Çmimet globale të ushqimeve ranë në mënyrë drastike, me 8.6 për qind në fund të muajt korrik në krahasim me qershorin. Për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, kjo është rënia më e madhe mujore, që nga viti 2008.
Bursat ranë mënjeherë në fund të korrikut pas marrëveshjes së Ukrainës dhe Rusisë në Turqi për të hapur rrugët e grurit nga portet ukrainase. Dërgesat e para ndikuan në lehtësimin e presionit të çmimeve.
Si një indeks kyç që mat ndryshimet mujore në çmimet ndërkombëtare të një shporte mallrash ushqimore, Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO-s ishte mesatarisht 140.9 pikë në Korrik, që përfaqëson rënien e katërt mujore radhazi.
FAO bën të ditur se marrëveshja për eksportet e grurit po jep sinjale pozitive për të transportuar produktin më të rëndësishëm në ato vende që po vuajnë nga kriza e urisë.
Megjithatë, ekspertët thonë se pasiguritë ekzistojnë ende, kryesisht për plehrat kimikë të cilat mbartin një çmim shumë të shtrenjtë.
Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO-s bazohet në çmimet në mbarë botën për 23 kategori të mallrave ushqimore që mbulojnë çmimet për 73 produkte të ndryshme.