Sadik Bejko
Historia më poshtë lidhet me një mjegulli, me faktimin se përse, për ç’faj më 1973, më urdhëruan të lë punën në Radiotelevizionin shqiptar, Tiranë, për të shkuar minator në minierën Memaliaj. Zyrtarisht, mua më thuhej (u tha edhe në publik) që kur kisha qenë mësues në Tepelenë më 1963 paskam falsifikuar një dëftesë shkollore.
Kam falsifikuar a nuk kam falsifikuar ndonjë dëftesë, ky fakt ka mbetur disi vagull dhe më duhet ta sqaroj përfundimisht.
Shërbeu si një pretekst kotit kjo çështja e një dëftese të falsifikuar në vitin 1963?
Ndonjëherë ajo çështja e një dëftese të falsifikuar më ngjan me atë përrallën e një njeriu, i cili prej vitesh kish mbajtur me vete të fshehur një gjarpër (dhe pse nuk e dinte që e mbante), gjersa një ditë gjarpëri e kish kafshuar. Kësaj nuk ke çfarë i bën. Ke mbetur i kafshuari. Gjarpëri i fshehur ta la helmin dhe… ka ikur.
Është një ngrënie në të pabesë.
Një njeri, Bajram Brahimaj, nga fshati im, nga lagjia ime, ishte pajisur me një dëftesë të shkollës shtatëvjeçare të Buzit , rrethi Tepelenë, më 1963. Ai nuk kishte qenë asnjë ditë nxënës i asaj shkolle, pra, nuk e kishte kryer fare ciklin trevjeçar të shkollimit pas shkollës fillore.
Ky Bajrami nuk u mjaftua me kaq.
Vazhdoi me korrespodencë shkollën pedagogjike në Gjirokastër dhe arriti të merrte deri provimet e vitit të tretë.
Fshatarët e tij, me sytë hapur, nuk e pëlqyen këtë kuturisje të Bajramit, nuk e pëlqyen që ai pa mbaruar shtatëvjeçare, po merrte dhe shkollën e mesme.
Nisën letrat denoncuese lart…në parti e në qeveri.
Atëherë ishte një klimë favorizuese për letrat, spiunimet falas, nga populli.
Denoncimi i falsifikimit për Bajram B. mbështetej edhe në atë që Asim Brahimi, i vëllai i këtij, atë vit kishte qenë mësues në Buz, në shkollën nga ishte lëshuar dëftesa fallco. Ky vëlla tani pas dhjetë vjetësh, më 1973, ishte bërë njeri me rëndësi. Kishte arritur deri në rangun e një sekretari të komitetit të partisë në rrethin e Tepelenës ku banonte me gruan mësuese dhe me fëmijët.
Të dy vëllezërit kur u zbulua falsifikimi, e pranuan fajin. Asimin e zbritën nga gjithë funksionet partiake. E çuan punëtor në fermë. Bajramit ia morën dëftesën e falsifikuar, e ndaluan të vazhdonte shkollën e mesme…dhe e lanë të punonte si bujk në fshat.
Përse u përfshiva unë në këtë pisllëk fshati…?
Në atë kohë, më 1973, isha redaktor i teksteve të këngëve në Radio televizionin shqiptar. Nuk e dija gjë ç ‘ndodhte mbas shpinës sime në Tepelenë.
Por në atë dëftesë fallco ishte edhe firma ime. Kaq u desh. Ata të Tepelenës e vendosën që domosdo unë isha pjesëmarrës në falsifikim, që falsifikator i padyshimtë isha dhe unë. Nuk më thotë njeri asgjë. Pasi e kishin vendosur që jam fsllsifikator, këtë ia raportojnë Kryeministrit Mehmet Shehu. Dhe Kryeministri urdhëroi që unë të shkoj punëtor në minierë. Kryeministri i një vendi lëshon një urdhër në erë???
Ngjan si legjendë e tjerrë keq, por është krejt e vërtetë. Pa më vënë në dijeni , pa më gjykuar më kanë shpallur fajtor, më kanë dhënë edhe dënimin.
