Ritvan Peshkopia
Mbas 21 ditë dhe 2500 kilometrash udhëtimi me bicikletë, sot mbylla Udhëtimin e Verdhë, një trekim që nisi nga Gjakova më 7 Gusht, më çoi mespërmes Shqipërisë nga veriu në jug, pastaj nëpërmjet Janinës, Artës, Agrinios, Mesologjit, kalova urën mes Antirios dhe Rios, Kiatos dhe Elefsinës përfundova në destinacionin tim, Kepin Sunio në jug të gadishullit të Atikës, ku në sfondin e fotove të mëposhtme janë ajo çka mbetur nga tempulli i Poseidonit. Ky ishte edhe destinacioni im, ndoshta vendi më i bukur në botë, ku unë pata mundësi të kampoj aty pranë dhe të kem mundësi të kqyr nga shatorri im me orë të tëra tempullin dhe peisazhin përreth.
Në khim zgjodha një rrugë tjetër, duke kaluar nga Avlona, Kastro, Lamia, Kardhica, Trikalla, Meterora, Grevenaja dhe Follorina dhe u futa në Maqedoninë e Veriut pranë Manastirit. Pastaj vazhdova mespërmes Maqedonisë së Veriut në Prilep, Velesh dhe Shkup, ku edhe fjeta mbrëmë. Sot në mëngjes kreva edhe 80 kilometrat që ndajnë Shkupin me Prishtinën duke kaluar nga Kaçaniku dhe Ferizaj.
Ditën e gjashtë të udhëtimit, duke zbritur një të tatëpjetë të ashpër midis Janinës dhe Artës, celulari im ra nga mbajtësja në timon, duke dalë jashtë përdorimit. Qysh nga ai çast, nuk kisha më as qasje në Strava dhe as mundësi të bëja foto dhe të lidhesha me familjen dhe shokët e mij. Në ditën e parë të kthimit (dita e dymbëdhjetë e udhëtimit) odometri im pushoi së funksionuari (me sa duket njësia qëndrore e kishte humbur aftësinë të merrte sinjal nga dy njësitë e tjera, kilometërmatësi dhe matësi i kadencës) dhe megjithëse ua ndërova bateritë të tre njësive, nuk munda ta vë më në punë. Qysh nga ai çast, matjen e kilometrave mundet ta bëja vetëm me tabela rrugore apo me hamendësimet apo njohuritë e vendasve.
Këtë udhëtim e kam quajtur Udhëtimi i Verdhë pasi bicikleta ime ishte e verdhë dhe po ashtu në pjesë e teshave dhe pajisjeve. Këtë bicikletë e pata ndërtuar 4 vjet më parë enkas për një udhëtim të tillë. Ndryshe nga bicikleta që pata ndërtuar dhe përdorur tre vjet më parë për udhëtimin Gjakovë-Shkodër-Mal i Zi-Kroaci-Serbi-Prishtinë (Udhëtimi Gri), të cilën e kisha inxhineruar për ritëm mesatar trekimi, bicikletën e verdhë që përdora kësaj rradhe e kam inxhineruar për ritëm mesatar të lartë udhëtimi. Nëse shëndeti fizik dhe financiar më lejojnë, objektivi këtë vit akademik (si profesor universiteti, unë i mas vitet me kalendarin akademik) është të ndërtoj një bicikletë tjetër për udhëtimin e verës tjetër, Gjakovë-Pragë dhe kthim.
Këtë udhëtim ua kushtoj të gjithë njerëzve të mirë të Kosovës, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët kurrë nuk rreshtën së më shprehuri mbështetje dhe miqësi, apo së më ofruari kafe, ndonjë birrë, një fjalë mbështetjeje apo edhe një bisedë shlodhëse. Ballkani është i mrekullueshëm. Po ashtu, gjatë udhëtimi takova edhe udhëtarë si unë, me bicikleta apo më këmbë, me të cilët u ndala dhe shkëmbeva përvojat e mija dhe mësova për përvojat e tyre. Ditën e 15 Gushtit, festën ortodokse të ngritjes në qiell të Shën Mërisë, e kalova në Ano Dhiminio në veri të Peloponezit, me kolegun, bashkëautorin dhe shokun tim Kosta Giakoumis dhe familjen e tij të mrekullueshme. Për të gjitha këto do shkruaj më vonë.