Romancieri me origjinë indiane, Salman Rushdie, i cili u sulmua me thikë ndërsa ishte në skenë në Nju Jork, është kërcënuar me vdekje për shkak të punës së tij gjatë një karriere letrare pesë dekadash.
Shumë nga librat e 75-vjeçarit kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshëm, me romanin e tij të dytë, ‘Midnight’s Children’, që fitoi çmimin Booker në 1981, shkruan BBC.
Por ishte romani i tij i katërt, ‘Vargjet Satanike’ (The Satanic Verses), i botuar në 1988, që u bë vepra e tij më e diskutueshme, duke sjellë trazira ndërkombëtare të paprecedentë në përmasa.
Ndaj Rushdie u bënë kërcënime me vdekje, ndaj ai u detyrua të fshihej pas publikimit të tij dhe qeveria britanike e vendosi autorin nën mbrojtjen e policisë.
Salman Rushdie lindi në Bombei, dy muaj para pavarësisë së Indisë nga Britania.
Në moshën 14-vjeçare ai u dërgua në Angli dhe në Shkollën e Rugbit, ndërsa më vonë fitoi një diplomë nderi në histori në Kings College, Kembrixh.
Ai u bë shtetas britanik dhe lejoi që besimi i tij mysliman të shuhej. Punoi një kohë të shkurtër si aktor dhe më pas si autor reklamash, ndërsa shkruante romane.
Libri i tij i parë i botuar, ‘Grimus’, nuk arriti sukses të madh, por disa kritikë e panë atë si një autor me potencial të konsiderueshëm.
Rushdies iu deshën pesë vjet për të shkruar librin e tij të dytë, Fëmijët e mesnatës, i cili fitoi çmimin Booker në 1981, u vlerësua gjerësisht dhe u shit në gjysmë milioni kopje.
Romani i tretë i Rushdie ‘Shame’, i botuar në 1983, kishte të bënte me një Pakistan pothuajse të maskuar. Katër vjet më vonë, Rushdie shkroi ‘The Jaguar Smile’, një rrëfim i një udhëtimi në Nikaragua.
Në shtator të vitit 1988 u botua vepra që do t’i rrezikonte jetën, Vargjet Satanike. Romani surrealist post-modern shkaktoi zemërim te disa myslimanë, të cilët e konsideruan përmbajtjen e tij si blasfemi.
India ishte vendi i parë që e ndaloi atë. Pakistani ndoqi shembullin, ashtu si edhe vende të tjera myslimane dhe Afrika e Jugut.
Romani u vlerësua në shumë qarqe dhe fitoi çmimin Whitbread. Por reagimi ndaj librit u rrit dhe dy muaj më vonë, protestat në rrugë morën vrull.
Myslimanët e konsideruan atë një fyerje për Islamin. Ata kundërshtuan, ndër të tjera, faktin që dy prostitutave në libër u jepeshin emrat e grave të profetit Muhamed.
Titulli i librit i referohej dy vargjeve të hequra nga Muhamedi nga Kurani, sepse ai besonte se ato ishin frymëzuar nga djalli.
Në janar 1989, myslimanët në Bradford dogjën një kopje të librit dhe shitësit e gazetave WHSmith ndaluan ta shfaqnin atje. Rushdie hodhi poshtë akuzat për blasfemi.
Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar, disa udhëheqës myslimanë kërkuan moderim, të tjerë mbështetën Ajatollahun. SHBA, Franca dhe vende të tjera perëndimore dënuan kërcënimin me vdekje.
Rushdie, tashmë i fshehur me gruan e tij teksa ruhej me policë, shprehu keqardhjen e tij të thellë për shqetësimin që u kishte shkaktuar myslimanëve, por Ajatollahu e ripërtëri thirrjen e tij për vdekjen e autorit.
Zyrat e botuesit Viking Penguin, në Londër u piketuan dhe u morën kërcënime me vdekje në zyrën e Nju Jorkut.
Por libri u bë një best-seller në të dy anët e Atlantikut. Protestat kundër reagimit ekstrem mysliman u mbështetën nga vende të tjera të cilat të gjitha tërhoqën përkohësisht ambasadorët e tyre nga Teherani.
Por autori nuk ishte i vetmi person që kërcënohej për përmbajtjen e librit. Përkthyesi japonez i Vargjeve Satanike u gjet i vrarë në një universitet në veri-lindje të Tokios në korrik 1991.
Policia tha se përkthyesi, Hitoshi Igarashi, i cili punonte si asistent profesor i kulturës krahasuese, u godit me thikë disa herë dhe u la në korridor jashtë zyrës së tij në Universitetin Tsukuba.
Në fillim të të njëjtit muaj, përkthyesi italian, Ettore Capriolo, u godit me thikë në banesën e tij në Milano, megjithëse i mbijetoi sulmit.
Dënimi me vdekje, fetva, kundër Rushdie pushoi së mbështeturi zyrtarisht nga Irani në 1998.
Rushdie ishte martuar katër herë dhe ka dy fëmijë. Ai tani jeton në SHBA dhe u shpall ‘kalorës’ në vitin 2007 për shërbimet e tij në letërsi.
Në vitin 2012, ai botoi Joseph Anton: A Memoir, një rrëfim i jetës së tij në vazhdën e polemikave mbi Vargjet Satanike.