(Një gjarpër po më hante në të fshehur.)
Pse ishte firma ime në atë dëftesë? Më 1963 unë u emërova “I deleguar i seksionit të arsimit të rrethit Tepelenë në shkollën 7-vjeçare të Komunës së Buzit”, i deleguar për periudhën kur aty do të zhvilloheshin dy provimet e shtetit, të Gjuhës dhe të Matematikës. Kjo atëherë ishte praktikë : një mësues nga një shkollë tjetër asistonte për të vërejtur mbarëvajtjen e dy provimeve gjuhë dhe matematikë, me gojë dhe me shkrim, të cilat atë kohë konsideroheshin si provime shteti.
Punoja në shkollën e Izvorit, shkollë që ende nuk kishte klasë të shtatë, pra, që nuk zhvillonte provime. E quajta për nder kur më emëruan të deleguar të seksionit të arsimit për të vëzhguar provimet në Buz.
Kur provimet morën fund, kërkova dëftesat për firmë. Firma e të deleguarit vihej në gjithë procesverbalet ku ishin rezultatet e notave të provimeve Gjuhë dhe Matematikë, por edhe në dëftesat shkollore të atyre që atë vit mbaronin 7-vjeçaren.(Vite më pas ky shkollim u bë tetëvjeçar).
Firmosa dëftesat, e mbylla atë vit shkollor, dhe fillova pushimet. Kaq mbaja (dhe kaq mbaj mend edhe sot ) nga ajo histori si i deleguar seksioni në Shkollën Buz.
Më 1973, kur më thanë se paskam falsifikuar një dëftesë…për B.B., kjo më ra si një gur pas koke. Si e paskam bërë dhe nuk e ditkam? Po këta vëllezërit Brahimaj që kanë përfituar nga unë një dëftesë, si nuk janë bërë të gjallë në kaq vjet? U paskam bërë një nder… nder që një ditë mund të më rrezikonte, dhe ata fare nuk ma ditkan? Ata nuk e dinë në jam a nuk jam gjallë në këto mbi dhjetë vjet? Asnjë kartolinë urimi për Vit të Ri nuk u kujtuan të ma dërgojnë?
Por nuk kishin për se të më tregonin mirënjohje. Unë nuk isha pjesë në atë falsifikim. Nuk u kisha bërë asnjë nder. Nuk dija asnjë gjë për atë falsifikim.
Tani që plasi falsifikimi, të paktën, ata duhet të më mbronin.
Por nuk ndodhi kështu? Ata u shprehën që edhe unë i ndihmova në falsifikim. Si???
I vajta në shtëpi në Tepelenë Asim Brahimit, shokut tim të fëmijërisë, shokut të shkollës shtatëvjeçare dhe të shkollimit të Lartë. Më mbro, i thashë. Unë nuk di gjë për falsifikimin. Si ka ndodhur? Kur ua paskam bërë një nder të tillë që ju kurrë nuk ma keni ditur?
Së paku, të më kishit shtruar një drekë. Të më kujtonit me një telefon; me një letër… Ju nuk jeni bërë të gjallë për mua ka mbi dhjetë vjet e tani më thoni falsifikimin e kemi bërë bashkë. Turp…
Ai përtypej…e kemi bërë, thoshte…
(Të ha gjarpëri yt … i fshehur).
Gjyshja më tha mos u grind dhe mos e dreqos me ata dy të liqtë. Ta kanë bërë të keqen. Nuk çbëhet më. Zoti dikur merr hak.
Nuk u besoja atëherë profecive të plakave.
Pas disa vitesh më kapi dhe ish-drejtori i shkollës Buz, Spiro Naka nga Gjirokastra. Më thotë me mllef: ti dhe Hasim B. na e falsifikuat dëftesën e desh ma futët mua.
