Humb kontaktet me familjarët prej disa ditësh i shumëkërkuari i policisë Ervis Martinaj. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se xhaxhai i tij Faik Martinaj ka kallëzuar në prokurori zhdukjen e nipit.
Mbrëmjen e kaluar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Lezhë, Faik Martinaj, babai i Brilant Martinaj i vrarë në masakrën e Fushë-Krujës ka depozituar një kallëzim penal ku pretendon se ka humbur kontaktet me nipin e tij.
“Ai ndodhet në kërkim ndërkombëtar pas dëshmisë së Nuredin Dumanit se kishte urdhëruar vrasjen e Indrit Dokles.
Xhaxhai ka deklaruar se ka pasur kontakte me njerëz të tjerë që komunikonim me nipin. Dy ditë më parë një shok i Ervis Martinaj ka shkuar në shtëpinë e tij dhe i ka thënë se ka humbur kontaktet me të.
Familjarët dyshojnë se atij mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe, për faktin se ka armiq të shumtë dhe se është në kërkim ndërkombëtar. Informacioni nga policia është i ngurtë dhe nuk përjashtohet dhe mundësia e një inskenimi.
Faik Martinaj pretendon se ai vetë dhe familjarët nuk kishin kontakte direkte, por nga informacioni që kanë marrë nga miqtë e Ervis Martinaj, kanë mësuar se ai ka humbur çdo kontakt dhe janë të shqetësuar për jetën e tij.
Është hera e parë që një person në kërkim ndërkombëtar humb kontaktet dhe me të afërmit, dhe policia është në një situatë të vështirë.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor për rastin. Ka dhe një mesazh që persona që shoqëroheshin me Ervis Martinaj ia kanë treguar të afërmve të tij, ku thotë ‘kini kujdes se do ketë kontrolle’. Jo një komunikim i drejtpërdrejt, por përmes personazheve me të cilët shoqërohej.
Policia e shtetit është e dyzuar se si do ta referojë këtë ngjarje sepse statusi i Ervis Martinaj është i një personi në kërkim ndërkombëtar. Disa operacione për kapjen e tij kanë dështuar. Ka precedentë ku persona të kërkuar mund të inskenojnë ngjarje të tilla dhe nuk përjashtohet as kjo pistë.