Një strategji për zhvillim kombëtar
Durim TAÇI
Ndër sfidat e viteve ’90 në strategjinë kulturore në Shqipëri, ishin editoria e pavarur, tregu i librit, ligji i librit, e drejta e autorit, etj, pra politika që lidheshin kryesisht me librin shqip, pra me gjuhën kombëtare. Ishin domosdoshmëri, por këtu nuk ka asgjë të re: kjo ndodh tash e njëqind vjet! Mirëpo, nga një vështrim i sotëm, a mund të kufizohet kultura brenda gjuhës kombëtare, për rrjedhojë vetëm librit shqip? Sigurisht që jo. E them që në fillim, do parapëlqeja promovimin e leximit si i tillë, si proces, më shumë se gjuhën në të cilën ai kryhet, qoftë kjo edhe gjuha kombëtare. Sidomos për diasporën, nuk janë kamionët me libra shqip dërguar nga vendi amë që do e bëjnë atë më të kulturuar, por ndërveprimi e prosperimi në vendet ku jeton e në gjuhët e tyre. Sa i takon mbajtjes së saj lidhur më shtetet tona shqiptare, do ishte më mirë sigurimi i të drejtave që u sjell dyshtetësia, si e drejta e votimit dhe e pjesëmarrjes në jetën politike atje, vendimmarrja për fatet e atdheut.
Vërtet, a mjafton gjuha e unifikuar, a mjafton shqipja jonë e dashur të jetë veshje e përhershme dhe e pandryshuar e brendisë së gjithë strategjive kombëtare për kulturën? Për shqiptarët fjala “kombëtare” është e shenjtë, por le të përqendrohemi pak më shumë edhe në idetë se si pasurohet sot “kombëtarja”. Është e vërtet që kombi shqiptar është formuar mbi gjuhën, flasim ‘shqip’ e për rrjedhojë jemi shqiptarë. Në rregull, gjatë historisë sonë kjo na ka ndihmuar të ruajmë ekzistencën, por a na duhet të mendojmë në pafundësi thjesht për mbijetesën?A na duhet vetëm një prani e shtuar thjesht numerike shqipfolësish?A mundet që sa më shumë shqiptarë që flasin shqip të na garantojnë më shumë kulturë e identitet në zhvillim? Cili është sot roli i gjuhëve kombëtare në prosperitetin e vendeve të ndryshme, kur vetë rasti i shqiptarëve është i veçantë, sikurse i shumë popujve të tjerë të vegjël? Çfarë, do presim të bëhemi më të mëdhenj se ç ‘jemi?
Pastaj, a janë shqiptarë ata që nuk po flasin më shqip, fëmijët tanë nëpër botë, ata që po këndojnë anglisht, si Dua Lipa!? Ata po prosperojnë duke përdorur gjuhë tjetër, duke u zhvilluar e lënë gjurmë me gjithçka që ofron integrimi në kulturat e popujve ku jetojnë. Cilësia, suksesi i tyre, na bën ta harrojmë menjëherë në ç‘gjuhë janë shprehur, u gjejmë rrënjë e degë nga janë e s’janë dhe pastaj krenohemi me ta si shqiptarë. A mos vallë vetë gjuha dhe kombi vijnë e bëhen pengesë kur vihen me patjetër në themel të strategjive të zhvillimit duke errësuar gjithçka tjetër?
Se kështu i bie, ta lëmë jashtë atëherë konceptin e gjerë të kulturës me prerje universale, se nuk vlen, na bën të vegjël numerikisht! Mirëpo, strategjitë kulturore duhen kërkuar përtej këtyre kufijve, na pëlqen ne ose jo! Kultura, ai kompleks manifestimesh i jetës materiale, shoqërore dhe shpirtërore në marrëdhënie me fazat e ndryshme të një procesi të gjatë evolutiv, tani ndodhet në një periudhë tjetër historike. Për një shkrimtar shqiptar sigurisht nuk është më e rëndësishme se në çfarë gjuhe e ka shkruar veprën, se sa vetë cilësia e saj. Pakësohen instrumentistët popullorë, por shqiptarët nga ana tjetër kanë filluar të mbushin orkestrat më të famshme të Evropës, pakësohen vallet, shtohen talentet në baletet klasike e moderne. Diaspora, sidomos, manifeston në vendet ku jeton kryesisht me mjetet shprehëse që gjen aty, kjo është sfida e saj, përditshmëria e saj, aty zhvillohet kultura e saj, jo në festimet e zhurmshme një herë në vit për Ditën e Flamurit.
E di, është një trend provokativ ky, ta shtrosh çështjen në këtë mënyrë, megjithatë duhet arsyetuar përtej identitetit në gjuhë, një shekull më vonë, pa e mohuar atë, përkundrazi duke e zhvilluar atë. Të kuptojmë se sot nuk na duhet shumë të unifikojmë, por të ndjekim, të pranë-vëmë, të harmonizojmë, të zhvillojmë e ushqejmë prirje e tendenca në kulturë. Sot jemi shumë më mirë nga saç e mendojmë, por duhet të përpiqemi ta kuptojmë arsyen përse kjo ka ndodhur, e të vetëdijesuar të ecim përpara. Kultura vetë, do na çojë kah shqipja e kombëtarja!