dominues në jetën e nxënësve dhe të rinjve. Prania e gjithanshme e mediave dhe mediatizimi i shoqërisë ndikojnë para së gjithash në formimin e identitetit të tyre. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë rol të medias, shkolla e ka për detyrë që të merret seriozisht me edukimin mediatik, i cili i aftëson nxënësit që të dallojnë gënjeshtrën, manipulimin dhe mashtrimin nga e vërteta, faktin nga opinioni etj. Kjo arrihet duke kultivuar gjykimin e pavarur, të menduarit kritik, që çdo informacion të kalojë në filtrin e arsyetimit, në analizën dhe më pas në formimin e bindjeve dhe vlerave, e kundërt me atë që media rëndom e kryen, shplarjen e trurit.
Këto ndodhin në vendin tonë të bukur e të dashur, me të cilin natyra është treguar shumë bujare, ku kapitali natyror për frymë të popullsisë është më i larti në rajon, por edhe ndaj disa vendeve europiane. Realiteti dëshmon se jemi të varfër, jo për shak të burimeve natyrore, por të vjedhur, nga korrupsioni, babëzia dhe padrejtësia. Kjo është arsyeja që në edukim nuk investohet, dhe, ata që duan të rritin fëmijë të dinjitetshëm janë të huaj në këtë mjedis toksik, prandaj largimin nga Shqipëria e gjejnë zgjidhje.
Edukimi është në rrezik, situata paraqitet e rëndë, shumë e rëndë, për të ulëritur. Nuk do të dëshiroja që përballë këtij realiteti, që po degradon çdo ditë, të ndodhte ajo që thotë

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull