SHBA, KINA DHE RUSIA: FRONTET E SHUMTA DHE RREZIKU PËR TË BËRË LOJËN E XI E TË PUTINIT

6 Minuta Lexim
Nga DANILO TAINO
Të përballohet një krizë që ka vështrime ushtarake është një sipërmarrje serioze. Të përballohen dy, tetëmijë kilometra larg njëra tjetrës, bëhet e paarritëshme. Tani Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar në këtë gjëndje: mundim i madh për të siguruar pavarësinë e Ukrainës, zotim i detyrueshëm për të mbështetur Taivanin. Vizita e Nancy Pelosit në Taipei ka hapur një tjetër front që duhet të mbarështojë Shtëpia e Bardhë: Joe Biden nuk do t’a kishte dashur, por tashmë që spikerja e Dhomës së Deputetëve ka arritur në ishull, nuk mund të mos mbrojë të drejtën e saj për të vizituar çfarëdo Vëndi që e mirëpret.
Problemi tashti është se mbifuqia amerikane është e mbingarkuar me zotime. Nga pikpamja ushtarake, e rezervave, e prapavijës, e politikës, e diplomacisë. E tepruar frikësohen në Washington, e tërhequr për së tepërmi. Është pikërisht ajo që Vladimir Putin e Xi jinping dëshirojnë: të zotojnë Shtetet e Bashkuara në më shumë kriza për të bërë të dukëshëm që zotërimi i tyre global është në fund e që nevojiten të tjera barazpesha ndërkombëtare. Që Pax (paqja) amerikane nuk ka më frymë për të vrapuar. Ukraina, Taivani, Lindja e Mesme me Iranin që i avitet armës bërthamore, Amerika Latine çdo javë e më e paqëndrueshme: zjarre të rinj ndizen në fortesat historike të Shteteve të Bashkuara.
Nancy Pelosi ka plot të drejtë të vizitojë Taivanin e të takojë presidenten Cai Ing-wen. Nuk është Pekini ai që mund të hartojë rendin e saj të ditës e të detyrojë ndalimet. Por tani jemi përballë një hopi cilësor. Në vitet e fundit, veçanërisht që kur Xi Jinping është ngjitur në pushtet, më 2012, Kina ka kërcënuar dhe përfrikësuar shumë Vënde që nuk respektojnë vullnetet e saj politike, ka përdorur fuqinë, kryesisht ekonomike, për të ndaluar qëndrime të papëlqyera për të: mbi respektin e të drejtave njerëzore, mbi rolin e Dalai Lamës, mbi praktikat tregëtare, mbi përgjegjësitë në fillimin e mbarështimin e pandemisë të Covid-19. Fakti i ri është që tani zbaton të njëjtën metodë edhe kundrejt autoritetit të tretë institucional të mbifuqisë amerikane.
Udhëtimi i Pelosit nuk ka përmbajtje të mëdha politike konkrete. Ka një vlerë kryesisht simbolike për të pohuar mbështetjen e Kongresit amerikan demokracisë së lulëzuar të ishullit (e teta në botë dhe e para n’Azi për cilësi, simbas një treguesi të përpunuar nga Economist Intelligence Unit). Xi do të kishte mundur t’udhëzonte antarët e Partisë Komuniste për të protestuar kundrejt vizitës në atë që Pekini e quan provincën e saj kryengritëse; nga ana tjetër do të duhej në teori të shmangëte një përshkallëzim të kërcënimeve e mobilizimeve ushtarake në tokë, det e qiell, t’a degradonte në një gjë të vogël udhëtimin e kryetares. Ndërsa ka ngritur tonet e veprimet si asnjë herë. Vizita është kthyer kështu në një krizë ndërmjet Pekinit dhe Washingtonit. Nancy Pelosi nuk mund të mos e parashikonte: këtu hyn ai që mjaft vëzhgues e quajnë një gabim gjykimi.
Një gjë është e drejta për të vizituar Taivanin. Një tjetër është leverdia politike për t’a bërë në këtë çast. Gjëndja ndërkombëtare është tejet e nderë, nuk ka arsye të dukëshme për të ushqyer tensionet. Është e vërtetë që agresiviteti gojor i Pekinit kundër Taivanit është shtuar shumë dhe gjuajtësit kinezë kanë hyrë 555 herë në Zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit në gjashtë muajt e parë të vitit. Por mbështetja e Taivanit kalon, më shumë se nga udhëtimet e zhurmëshme, nga garancia e Washingtonit për t’a mbrojtur e për t’a furnizuar me armë. Veç asaj Pelosi duhej t’a dinte se për Xi vizita do të kishte qënë një fyerje. Udhëheqësi kinez ka vënë në krye të listës së përparësive politike synimin për të bashkuar ishullin me mëmëdheun. Në vjeshtë do të përballojë kongresin e Partisë Komuniste që do t’i ripërtërijë mandatin për të drejtuar Vëndin për të tretin pesëvjeçar të vazhdueshëm, gjë e pandodhur që nga Vitet Tetëdhjetë. Por arrin me një ekonomi të dobësuar, me protesta popullore të shkaktuara nga shkandullimet në sektorin e ndërtimeve të banesave, me një politikë të Zero-Kovid e ndalime të vazhdueshëm, gjithënjë e më pak të duruar nga kinezët. Pakënaqësitë në parti për gjëndjen e vështirë ekonomike e shoqërore do të ishin ndezur nëse Xi nuk do të kishte kundërvepruar ndaj belegut.
Tani, sido që të shkojë, kundërshtia që është hapur në Ngushticën e Taivanit i vë në një tension të mëtejshëm marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit e Pekinit. S’afërmi përbën rrezik përplasjesh e në kohë të gjata shpejton krijimin e blloqeve kundërshtare ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Çimentohet muri ndërmjet SHBA dhe Kinës. Dhe është një tjetër provë e aftësisë së Shteteve të Bashkuara për të mbarështuar kriza që krijohen pa ndërprerë në pjesë të ndryshme të botës. Me gjasë ky nuk ishte synimi i parë i kryetares Pelosi.
“Corriere della Sera”, 2 gusht 2022 Përktheu Eugjen Merlika

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull