Florian Marku u shpall kampion në boks për peshën “welterweight” në versionin WBC Silver duke mposhtur me pikë meksikanin Miguel Parra Ramirez.
Pas 10 raundesh të luftuar, ku të dy boksierët treguan nivel të lartë, shqiptari fitoi takimin me vendim unanim të gjyqtarëve, 96-91, 96-92, 95-92.
Ndeshja parashikohej më e lehtë për Markun, por që nga raundi i parë, Ramirez tregoi se do të ishte një kockë e fortë, dhe arriti ta çonte ndeshjen deri në raundin e fundit.
Me kalimin e raundeve, meksikani bëhej edhe më i guximshëm, duke i rezistuar goditjeve të Markut dhe duke lëshuar edhe ai gjuajtje që e vunë jo pak në vështirësi shqiptarin.