Një ekip i inspektorëve bërthamorë të OKB-së më 31 gusht u nis drejt centralit bërthamor të Zaporizhjas në jug të Ukrainës, teksa janë rritur shqetësimet ndërkombëtare për një incident të mundshëm bërthamor.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, tha se shpreson që agjencia të krijojë një mision të përhershëm në Ukrainë për të monitoruar centralin e Zaporizhjas, që është më i madhi në Evropë.
“Këto operacione janë shumë komplekse. Ne po shkojmë në zonë lufte. Ne po shkojmë në një territor të pushtuar. Kjo kërkon garanci eksplicite jo vetëm nga rusët, por edhe nga Republika e Ukrainës”, tha Grossi në Kiev para se të nisej ekipi drejt Zaporizhjas.
“Ne kemi marrë garanci të tilla… prandaj po lëvizim përpara”, tha Grossi për gazetarët në Kiev.
“Jam shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij momenti, por ne jemi gati. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore është gati. Ne do të raportojnë pas mbarimit të misionit. Ne do të rrimë atje për disa ditë”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ky inspektim është “ndoshta një prej top-prioriteteve sa i përket pyetjeve për sigurinë e Ukrainës dhe botës sot”.
Zelensky përsëriti thirrjen e Kievit ndaj komunitetit ndërkombëtar për “çarmatosjen e menjëhershme të centralit”, i cili është okupuar nga forcat ruse në ditët e para të pushtimit.
Ai po ashtu kërkoi që kontrolli i plotë i centralit t’i kthehet Ukrainës.
Gjatë takimit me Grossin më 30 gusht, Zelensky po ashtu tha se ka rrezik të madh të një katastrofe bërthamore për shkak të veprimeve ruse pranë këtij centrali.
Javëve të fundit ka pasur granatime shumë pranë reaktorëve të Zaporizhjash. Më 30 gusht, ushtria ukrainase tha se Rusia ka kryer sulme me take, raketa dhe artileri përgjatë linjës së kontaktit në rajonin e Zaporizhjas.
Ekspertët e Kombeve të Bashkuara pritet të bëjnë vlerësimin e dëmeve në central, të përcaktojnë funksionalitetin e sistemeve të sigurisë, të vlerësojnë kushtet e stafit dhe të kryejnë aktivitete urgjente të sigurisë, tha agjencia.
Shtetet e Bashkuara gjatë kësaj jave kanë thënë se “një mbyllje e kontrolluar” e Zaporizhjas do të ishte “opsioni më i sigurt” dhe i ka bërë thirrje Moskës që të pajtohet për çarmatosjen e zonës përreth centralit. Një kërkesë të ngjashme e ka bërë më herët edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.