Nuk i ktheva përgjigje. Ai ishte drejtori. Dëftesa zyrtarisht lëshohej me autoritetin e tij si titullar i shkollës. Dëftesa mbushej me shkrim dore nga mësuesi kujdestar i shkollës (Asim Brahimaj). Ky mësues e hidhte dëftesën dhe notat e saj në amzën, në regjistrin themeltar të shkollës. Dëftesa kishte dhe numurin e amzës dhe firmat dhe vulën e shkollës Buz që e lëshonte.
Unë mësues në Izvor, si u bëra falsifikues për vetëm tre katër ditë si i deleguar në atë shkollë . I deleguari falsifikoka një dëftesë dhe ua hedhka atyre që janë zot shtëpie në shkollë?
Siç shprehej prokurori i asaj kohe në Tepelenë, prokurori Th.Tutulani, kjo nuk kishte bythë të rrinte…kjo vetvetiu rrëzohej…
Pa prova, pa ekspertizën e firmës, pa ballafaqim me ata që kishin shkrimin dhe firmat në dëftesë, arbitrarisht unë shpallesha fallsifikator…
Nëpunësi i Tepelenës me mbiemër Gërbi, një me kokën të verdhë si lulja e rrodhes…më tregoi deftesën dhe ja, më tha, ti e ke bërë. Çfarë kam bërë? Është aty firma jote? Pra, ti je fallsifikatori.
Ata të gjithë, zyrat, shteti e kishin paravendosur që unë isha falsifikator. Sikur dhe deri në qiell të ulërija: jo nuk jam.
Jo, nuk e pranoj. Ata thoshin: je.
Ç’ vlerë kishte mohimi im?
Prokurorit të Tepelenës i thashë dua të më provosh që jam a s’jam fsllsifikator. U inatos. Do të vë në bankën e akuzës, më tha. Ke barrën e provës. Dhe luaje bythën, po deshe. Do të shpall fajtor. Atë dëshiroj, i thashë: shpallmë. I marrë je, ulërinte? Po qenke fare i marrë! Nuk e kupton që nuk ke punë me mua. Një fallsifikim dëftese dënohet deri në tre vjet. Kanë kaluar dhjetë vjet. Je i pastër. Dhe sikur ta kesh bërë, tashmë është tri herë e parashkruar. Nuk të kap asnjë ligj. Shko te zyra Atje. Dhe më tregoi Komitetin e Partisë. Ajo zyrë ka punë me ty. Mos e krruaj kot me mua. Përjashta!
Ky ishte një prokuror i fortë, me mbiemër Tutulani. Nga Berati. Dhe e lëshonte gojën fort, mbarë e mbrapsht.
Por, shkurt, ky ishte problemi: ty nuk dënon ligji, por për ty ka një urdhër Kryeministri. Dhe do të shkosh në minierë se ke falsifikuar një dëftesë… Zbato urdhërin, pastaj kërkoje të drejtën ku të duash…
Kanë kaluar vite. Historia e mbuluar nga koha, nxjerr krye nën pluhurin e saj dhe herë-herë dhemb. Dy miqtë e mi të fëmijërisë B. Brahimi, ai që mori dëftesën dhe vëllai i tij Asimi, që e ndihmoi, ende më kanë borxh një shpjegim. Si ishte puna e dëftesës? Atëherë ma futën, po kurrë nuk m’u shpjeguan më pas. U takuam kaq herë pas rënies së diktaturës, dhe sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Me të vërtet, midis nesh nuk paska ndodhur asgjë?
Apo burrash ende mbetet një llogari e hapur midis nesh? Kurdisën në shpinën time diçka që më kushtoi, dhe… fshihen.
Nuk lihet një shpjegim i kësaj bote si peng për t’u shkrehur në botën tjetër…
Prokurori Tutulani, indirekt atëherë ma tha se e keqja më vinte nga Ai lart, nga Olimpi që me, apo pa faj, të gjuante me rrufe.
(Po ai gjarpëri shtëpisë që të ngrënka fshehur? )
Të keqen e nxiste jo vetëm Olimpi, por dhe zilia, dhe ligësia e vogël e paemër e atyre rreth e rrotull nesh, e ne të tjerëve këtu poshtë.
48