Nga Zija Cela
Ismail Kadare e ka shkruar “Darkën e gabuar” me shijen e pagabueshme të kryeveprës. Vështirë të sjellësh ndërmend ndonjë roman me vëllim kaq imcak, ku epika lokale historike dhe ajo mitike, në një rrëfim që estetizohet në nivelin më mjeshtëror, të fitojë kaq vlera të përbotshme. Nuk po shprehem me klishetë se është roman që lexohet me një frymë, që ta mban frymën pezull apo të lë pa frymë. Them vetëm se është nga ata libra që, në të gjitha kohërat, njeriu i qytetëruar ndihet me fat që s’i kanë shpëtuar pa i lexuar.
Me gishtat e duarve numërohen titujt letrarë, ku ndihet sa i madh ka qenë ashku i autorit, vrulli, droja dhe njëkohësisht ngazëllimi prej aleluje, duke mpiksur në letër tërë atë mjegullnajë të rrokopujshme të parakrijimit. Në veprat serioze, në ato që përsosmërinë e çojnë deri në ngopje, nuk është nevoja që çdo gjë të jetë e justifikuar, por që asgjë të mos jetë pa vend. E po ashtu, asnjë shkrimtar serioz nuk e mban veten për Mesi, por mesazhet transhendente janë shpesh mesianike.
I shkruar në liri të plotë dhe me përmasë planetare, ky libër i shëndetshëm ngjan si një fillim prej së pari ose si vazhdim nga majat, duk shënuar midis kulmeve të Kadaresë, nga vështrimi estetik, njërën prej kuotave më të lartë. Një shkrimtar, sipas meje, nuk ka ku shkon më tej, më tej është gremina dhe më lart është Zoti.
(Teksti i plotë: Parathënie në VEPRAT e I. Kadaresë, botuar nga Onufri, ose në ExLibris)